Ndërlidhjet

Soltes: Jam optimist se liberalizimi i vizave mund të ndodhë në fund të vitit


Igor Soltes gjatë konferencës me gazetarë në Prishtinë
Igor Soltes gjatë konferencës me gazetarë në Prishtinë

Në Parlamentin Evropian ka disponim të mirë për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka deklaruar raportuesi për Kosovën, Igor Soltes. Këto komente, ai i ka bërë në Prishtinë gjatë një konference për gazetarë pas takimeve që zhvilloi me përfaqësuesit politikë dhe ata të shoqërisë civile. Aty ai është shprehur optimist se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të mundësohet nga fundi i këtij viti.

Por, me gjithë disponimin pozitiv në Parlamentin Evropian, Soltes tha se do të jetë shumë i rëndësishëm vlerësimi që Komisioni Evropian pritet ta japë këtë muaj.

“Liberalizimi i vizave është vonuar, por nuk duhet fajësuar vetëm Bashkimi Evropian në këtë drejtim, ngase Kosova është dashur të përmbushte këtë synim qysh para dy viteve bashkë me Gruzinë dhe Ukrainën”, tha Soltes.

“Ne në Parlamentin Evropian jemi në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Por, kjo varet shumë edhe nga raporti i Komisionit Evropian në lidhje me këtë çështje, i cili pritet të bëhet publik këtë muaj”, tha tutje Soltes.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi dhe presim që të ketë vendime pozitive muajt e ardhshëm. Por, nuk varet vetëm nga Parlamenti Evropian sepse ka edhe aktorë të tjerë që kanë rolin kyç në këtë proces”, u shpreh Soltes.

“Shpresoj që rekomandimet nga Komisioni Evropian do të jenë pozitive dhe ky do të ishte një mesazh i rëndësishëm për dhënien e dritës së gjelbër për liberalizimin e vizave. Sinqerisht shpresoj se kjo do të ndodhë deri në fund të këtij viti”, tha raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Si raportues për Kosovën, Soltes tha se ka për detyrë që të përgatisë rezolutën për Kosovën në Parlamentin Evropian.

“E kuptojmë që ka pritje mjaft të mëdha nga kosovarët për liberalizimin e vizave pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Po ashtu, mendoj se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin në mënyrë që edhe ata ta shijojnë të drejtën e lëvizjes pa viza”, tha ai.

Ai ka rikujtuar edhe shumë detyra që janë para institucioneve të Kosovës, sidomos nga fusha e sundimit të ligjit.

“Para së gjithash në lidhje me sundimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reforma e gjyqësorit dhe pavarësinë e prokurorëve e gjykatësve”, tha Soltes.

Një çështje tjetër me rëndësi, sipas tij, është edhe ajo e transparencës e cila duhet të përfshijë të gjitha institucionet publike.

“Kuvendi, Qeveria dhe të gjitha institucionet duhet të jenë transparente në vendimet e tyre. Njëherësh edhe marrëveshjet ndërkombëtare duhet që të diskutohen në Kuvendin e Kosovës”, tha Soltes.

Ndër çështjet me rëndësi që kanë të bëjnë me Kosovën dhe perspektivën e saj evropiane, Soltes ka përmendur edhe dialogun me Serbinë.

“Dialogu duhet të vazhdojë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe shpresojmë që të arrihet një përfundim i suksesshëm përmes një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët”, tha ai.

Gjatë kësaj vizite, eurodeputeti nga Sllovenia Igor Soltes tha se ka diskutuar për të gjitha zhvillimet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova aktualisht në rrugën e saj të integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG