Ndërlidhjet

Kundërofensiva e Ukrainës “më e ngadalshme” seç do të dëshirohej


Një ushtar ukrainas duke sulmuar me artileri pozicionet ruse afër Bahmutit. Fotografi nga arkivi.
Një ushtar ukrainas duke sulmuar me artileri pozicionet ruse afër Bahmutit. Fotografi nga arkivi.

Me muaj të tërë ka pasur spekulime se kur dhe si do t’i përgjigjen forcat e Ukrainës ushtrisë ruse në jug dhe lindje të vendit të tyre.

Kievi ka ndarë pak plane për rikthimin e territoreve të pushtuara, por gjatë përgatitjes ka kërkuar vazhdimisht tanke, avionë dhe pajisje të tjera të sofistikuara ushtarake nga Perëndimi. Kundërofensiva është tani në javën e dytë dhe matja e përparimit është ende e vështirë, thonë ekspertët ushtarakë.

Por, sipas presidentit të vendit, Volodymyr Zelensky, ushtria e tij nuk ka humbur asnjë pozicion.

“Në disa sektorë forcat tona po lëvizin përpara, në disa të tjerë po mbrojnë pozicionet ose po u rezistojnë sulmeve të intensifikuara nga pushtuesit. Nuk kemi pozicione të humbura, vetëm të çliruara. Ata kanë vetëm humbje”, ka thënë Zelensky.

Zelensky, megjithatë, ka pranuar se përparimi i forcave të tij është i ngadalshëm, sepse, siç ka thënë, mbi 200.000 kilometra katrorë të territorit ukrainas janë minuar nga forcat ruse. Sipas tij, rezultatet nuk janë të mundshme menjëherë, sepse jetët e njerëzve janë në rrezik.

Për presidentin rus, Vladimir Putin, Ukraina ka dështuar tashmë në kundërsulm dhe ushtria e saj “nuk ka asnjë shans” kundrejt ushtrisë ruse.

“Humbjet e saj janë shumë të rënda, në krahasim me ushtrinë ruse. Ky është një fakt. Sa u përket pajisjeve ushtarake, ata humbin çdo ditë”, ka thënë Putin.

Pretendimet e asnjërës palë nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se ushtria ukrainase ka pësuar humbje, si në ushtarë, ashtu edhe në pajisje, ndërsa për palën ruse ka thënë se ka pak informacione në dispozicion.

Në një shkrim që ka publikuar Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington thuhet se “fortifikimet ruse në Ukrainë janë ndërmarrja më e madhe mbrojtëse e bërë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

“Ushtria ruse ka ndërtuar llogore, fusha të minuara dhe barriera të tjera për t’i ngadalësuar forcat ukrainase gjatë operacioneve sulmuese”, thuhet në publikimin që citon disa analistë ushtarakë.

Por, Instituti për Studime të Luftës vlerëson në një analizë të veten se është ende shumë herët të nxirren përfundime.

“Ukraina nuk e ka angazhuar ende shumicën dërrmuese të forcave të saj kundërsulmuese dhe mbrojtja ruse nuk është njësoj e fuqishme në të gjithë sektorët e vijës së frontit”, vlerëson instituti me seli në Uashington.

Kateryna Stepanenko, analiste në këtë institut, shpjegon për emisionin Expose të Radios Evropa e Lirë rreziqet dhe pasiguritë që e përcjellin kundërofensivën:

“Në rrezik është padyshim nisma e Ukrainës. Sa më gjatë që ukrainasit i ruajnë kapacitetet e tyre sulmuese, aq më mirë. Nëse ukrainasit nuk marrin mbështetje nga Perëndimi, pajisje nga Perëndimi dhe trajnim të personelit, ata mund të mos jenë në gjendje të sulmojnë me të njëjtat kapacitete. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse koha është gjithmonë në anën e Rusisë”.

“Rusia përfiton shumë nga koha, sepse ajo gjen mënyra për t’i shmangur sanksionet dhe për të gjetur pajisje dhe mikroçipe për prodhimin e raketave të reja. Rusia përfiton edhe nga moti. Për shembull, gjatë dimrit, ajo ka përdorur sulmet me raketa për të shënjestruar infrastrukturën e Ukrainës dhe për të demoralizuar shoqërinë ukrainase. Pranverën, ndërkaq, e ka shfrytëzuar për fortifikime kundër ofensivës. Pra, për të gjitha këto, ne duhet të sigurohemi që Ukraina ka kapacitete për t’i çliruar territoret e saj sa më shpejt që është e mundur”, thotë Stepanenko.

Zyrtarët e lartë të Pentagonit kanë parashikuar një betejë të gjatë dhe të dhunshme. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, ka thënë se do të ishte veprim i pamatur prej tij që të parashikonte kohëzgjatjen e kundërsulmit ukrainas, marrë parasysh se Rusia ka qindra mijëra trupa të grumbulluara në vija të frontit.

Ai e ka karakterizuar operacionin si “një luftë shumë të dhunshme” që “ka gjasa të marrë një kohë të konsiderueshme, bashkë me kosto të lartë”.

Çka e ngadalësoi kundërofensivën e Ukrainës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:09:42 0:00

Lajmet për kundërofensivën është vështirë të sigurohen. Dihet se ukrainasit po sulmojnë në tri pika: Bahmut, jug i Zaporizhjës dhe jug i Donjeckut, por udhëheqësit e tyre kanë refuzuar të specifikojnë se çfarë duan të arrijnë dhe kur.

Sipas ekspertëve, ata janë të kujdesshëm në ruajtjen e sigurisë operacionale, sepse, siç thonë, elementi i befasisë mund të jetë shpesh vendimtar.

Dmitri Alperovitch, nga Instituti Silverado Policy Accelerator, me seli në Uashington, thotë për Exposenë se një strategji e mundshme e Ukrainës mund të jetë shkatërrimi i urës tokësore që lidh Rusinë me Krimenë.

Kjo, sipas tij, do ta ndihmonte Ukrainën, sepse do ta bënte më të vështirë për Moskën që t’i koordinojë sulmet e saj me trupat në Krime. Por, edhe ky plan mund të jetë komplikuar, pasi shkatërrimi i digës Kahovka, në rajonin e Hersonit, i ka penguar forcat ukrainase të lëvizin në jug.

Jashtë kësaj, thotë Alperovitch, forcat ukrainase ndjejnë edhe një lloj presioni nga Perëndimi.

“Ukraina duhet të tregojë përparim. Ajo duhet t’u tregojë aleatëve perëndimorë se mund t’i rikthejë territoret, se mund t’iu shkaktojë dhimbje rusëve dhe në këtë mënyrë të vazhdojë të marrë ndihma ushtarake dhe fiananciare në sasi të mëdha. Nëse dështon, nuk do të thotë se ndihmat do të ndalen, por argumentet për sigurimin e tyre do të bëhet më të vështira”, thotë Alperovitch.

I pyetur se çfarë do të konsiderohej fitore për Ukrainën, Alperovitch, i cili ka përcjellë nga afër luftën, përgjigjet:

“Kjo është vështirë të përcaktohet, sepse edhe nëse Ukraina është shumë e suksesshme dhe rikthen çdo inç të territorit - jo vetëm brenda kufijve të vitit 2022, por edhe atyre të vitit 2014, duke përfshirë Krimenë, Luhanskun dhe Donjeckun, territore që Rusia i ka pushtuar para inkursionit të fundit - kjo nuk do të thotë se lufta do të përfundojë. Putini mund të vendosë që ta vazhdojë atë, edhe nëse përballet me disfata të mëdha, sepse ai e ka lidhur mbijetesën e tij, fuqinë dhe të ardhmen e tij me rezultatin e kësaj lufte”.

Stepanenko, nga Instituti për Studime të Luftës, beson se fati i luftës do të përcaktohet në fushëbetejë.

“Kjo luftë nuk do të përfundojë me Putinin duke propozuar negociata. Putini, në shumë raste, ka dhënë sinjale se nuk e ka ndërmend të negociojë, se do t’i ndjekë objektivat e tij. Kështu që, e vetmja mënyrë për Ukrainën që të fitojë, është të vazhdojë të luftojë për çlirimin e territoreve të saj, deri në atë pikë që Rusia nuk mund t’i ndjekë më qëllimet e saj maksimaliste të pushtimit”, thekson Stepanenko.

Stepanenko thotë se aleatët e Ukrainës, të cilët kolektivisht i kanë dhuruar asaj armë në vlerë prej miliarda dollarësh, mund të luajnë rol edhe më të madh.

“Perëndimi, defintivisht, mund të sigurojë më shumë armë për Ukrainën, me ritëm më të shpejtë, dhe jo të presë dëshmi nga Ukraina se mund t’ia dalë. Ukraina vazhdimisht ka kërkuar avionë strategjikë, të tillë si F16, që mund të jenë të dobishëm për mbrojtje, por edhe për kundërsulme”, thotë Stepanenko për Exposenë.

Perëndimi, me në krye Shtetet e Bashkuara, është zotuar vazhdimisht se do ta ndihmojë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, por ka hezituar në dërgimin e shumë pajisjeve të sofistikuara ushtarake, duke thënë se ato mund ta provokojnë Moskën.

Kundërofensiva e fundit e Ukrainës, vjeshtën e kaluar, ka rezultuar me rikthimin e mijëra kilometrave katrorë territore. Se si do të mund të duket suksesi kësaj here, mbetet të shihet.

XS
SM
MD
LG