Ndërlidhjet

Ndryshimet kushtetuese përçajnë VMRO-DPMNE-në



Deputetët e VMRO-së qëndrojnë në këmbë, duke bojkotuar kështu votimin për ndryshimet kushtetuese. Shkup, 19 tetor, 2018.
Deputetët e VMRO-së qëndrojnë në këmbë, duke bojkotuar kështu votimin për ndryshimet kushtetuese. Shkup, 19 tetor, 2018.

Pas përjashtimit të shtatë deputetëve që votuan ndryshimet kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja ka shkarkuar nga të gjitha funksionet edhe nënkryetarin e partisë, Mitko Jançev, si dhe anëtarin e kryesisë, Konstadin Bogdanovski, të cilët kishin qëndrime të kundërta nga kreu partiak për të mos votuar ndryshimet kushtetuese dhe për të mos marr pjesë në referendumin më 30 shtator.

Veç kësaj, komitetit ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së opozitare ka vendosur t’i kërkojë organeve tjera të partisë shkarkimin edhe të Sasho Mijallkovit dhe të ish-ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov.

Në mbledhjen e komitetit qendror, të shkarkuarit janë akuzuar për bashkëpunim me pushtetin, duke dëmtuar interesat partiake dhe shtetërore.

“Për shkak të veprimit të tyre kundër interesave të VMRO-DPMNE-së dhe të Maqedonisë, për shkak të bashkëpunimit të fuqishëm me Zoran Zaevin dhe organizimit të grupit për presione, shantazhe, kërcënime dhe blerje të deputetëve të VMRO-së dhe të koalicionit, me qëllim votimin e ndryshimeve kushtetuese duke shfrytëzuar metoda të ulëta, Komitetit qendror ka vendosur shkarkimin e nënkryetarit të partisë, Mitko Jançev dhe të anëtarit të komitetit ekzekutiv, Konstadin Bogdanov".

"Gjithashtu, nga komitetet vendore është kërkuar largimi nga partia i Sasho Mijallkovit dhe Nikolla Dimitrovit... këta janë në bërë pjesë e koalicionit kriminal me Zoran Zaevin, dhe unë uroj këtë koalicion të ri, mes Zoran Zaevit, Vice Zaevit (vëllait të kryeministrit Zaev) dhe Sasho Mijallkovit”, ka deklaruar nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski.

Ai tha se me këto vendime “VMRO-DPMNE-ja nuk është më ajo e djeshmja, përkatësisht VMRO-ja i jep fund hipotekave nga e kaluara dhe do të vazhdojë fuqishëm si e reformuar dhe unike në idetë se saj për Maqedoninë”.

Maqedonia në "prapa kthehu"
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:12:26 0:00

Shtatë deputetët e përjashtuar paraprakisht dhe tani Sasho Mijallkov, aktualisht po gjykohen për shumë vepra të rënda, si terrorizëm për dhunën në Kuvend si dhe keqpërdorime të shumta financiare dhe dhunë e kërcënime ndaj kundërshtarëve politikë. Mijallkov në kohën e qeverisjes së VMRO-së, si drejtues i policisë sekrete, konsiderohej njeriu më i fuqishëm në Maqedoni. Tani për të evituar pasojat e proceseve gjyqësore, ai akuzohet se ka organizuar grupin e deputetëve, po ashtu të akuzuar, për të mbështetur ndryshimet kushtetuese.

Por, një nga deputetet, Elizabeta Kançevska-Milevska, ka hedhur poshtë akuzat duke theksuar se vota e saj për ndryshimet nuk ka të bëjë as me shuma të majme parash e as me heqjen e mundshme të padive për shpërdorim të detyrës në kohën kur ishte ministre e Kulturës.

“Vendimin për të votuar e kam marr pa presione e kërcënime nga asnjëra palë. Në asnjë moment nuk e kam tradhtuar partinë, përkundrazi angazhimi im ishte për fuqizimin e peshës së saj. Unë kam votuar që të na jepet mundësi që të ndërhyjnë me amendamente në fazën e dytë të ndryshimeve kushtetuese, për të përmirësuar marrëveshjen e arritur”, ka deklaruar Kançevska, duke theksuar se me këto veprime kreu partiak po dëmton partinë duke e çuar drejt izolimit dhe shkatërrimit të mëtejmë.

Vendimi i deputetëve të VMRO-së që votuan ndryshimet kushtetuese është kritikuar edhe nga presidenti, Gjorge Ivanov.

Ai në një komunikatë për media ka thënë se “në referendumi populli hodhi poshtë Marrëveshjen e Prespës dhe këtë Kuvendi duhej ta respektonte, por shumica e të zgjedhurve të popullit vepruan në kundërshtim me vullnetin e tij”.

Por, vendimi i deputetëve është përshëndetur nga komuniteti ndërkombëtar i cili në vazhdimësi ka kritikuar qëndrimin e VMRO- DPMNE-së për të kundërshtuar Marrëveshjen me Greqinë dhe ndryshimet kushtetuese. Qëndrimet e opozitës në veçanti janë kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që veprimin e saj e ka quajtur “dëshpërues”.

Gjatë qëndrimit të hënën në Maqedoni, zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështje Evropiane, Matthew Palmer ka refuzuar të takohet me liderin e opozitës, Hristijan Mickovski, me arsyetimin “se me të nuk ka se për çfarë të bisedoj më”.

VMRO-DPMNE-ja ka kundërshtuar zëshëm Ligjin për gjuhën shqipe dhe Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit. Për shkak të arritjes së kësaj marrëveshjeje, kjo parti ka kërcënuar me përjashtim edhe nga Partia Popullore Evropiane, ku bëjnë pjesë thuajse të gjitha partitë demokristiane nga shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet kandidate.

XS
SM
MD
LG