Ndërlidhjet

Ndryshimet kushtetuese, opozita me amendamente për gjuhën shqipe


Mural në Shkup - Foto ilustruese

Ndryshimet kushtetuese që pritet të miratohen për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut, kanë aktualizuar kërkesat e opozitës shqiptare për ndërhyrje edhe në disa nene tjera të Kushtetutës me qëllim, siç thonë ata, avancimin e pozitës shqiptare në shtet.

Në Kushtetutën aktuale gjuha shqipe askund nuk përmendet si gjuhë e dytë zyrtare, por si gjuhë e ndryshme nga maqedonishtja, e të cilën e flasin mbi 25 për qind e popullatës në vend. Veç kësaj, në preambulë, shqiptarët përmenden si pjesë e popullit shqiptar që jeton në Maqedoni dhe jo si popull autokton, apo shtet-formues siç kërkojnë partitë opozitare.

Aleanca për Shqiptarët që drejtohet nga Zijadin Sela dhe njëri krah i lëvizjes Besa, kërkojnë që këto pjesë të Kushtetutës të ndryshohen dhe qartë të përkufizohet se gjuhë zyrtare në Maqedoni është edhe gjuha shqipe, siç duhet të rregullohen edhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Ashtu siç ne kemi pasur dhe kemi mirëkuptim për identitetin dhe gjuhën e bashkëqytetarëve tanë, njëjtë edhe deputetët e subjekteve politike maqedonase duhet të kenë mirëkuptim për gjuhën tonë. Gjuha jonë nuk mund të quhet gjuhë e ndryshme nga maqedonishtja, ajo duhet të jetë gjuha shqipe, ashtu siç është dhe ashtu siç i takon. Ne nuk do të heqim dorë nga amendamentet tona dhe me to synojmë që shteti të jetë më i drejtë dhe Kushtetuta të promovojë vlera dhe të japë liri dhe jo t’i sanksionojë ato”, ka deklaruar Sela.

Veç partive opozitare kërkesa të tilla janë paraqitur edhe nga Forumi i intelektualëve shqiptarë dhe diaspora shqiptare.

“Mendoj se është një moment ideal që të faktorizohen deputetët dhe përfaqësuesit tanë politikë dhe jo të shfrytëzohen vetëm si një makineri votuese. Dihet tashmë se cilat janë kërkesat e shqiptarëve dhe unë mendoj se tani është momenti që të hiqet përdorimi i gjuhës shqipe dhe i shqiptarëve në Kushtetutë si popull prej 25 për qind, apo gjuhë të cilën e flasin mbi 25 për qind e qytetarëve në vend".

"Shqiptarët në Kushtetutë duhet të përfshihen si element konstitutiv i shtetit apo të jenë shtetformues. Kjo arrihet vetëm me një këmbëngulësi dhe bashkëpunim mes subjektit politik shqiptar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, përfaqësues i intelektualëve shqiptarë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë, kërkesat e opozitës i kanë quajtur të motivuara për fitimin e pikëve politike, pasi, sipas BDI-së, “amendamente mund të dorëzohen vetëm për nenet që propozohen për ndryshim e jo në nene tjera”.

“Ky folklorizëm i partive të vogla me fjalë të mëdha flet për mungesën e identitetit partiak, politik dhe shfaq mosnjohurinë, mungesën e kreativitetit dhe përpjekjen e dështuar për t’u faktorizuar nëpërmjet derës së vogël...”, thonë nga BDI-ja.

Çështja e mosdefinimit të qartë të gjuhës shqipe në Kushtetutë sikur edhe e Ligjit për përdorimin e saj zvarritet me vite dhe për këtë nga Forumi i Intelektualëve Shqiptarë fajësojnë partitë politike.

Përfaqësuesit shqiptarë në Kuvend nuk kanë një vizion për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por ata më tepër janë të orientuar në kërkesat individuale. Ky është problemi më i madh i përfaqësuesve tanë politikë. Pala tjetër e ka mësuar këtë mentaliteti të tyre dhe ua plotëson të gjitha kërkesat por jo edhe kur janë në pyetje ato kolektive, ku ngec çdo gjë”, thotë Pollozhani.

Ai shton se pavarësisht se me Marrëveshjen e Ohrit është e përcaktuar termi 25 për qind, kjo sipas tij mund të ndryshohej sikur partitë të kishin para vetes interesat kombëtare.

Partitë shqiptare në kohën e krizës së thellë politike kishin nënshkruar një deklaratë të përbashkët politike të njohura si “Platforma e Tiranës”, përmes së cilës kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, por kjo deklaratë më tepër ka shërbyer për konfrontimin e tyre se sa për zbatimin e angazhimeve, për të cilat ishin marrë vesh.

Ndryshe, Qeveria të hënën pritet të dorëzojë përmbajtjen e amendamenteve kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes së emrit, me të cilat pritet zhbllokimi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG