Ndërlidhjet

Rrezikimi i Kosovës nga lufta në Ukrainë


Një qytetar serb duke mbajtur fotografinë e presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë një proteste në Mitrovicën e Veriut më 23 shkurt 2008.
Një qytetar serb duke mbajtur fotografinë e presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë një proteste në Mitrovicën e Veriut më 23 shkurt 2008.

Deputetë dhe njohës të fushës së sigurisë në Kosovë paralajmërojnë se pushtimi rus në Ukrainë, mund të ketë ndikim në sigurinë e Kosovës, veçmas në pjesën veriore të vendit.

Në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, Rusia nisi, atë që e përshkroi si “operacion ushtarak” për “çmilitarizimin” e Ukrainës, teksa autoritetet në Kiev shpallën gjendje lufte dhe u zotuan se do të luftojnë për lirinë e shtetit. Perëndimi i dënoi veprimet ruse dhe i cilësoi si uverturë për pushtim të plotë.

Anton Çuni, ish-ministër i Mbrojtjes, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia mund të kërkojë që ta zhvendosë vëmendjen nga pushtimi që ka nisur në Ukrainë, dhe veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, sipas tij, mund të jetë një vend për ta bërë këtë.

“Është fakt që Rusisë tani i intereson shpërqendrimi nga situata që po ndodh në Ukrainë dhe të zhvendoset në ndonjë lokacion tjetër gjeografik dhe këtu ekzistojnë parakushtet, që me ushqimin e ndjenjave nacionaliste te serbët, të eskalojë situata në veri të vendit”, thotë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni.

Ai paralajmëron se kriza në Ukrainë mund të shtyjë Serbinë që të bëhet pjesë e agjendës së Rusisë.

“Akti i agresionit të Rusisë në Ukrainë, mund t’i motivojë autoritetet në Serbi që të dalin jashtë veprimeve politike, për të cilat ata janë zotuar që do të punojnë për normalizimin e situatës dhe parapërgatitjet për dialogun përfundimtar”, thotë Çuni.

Serbia vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës edhe 14 vjet pas shpalljes së saj. Rusia, një nga mbështetëset më të mëdha të Serbisë në arenën ndërkombëtare, e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Raketat dhe bombarduesit rusë godasin objektivat ukrainase
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, ndan mendimin se veprimet ushtarake ruse në Ukrainë mund të përdoren nga Serbia, që tí nisë forcat drejt veriut të Kosovës.

“Është një rrezikshmëri për ne nëse Beogradi zyrtar ndikohet me këtë çfarë ndodhi në Ukrainë dhe të përgatisë dhe të kryejë një "blitzkrieg" ushtarak [luftë e shkurtër] në pjesën veriore të Kosovës. Me të gjithë këta parametra që ka vepruar Rusia në rajonet Donjeck dhe Luhansk, kështu ka vepruar pala serbe mbi 20 vjet në Kosovë për të destabilizuar pjesën veriore të Kosovës”, thotë Qehaja, duke iu referuar dy rajoneve në lindje të Ukrainës, që kontrollohen nga separatistët pro-rusë.

Për mundësinë që konflikti në Ukrainë të zgjerohet edhe në Ballkanin Perëndimor, ka folur Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se situata që po ndodh në Ukrainë, mund të jetë një katalizator që nacionalistët e tjerë, veçmas në Ballkan, të thonë 'Është koha që edhe ne të ndërmarrim veprime'.

Kosova dënon agresionin rus

Liderët e Kosovës janë deklaruar kundër agresionit rus në Ukrainë dhe janë solidarizuar me popullin ukrainas.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se populli i Kosovës mbështet popullin e Ukrainës, teksa përballet me “pasojat e një lufte të paprovokuar, si rezultat i agresionit rus”.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili të mërkurën mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për situatën në Ukrainë, tha se sulmi rus në Ukrainë, përbën agresionin e dytë më të madh ushtarak prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë, për shkak se në këto çaste që ne ndodhemi këtu në konferencë në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak – jo vetëm në Evropë - që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Kurti në një konferencë të mbajtur lidhur me reformën e administratës publike në Kosovë.

Edhe liderë të tjerë të Ballkanit kanë reaguar kundër agresionit rus, duke e cilësuar si një goditje për rendin demokratik dhe një kërcënim për stabilitetin e Evropës.

Ndikimi rus

Zyrtarët amerikanë, prej kohësh, kanë paralajmëruar për ndikimin e Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2019, atëbotë zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, kishte thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Rusisë i konvenon një situatë e paqëndrueshme në Ballkan.

Ai deklaroi se Rusia “dëshiron ta shohë rajonin të ndarë dhe me tensione”. Në mënyrë të veçantë, Palmer pati përmendur rastin e Malit të Zi në vitin 2016, kur dy shtetas rusë, së bashku me disa të tjerë, bënë komplot për të rrëzuar Qeverinë malazeze.

Në vitin 2020, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë nxori një raport, ku vlerësoi se ndikimi i Rusisë në Kosovë mund të interpretohet si “keqdashës” dhe “armiqësor”. Sipas këtij raporti, operacionet ruse të ndikimit “janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës”.

Në shtator të vitit të kaluar - kur disa serbë të Kosovës kanë bllokuar dy vendkalimet kufitare në veri, Jarinjën dhe Bërnjakun, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targa të automjeteve – ka pasur raporte se zyrtarët rusë kanë qenë të përfshirë në ngjarje.

Më 26 shtator, 2021, autoritetet serbe të mbrojtjes kanë vizituar disa ushtarë serbë në Rudnicë, që kanë thënë se i kanë vendosur në gjendje të gatishmërisë luftarake, dhe me ta ka qenë edhe ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, si dhe i dërguari rus për mbrojtje, Aleksandr Zinchenko.

Është thënë se ata kanë shkuar atje që “të binden personalisht për situatën aktuale”.

Vitin e kaluar, institucionet e Kosovës kanë shpallur persona “non-grata” apo të padëshirueshëm dy diplomatë rusë që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë. Ata janë detyruar të largohen nga Kosova. Sipas institucioneve të Kosovës, për ta ka pasur informacione se e kanë “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës”.

Në fund të dhjetorit të kaluar, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka shpallur “non-grata” edhe një zyrtar rus nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke thënë se ai e ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG