Hapi i parë drejt krijimit të institucioneve të reja
Sot nga ora 17:00 pritet të nisë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Fillimisht, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se seanca do të mbahej në orën 12:00, por ajo u shty për disa orë.
Kryetari i legjislaturës së kaluar të Kuvendit, Dimal Basha, bëri të ditur se shtyrja u bë me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak të deklaratave përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse në Hagë, në procesin ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në respekt për atë që po ndodh në Hagë, të gjitha subjektet politike janë pajtuar që seanca të mbahet në orën 17:00”, tha Basha.
Caktimi i seancës erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi këtë javë rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Rendi i ditës përfshin verifikimin dhe betimin e mandateve të deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Përshëndetje të gjithëve,
Radio Evropa e Lirë nis mbulimin direkt të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të fillojë nga ora 17:00.
Me ju në orët në vazhdim do të jem unë, Valona Tela.