Ndërlidhjet

Zaev mbron Marrëveshjen me Greqinë, opozita proteston para Kuvendit


Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë një fjalimi në Kuvend. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë një fjalimi në Kuvend. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka mbrojtur Marrëveshjen për emrin me Greqinë, duke e cilësuar atë si marrëveshjen më të mirë të mundshme për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar të emrit me fqinjin jugor.

Në fjalimin në seancën plenare për ndryshimet kushtetuese, që është edhe faza e fundit për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, Zaev tha se Athina më nuk do të bllokojë procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se me këtë marrëveshje, sipas tij, garantohet identiteti, gjuha dhe kultura maqedonase.

“Kemi konfirmim të kristaltë për identitetin maqedon. Greqia më nuk do të kontestojë të drejtën tonë për vetpërcaktim. Gjuha maqedonase do të përdoret gjithkund, në të gjitha institucionet, në Bashkimin Evropian, në NATO. Askujt asgjë nuk i kemi dhuruar. Ju bëjë thirrje që t’i demaskojmë të gjitha manipulimet. E gjithë bota thotë se me kjo marrëveshje paraqet dalje nga e kaluara dhe hapje e derës së të ardhmes. Pas mbylljes së këtij problemi, nuk do të kemi probleme të hapura me asnjë nga fqinjët tanë”, tha kryeministri Zaev.

“Të ngrihemi mbi ndasitë dhe ta shikojmë se si po valëvitet flamuri ynë në Bruksel. Vota juaj ‘për’ është votë për anëtarësimin e plotë dhe çdo votë ‘kundër’ është votë për izolim dhe pasiguri. Kishim proces gjithëpërfshirës në të gjitha fazat e amendamenteve kushtetuese”, u shpreh kreu i Qeverisë së Maqedonisë.

Seanca e Kuvendit do të vazhdojë të enjten, pasi shumica ende nuk është e sigurt nëse ka siguruar dy të tretat e votave të nevojshme për kalimin e ndryshimeve kushtetuese.

Opozita maqedonase nuk ka marr pjesë në seancë, pasi për ta marrëveshja është e dëmshme dhe kapitulluese, ndërsa ka nisur edhe protesta para Kuvendit të cilat do të zhvillohen gjatë tërë debatit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Kemi një proces për ndryshimin e Kushtetutës që synohet të arrihet përmes ndërrimit të emrit kushtetues, përmes pazareve politike, shantazheve e kërcënimeve të ndryshme pasi pushteti këtë nuk arriti ta bëjë në referendum i cili u hodh poshtë nga populli. Marrëveshja e arritur është e dëmshme dhe për ne do të jetë e papranueshme”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Një protestues, para Kuvendit të Maqedonisë, valëvitë flamurin e vjetër të Maqedonisë, teksa proteston kundër ndryshimit të emrit të vendit. Shkup, 9 janar, 2019.
Një protestues, para Kuvendit të Maqedonisë, valëvitë flamurin e vjetër të Maqedonisë, teksa proteston kundër ndryshimit të emrit të vendit. Shkup, 9 janar, 2019.

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet i paqartë për shkak të kërkesave të opozitës shqiptare për avancimin e pozitës juridike të shqiptarëve në shtet.

Ende nuk ka zgjidhje për kërkesën e Lëvizjes Besa, e cila veç tjerash kërkon ndryshime edhe në pjesën e shtetësisë apo dokumenteve personale. Ajo kërkon që të mos qëndroj grafa “maqedonas/shtetas i Maqedonisë së Veriut”, por vetëm shtetas, pa përcaktimin maqedonas, apo nëse qëndron ky përcaktim atëherë edhe bashkësitë etnike të kenë të drejtën e përcaktimit, si “shqiptar/shtetas i Maqedonisë së Veriut”.

Kompromisi i mundshëm mund të jetë ai që për shqiptarët në dokumentet e tyre personale të qëndron vetëm formulimi /shtetas i Maqedonisë së Veriut”.

“Gjithsesi se ne kemi mirëkuptim për atë që nënkupton përcaktim etnik të qytetarëve. Në ligjin kushtetues që është propozuar nga ana jonë shtetësia qëndron në formën /maqedonas/qytetar i Maqedonisë së Veriut dhe kjo nuk nënkupton përkatësinë etnike, pasi këtu kemi të bëjmë me shtetësinë dhe jo etninë. Por, nëse vlerësojnë se ekzistojnë formulime tjera që t’i japim të drejtën atyre që të përcaktohen si qytetar të Maqedonisë së Veriut dhe ne edhe këtë çështje do ta shqyrtojmë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Kreu i qeverisë ndërkohë ka njoftuar se ka pranuar disa kërkesa të Aleancës për Shqiptarët që kanë të bëjnë me preambulën, diasporën dhe tjetrën me Kosovën, e cila tani në Kushtetutë do të jetë shtet fqinj i Maqedonisë, pasi deri tani ajo nuk figuronte në aktin më të lartë juridik në vend.

“Fjalia e parë e Kushtetutës, preambula do të heqë padrejtësinë e definimit të gjërave, në formën e dy kategorive të qytetarëve, që i bënë qytetarët më të barabartë dhe tani gjithsecili e sheh veten më të përfaqësuar në Kushtetutë”, ka deklaruar kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Ndryshe, Marrëveshja për emrin zhbllokon procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, që ishte bllokuar nga Greqia e cila e kishte kushtëzuar me ndryshimin e emrit të shtetit. Por, që marrëveshja të jetë e përfunduar duhet të miratohet edhe në Parlamentin e Greqisë.

XS
SM
MD
LG