Ndërlidhjet

Rezoluta nga seanca për liberalizimin e vizave pritet të votohet të enjten


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës ka ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme ku është diskutuar, për siç është thënë, dështimin e në procesin e liberalizimit të vizave. Seanca është thirrur nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Pas pesë orë diskutimesh, u vendos që rezoluta e propozuar nga opozita të votohet të enjten. Rezoluta e propozuar nga opozita e bën fajtore Qeverinë e Kosovës për mungesën e liberalizimit të vizave.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti tha se koalicioni qeverisës ka dështuar në punën e tyre. Kulmi i dështimeve të Qeverisë, sipas tij, është mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL dhe mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

“Po trumbetoni gjatë gjithë kohës se jeni për atë që Kosova mos të ndahet, por të gjitha zhvillimet jo vetëm në veri po shkojnë në drejtim të projektit të Serbisë. Ushtria jonë po bëhet, deputetë të nderuar, pos tjerash për të mbrojtur kufijtë e Kosovës, por ju jeni bërë rrezikuesit e Kosovës”, tha Hoti.

Kurse Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se Kosova nuk është as në rend të ditës, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Kjo është më e keqja. Kjo është simbolika e punës së kësaj qeveri në botë, ky është rezultati, mos me qenë as në rend të ditës”, tha Konjufca.

Por, Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

“Sa i përket liberalizimit të vizave ne e kemi përmbyllur këtë si shtet. Dhe nuk është mirë që të kritikojë opozita. Mendoj se është proces i ndarë procesi i përafrimit të Kosovës më Bashkimin Evropian, për të cilin proces në do të vazhdojmë rrugëtimin tonë dhe do të vazhdojmë edhe reformat si institucione”, tha Deliu- Kodra.

Sipas iniciuesve të seancës, në fund të saj kërkohet që të miratohet në rezolutë me tri pika. Pika e parë ka të bëjë me zhvillimin e bisedimeve në mes të forcave politike për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. E dyta, që Qeveria të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbëhet. Dhe pika e tretë, sipas opozitës, është që forcat politike të darkodohen që në këtë periudhë të mos dëmtohen proceset me rëndësi nacione, duke siguruar që të miratohen çështjet më urgjente përpara se të shpërbëhet Kuvendi, para se gjithash, të votohet pakoja e ligjeve për ushtrinë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG