Ndërlidhjet

Liberalizimi i vizave çështje e ‘kryer’


Qytetarët duke pritur për viza para ambasadës hungareze, foto nga arkivi
Qytetarët duke pritur për viza para ambasadës hungareze, foto nga arkivi

Institucionet e Kosovës nuk presin befasi nga Bashkimi Evropian kur është në pyetje liberalizimi i vizave. Në Qeverinë e Kosovës, por edhe në instancat tjera shtetërore, besojnë fuqishëm se nga fundi i këtij viti qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm dhe pa viza në zonën Schengen.

Sipas zyrtarëve në Prishtinë, Kosova ka kryer pjesën e vet të përmbushjes së kritereve dhe se tani ‘topi ka mbetur në fushën e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare’ që të marrin vendimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pritjet janë reale dhe sipas saj, për këtë optimizëm është punuar shumë.

"Optimizmin e bazojmë në punën që është bërë sepse me të vërtetë kemi bërë një punë të madhe, por gjithashtu [optimizmi ] bazohet në kontaktet tonë në deklaratat e zyrtareve të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Para disa ditës ditësh e patë në Kosovë raportuesin e Kosovës në Parlamentin Evropian zotin Soltes i cili edhe vet deklaroi se është optimist se liberalizimi do të ndodh deri në fund të vitit", tha Hoxha.

Pas disa takimeve me përfaqësuesit politikë dhe ata të shoqërisë civile, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes pak ditë me parë ka shprehur optimizmin e tij se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të mundësohet nga fundi i këtij viti.

Ministrja e Integrimit, tha se institucionet e Kosovës në përgjithësi dhe Ministria e Integrimit në veçanti kanë punuar, me një ritëm të shpejt në plotësimin e kritereve të mbetura për liberalizim nga Bashkimi Evropian.

"Kemi progres shume të madh që është bërë në këtë fushë. Por, nuk duhet ta ndërlidhim luftimin e krimit dhe të korrupsionit në mënyrë të përgjithshme, pra për procesin e integrimit evropian sepse aty do të kërkohet edhe më shumë. Këtë duhet bërë më shumë edhe për qytetarët tanë, për ta fuqizuar sundimin e ligjit", tha Hoxha.

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe gazetarë të ndryshëm të Kosovës, i kanë shkruar tashmë një letër të hapur Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, përmes së cilës kanë kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë letër ata kanë numëruar edhe arsyet pse qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që edhe më tutje të mbesin populli i vetëm i izoluar në rajon.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se në drejtim të procesit të liberalizmit të vizave, Kosova ka bërë punë, por siç thotë ai, ende duhet të ketë kujdes në deklarimet që bëhen nga ana e zyrtarëve qeveritarë.

"Do të isha më i rezervuar, thënë ndryshe nuk është që nuk e ndaj mendimin e njëjtë me zyrtarët në shumë aspekte, për hir të asaj që të jemi të kujdesshëm në gjithë atë se çka flasim dhe çka i premtojmë opinionit publik, qytetarët edhe ashtu janë te lodhur me këto premtime, mendoj se do të isha më i rezervuar se megjithatë vendimmarrja varet BE-ja nga shtet anëtare , duke përfshirë edhe Spanjën e cila duhet të analizohet me kujdes", tha Ujkani.

Megjithatë, thotë profesori Ujkani, një shtyrje e procesit të liberalizmit të vizave për vitin 2019 do të ishte katastrofike për Kosovën.

"Për arsye se në vitin 2019 Parlamenti Evropian, hyn në zgjedhje dhe legjislatura e re nuk mund të konstituohet dhe realisht nuk pres një vendimmarrje as në vitin 2019",tha Ujkani.

Gjatë muajit qershor, pritet që BE-ja të japë vlerësimin e parë rreth kritereve të përmbushura. Ndër kriteret kyçe është ai i dëshmive se Kosova po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nëse organet e BE-së rikonfirmojnë vullnetin e tyre për liberalizim të vizave, më pas u mbetet edhe vendeve anëtare të BE-së që të japin vendimet e tyre.

Pritjet nga institucionet e Kosovës janë që këto procedura në BE të përmbyllen deri në fund të këtij viti.

XS
SM
MD
LG