Ndërlidhjet

Sfida e amendamenteve kushtetuese


Deputetët e opozitës maqedonase bojkotuan votimin për ndryshimet kushtetuese duke qëndruar në këmbë. Shkup, 19 tetor, 2018.
Deputetët e opozitës maqedonase bojkotuan votimin për ndryshimet kushtetuese duke qëndruar në këmbë. Shkup, 19 tetor, 2018.

Pas kalimit të fazës së parë të ndryshimeve kushtetuese, të hënën në Kuvendin e Maqedonisë pritet të nisë debati mbi hartimin e amendamenteve, me propozim të Qeverisë, por me përfshirjen e të gjitha grupeve parlamentare, me qëllim siç thonë, të arritjes së një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha partitë.

Amendamentet duhet të jenë në përputhje me Marrëveshjen me Greqinë për emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut. Do të ndryshohen katër amendamente, përfshirë edhe preambulën për të hequr emrin Maqedoni dhe mbiemrin maqedonas nga të gjitha nenet e Kushtetutës, por edhe element të tjerë që bien në kundërshtim me marrëveshjen e arritur më 17 qershor në Prespë. Me këtë marrëveshje, përfundimisht Maqedonia do të zgjidhë kontestin 27-vjeçar me Greqinë, e cila nga ana tjetër, do të heqë veton për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Republika e Maqedonisë është më afër anëtarësimit të saj në NATO dhe Bashkimin Evropian. Janë krijuar kushte për mbështetje edhe më të madhe në Kuvend për rrugën në të cilën është nisur Maqedonia, zbatimin e Marrëveshjes mes Greqinë, reformat e tjera të domosdoshme dhe anëtarësimin e vendit në institucionet euroatlantike, një ëndërr e kamotshme e popullit tonë”, ka deklaruar Aleksandar Kiracovski nga Lidhja Social-Demokrate duke i bërë thirrje deputetëve që të mbështesin edhe fazën e dytë të ndryshimeve kushtetuese, në veçanti ata të cilin nuk kishin votuar propozimin e Qeverisë për qasje në ndryshimet kushtetuese.

“I bëjmë thirrje që në mënyrë aktive të përfshihen në hartimin e amendamenteve, me qëllimin e vetëm që bashkërisht të arrijnë një zgjidhje kombëtare, një zgjidhje të përbashkët që do të ishte në interesit të kombit dhe shtetit. Shpresoj që opozita do t’i kapërcejë problemet partiake brenda saj dhe interesat kombëtare do t’i vendos mbi ato personale, që të mund të ecim përpara drejt familjes evropiane”, ka deklaruar Kiracovski.

Nga opozita kanë thënë se mbeten në qëndrimin se “marrëveshja është e dëmshme për identitetin, gjuhën dhe qenien maqedonase në përgjithësi”, andaj edhe nuk do të mbështesin asnjë fazë të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa bëjnë thirrje “të respektohet vullneti i popullit në referendumin më 30 shtator, të cilin rreth 70 për qind e popullatës e bojkotuan si shprehje e revoltës me marrëveshjen kapitulluese”.

Njohësit e çështjeve politike thonë se faza e parë e ndryshimeve kushtetuese ishte më e vështira për t’u arritur, për shkak se pushteti nuk kishte numrin e mjaftueshëm prej dy të tretave. Por, edhe faza e dytë sipas tyre nuk do të jetë e lehtë, për shkak të kundërshtimeve që mund të dalin për amendamentet, por nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë ndryshimi të qëndrimit të atyre që i dhanë mbështetje fazës së parë.

“Nuk pres që e gjithë kjo do të kalojë aq lehtë duke e marrë parasysh gjendjen e përgjithshme politike në vend. Së pari kemi një opozitë e cila mund të paraqesë kërkesa tjera, dhe kjo është e drejtë e saj legjitime. Një grup i deputetëve që i dhanë mbështetje fazës së parë do të dalin me amendamente dhe kjo, por edhe kërkesa tjera, mund të jenë pengesa në procesin e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes”, ka deklaruar Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike.

“Këtu nuk duhet të harrohet se edhe te një pjesë e partive politike shqiptare, në veçanti te krah i Besës që udhëhiqet nga Bilall Kasami dhe partia e Ziadin Selës janë paraqitur apetite për ndryshimin e Kushtetutës edhe në pjesët tjera që nuk kanë të bëjnë me Marrëveshjen me Greqinë. Edhe kjo mund të jetë pengesë në procesin e mëtejmë dhe këtu sërish mund të vijnë në shprehje numrat në Kuvend”, thotë Dujoski.

Në fakt, partitë opozitare shqiptare do të intervenojnë me disa amendamentet për zgjidhjen sipas tyre të çështjeve që kanë të bëjë me shqiptarët. Aleanca për Shqiptarët dhe njëri krah i Lëvizjes Besa, kërkojnë që shqiptarët në Kushtetutë të jenë popull shtetformues, ndërsa gjuha shqipe të mos trajtohet si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës, por si gjuhë shqipe e barabartë me gjuhën maqedonase.

XS
SM
MD
LG