Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Rezultati në zgjedhjet lokale çoi në përçarjen e partisë Besa


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë

Përplasjet politike në partinë opozitare shqiptare, Lëvizja Besa që çuan në ndarjen e saj në dy blloqe, vlerësohen se nuk janë vetëm rrjedhojë e rezultatit të fundit në zgjedhjet lokale, por edhe rezultat i mos konsolidimit të kësaj partie dhe veprimit politik të saj pas zgjedhjeve parlamentare të para një viti, kur BESA arriti të bëhej forca e dytë politike në bllokun shqiptar në Maqedoni.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar zënkat në dy blloqet, atë të Tetovës me në krye Bilall Kasamin i shkarkuar nga detyra nga fraksioni i njohur me emrin, grupi i Shkupit që ka pas vetes pjesën dërrmuese të anëtarëve organeve drejtuese të partisë.

Jonuz Abdullahu ligjërues i shkencave politike s në Universitetin e Evropës Juglindore tha për Radion Evropa e Lirë se problemi i mos konsolidimit të partive politike qëndron në gjenezën e vetë formimit të tyre.

“Kjo që ndodh në Lëvizjen Besa është një produkt që del nga ai brumi i partive politike shqiptare që është i përzier me anëtarë nga taborë të ndryshëm dhe tani ata i përçanë interesi”, tha Abdullahu.

“Te partitë politike mungon ideologjia, por në rend të parë është interesi, edhe atë interesi personal, dhe jo interesi shoqërorë. Dhe e dyta, ende nuk ekziston llogaridhënia, pra mungojnë mekanizmat e llogaridhënies nga lidershipi i cilësdo partie politike, në veçanti tek ato shqiptare. Është koha që çdo lider i cili i humbë zgjedhjet, qofshin ata lokale apo parlamentare, të përshëndet me drejtimin e partisë”, tha Jonuz Abdullahu.

Zyrtarisht përplasjet janë rezultat i mosmarrjes së përgjegjësisë nga kryetari i shkarkuar, Billall Kasami për rezultatin zgjedhor, përfshirë edhe humbjen e tij në garën për kryetar të komunës. Derisa Kasami kishte refuzuar të jap dorëheqje, pavarësisht se këtë akt e kishte premtuar në rast të humbjes. Ndërkohë që nënkryetari i partisë, Zeqerija Ibrahimi, kishte ofruar dorëheqje pas disfatës në Çair.

Njohësit e çështjeve politike thonë se opozita duhet të konsolidohet sa më parë pasi shqiptarët kanë nevojë për një parti e cila do të ishte korrigjuese e veprimeve të partisë në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Natyrisht se edhe pas kongresit është e pritshme që Lëvizja Besa, si parti të përfundojë me dy grupime, të cilët do të pretendojnë se janë në të drejtë. Mendoj se në këtë shqetësim të Besës si parti, ka gisht edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që tenton që me një entuziazëm të paparë çdo ide politike shqiptare ta copëtojë, grimcojë dhe minimizojë”, tha Alajdin Demiri njëkohës i çështjeve politike.

“Por njëherësh krijohet dhe teren për homogjenizimin e një politike sepse një pjesë e Besës do të duhet të bashkohet me një pjesë tjetër të opozitës, që do të jetë një epilog i përgjithshëm i kësaj situate”theksoi Alajdin Demiri.

Ndryshe Lëvizja Besa ka grup parlamentar me pesë deputetë në Kuvendin e Maqedonisë, por edhe ata janë ndarë në dysh pas përplasjeve partiake. Përveç Lëvizjes Besa, si parti opozitare tani vepron edhe Aleanca për Shqiptarët me dy deputetë.

Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Zijadin Sela deri tani ishte pjesë e pushtetit, por për shkak të mospajtimeve lidhur me ndarjen e posteve në ekzekutiv, por edhe përplasjeve të vazhdueshme me BDI-në për të kaluarën e saj me VMRO DPMNE-në, kjo parti ka vendosur të veproj si opozitë.

Në zgjedhjet lokale Besa dhe Aleanca për Shqiptarët ishin në koalicion përballë BDI-së e cila kishte mbështetjen e LSDM-së në disa komuna.

XS
SM
MD
LG