Ndërlidhjet

Lista Serbe në pritje të vendimit të Vuçiqit


Dekorimi i Mitrovicës së Veriut në prag të vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq - Foto nga arkivi.
Dekorimi i Mitrovicës së Veriut në prag të vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq - Foto nga arkivi.

Mundësia e braktisjes në tërësi e institucioneve brenda sistemit të Kosovës, e cila është paralajmëruar nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në takimin e tyre me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Beograd, është formë e presionit nga autoritetet e Serbisë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por edhe ndaj Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, subjekt ky politik, i cili përfaqëson serbët e Kosovës në institucionet qendrore dhe lokale, kanë theksuar se kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe nga Qeveria e Serbisë, që të mbështesin vendimin e tyre për braktisjen në tërësi të institucioneve të Kosovës.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se deklaratat e përfaqësuesve të Listës Serbe, por edhe autoriteteve të Beogradit, që ndërlidhen me mundësinë e braktisjes së sistemit të Kosovës nga serbët, shprehin qëndrim kryekëput politik, për ta vënë Kosovën para aktit të kryer.

“Braktisja po shfrytëzohet si presion ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe të Kosovës. Por, unë mendoj që braktisja mund të vijë vetëm para ndarjes së Kosovës ose para përcaktimit të kufirit të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një presion i aktit të kryer".

"Por, në asnjë variant nuk mund të vjen si një platformë politike e Vuçiqit dhe Listës Serbe për ta ndërtuar pushtetin paralel në Kosovë, sepse ky pushtet (paralel) është hequr me vullnet në bisedimet e Brukselit, është pranuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe është pranuar nga popullata serbe e Kosovës, si dhe nga vetë Serbia. Për këtë arsye e kemi edhe inkuadrimin në polici, gjyqësi dhe në institucionet tjera”, thekson Tahiri.

Në anën tjetër, nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, pas takimit që kishin përfaqësuesit serbë me presidentin Vuçiq, kishte deklaruar për mediat serbe se nuk është propozuar vetëm braktisja e institucioneve nga përfaqësuesit politikë, por i tërë sistemit të Kosovës nga serbët që jetojnë aty.

“Rekomandimi ynë, i të gjithë përfaqësuesve, nga veriu dhe nga jugu i Kosovës, ka qenë që të braktisen institucionet e Kosovës dhe jo vetëm përfaqësuesit politikë, por të gjithë serbët që janë në këto institucione, t’i braktisin ato. Por, presidenti i Serbisë ka kërkuar nga ne që të presim për një vendim të tillë dhe se ai është për gjetjen e një zgjidhje të qetë”, ka thënë Jevtiq.

Ndërkaq, Veroljub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që braktisja e sistemit të Kosovës nga të gjithë serbët lokalë, do të ishte mision i pamundur.

“Mendoj që është e pamundur. Më shumë mendoj që ky është një ‘balon provues’ që të tregohet se deri ku është e gatshme të shkojë elita politike serbe, deri në cilin kufi, që të thuhet se cila është vija e kuqe. Propozimi për braktisje, sipas mendimit tim, i ka dy qëllime”.

“Qëllimi i parë është që të shohë se si do të reagojë bashkësia ndërkombëtare dhe qëllimi i dytë është të shohë se si do të reagojë vet popullsia dhe ata që janë të punësuar në institucionet e Kosovës. Është vështirë të realizohet një ide e tillë, për shkak se shumë serbë, të punësuar në institucionet e Kosovës, janë në kredi. Për tu realizuar braktisja, për ta lënë punën, ata duhet fillimisht t’i pastrojnë llogaritë e tyre. Nuk besoj që ka mekanizma të drejtë që mund ta zbatojnë këtë”, thotë Petroniq.

Megjithatë presidenti serb, Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe, ka theksuar se i ka lutur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që të kenë durim edhe 45 ditë, për të marrë një vendim.

Njohësit e zhvillimeve politike kanë parashikime të ndryshme lidhur me një përgjigje të Vuçiqit.

Politologu Tahiri, shpreh mendimin që presidenti serb do ta zvarrisë përgjigjen lidhur me propozimin e Listës Serbe për ta braktisur sistemin e Kosovës.

“Unë konsideroj që gjasat janë që (Vuçiq) të kërkojë edhe një periudhë shtesë, edhe 45 ditë. Ekziston rreziku ose ekzistojnë gjasat që, nëse presidenti Vuçiq e vlerëson që është e drejtë ose e pranueshme politikisht, atëherë mund t’i udhëzojë që ta bëjnë këtë punë (të braktisin institucionet e Kosovës). Por, kjo do të thoshte një konfrontim me shtetin e Kosovës dhe me bashkësinë ndërkombëtare”,vlerëson Tahiri.

Ai shton se braktisja e institucioneve të Kosovës nga serbët është e mundur vetëm si shprehje e mosdëgjueshmërisë qytetare, por me kërkesa që duhet të jenë në harmoni me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, me Kartën Evropiane për pushtetin lokal, si dhe në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkaq, Petroniq vlerëson që afati që ka kërkuar Vuçiq për një përgjigje ndaj përfaqësuesve politikë serbë të Kosovës, ndërlidhet me zhvillimet në Bashkimin Evropian.

“Ka kërkuar 45 ditë për të dhënë një përgjigje përfundimtare, thjesht, që të shohë se si do të reagojë bashkësia ndërkombëtare. Por, sa shoh unë, e gjithë kjo është ndërlidhur për shkak të afatit të zgjedhjeve në institucionet evropiane dhe që kjo të përfundojë para këtyre zgjedhjeve. Pra, synon që të arrihet një marrëveshje pararendëse çfarëdo qoftë ajo, për normalizimin e marrëdhënieve, i cili është parakusht për pranim të ndërsjellë”, thekson Petroniq.

Megjithatë, ai vlerëson që edhe në rast se Beogradi zyrtar do të kërkojë nga serbët e Kosovës të braktisin sistemin e saj, shumica e tyre që janë të punësuar brenda këtij sistemi, do të vendosin vetë nëse do ta bëjnë këtë ose jo.

XS
SM
MD
LG