Përfundon takimi i Komisionit për verifikimin e mandateve
Kryesuesi i Komisionit për verifikimin e mandateve, Adnan Rrustemi, pas përfundimit të mbledhjes së komisionit, rekomandoi që seanca të vazhdojë punimet sipas agjendës së paraparë nga Rregullorja e Kuvendit.
Emërohet komisioni për verifikimin e mandateve
Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve u miratua nga të 118 deputetët e pranishëm në seancë.
Ky komision përbëhet nga një përfaqësues i secilës parti politike dhe formimi i tij ishte pika e parë e rendit të ditës.
Derisa Komisioni të përfundojë konsultimet dhe verifikimin e mandateve, seanca është në pauzë.
Dehari nis seancën konstituive
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nisi rreth orës 17:30.
Ajo po drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili fillimisht bëri të ditur rendin e ditës:
- Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve;
- Betimi i deputetëve;
- Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit;
- Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Berisha: Do të votojmë për kryetarin e Kuvendit dhe presim të jemi në Qeveri
Deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, tha se do të votojë për propozimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ashtu si ka bërë edhe më parë.
Ai tha se nuk ka diskutuar ende për pjesëmarrjen në kabinetin qeveritar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por beson se do të jetë pjesë e tij.