Ndërlidhjet

Ndikimi i luftës në Ukrainë në furnizimin me gaz rus në Evropë


Stacion i tubacionit të gazit natyror Rrjedha Veriore 2.
Stacion i tubacionit të gazit natyror Rrjedha Veriore 2.

Pavarësisht numrit të madh të sanksioneve ndaj Rusisë nga shtetet perëndimore si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës, ato ende nuk kanë ndikuar te gazi rus në Evropë.

Evropa vazhdon të jetë shumë e varur nga gazi rus, që furnizon rreth 40 për qind të nevojave të evropianëve. Vendet evropiane tani janë të shqetësuara se presidenti rus, Vladimir Putin, mund ta përdorë gazin për t’u hakmarrë kundër sanksioneve.

Por Rusia, e cila pompon gazin përmes tubacioneve që përshkojnë Ukrainën dhe vendet tjera të Evropës Lindore, ka nevojë për të ardhura, ndoshta tani më shumë se kurrë.

Cili është statusi i kësaj varësie reciproke?

A ka pasur ndërprerje të furnizimit të gazit për shkak të luftës?

Deri tani jo. Rusia ka dërguar gaz në Evropë për të përmbushur kontratat afatgjata, që ka me blerës si Uniper dhe RWE në Gjermani dhe të tjerë në Baltik. Por, që nga viti i kaluar, Rusia ka dorëzuar vetëm sasitë që i kishte të kontraktuara, duke thënë se asnjë blerës nuk kishte kërkuar sasi shtesë dhe se as vetë nuk kishte shumë gaz rezervë.

Kjo ka bërë që çmimet të rriten, sepse në të kaluarën Rusia zakonisht dërgonte furnizime shtesë.

Çmimet u rritën gjithashtu sepse prodhuesit e tjerë të mëdhenj luftuan për të ofruar më shumë gaz mes tregjeve dorështrënguara dhe kërkesës në rritje për shkak të rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia.

A është prekur nga lufta gazi rus që rrjedh nga Ukraina në Evropë?

Jo. Vëllimet e gazit rus që janë dërguar në kufirin sllovak, përmes një rruge afërsisht mbi 1,200 km (800 milje) nëpër Ukrainë, në fakt janë rritur që nga fillimi i luftës, sipas të dhënave nga kompania sllovake e transportit të gazit, Eustream.

Çmimet e gazit në treg janë rritur ndjeshëm, duke e bërë gazin rus - i cili kryesisht shitet përmes kontratave afatgjata - më tërheqës për blerësit evropianë, thonë analistët.

Ukraina ka ndaluar disa aktivitete të tregtisë ndërkufitare të gazit, por ka thënë se nuk do të kufizojë rrjedhën e gazit rus në Evropë.

Brenda Ukrainës, megjithatë, disa tubacione të shpërndarjes dytësore për konsum të brendshëm kanë pësuar dëmtime për shkak të bombardimeve dhe sulmeve ajrore, njoftoi Operatori i Sistemit të Transmetimit të gazit në Ukrainë.

Përmes një deklarate, ky operator njoftoi se ishte detyruar të ndalonte furnizimin në disa rajone, duke lënë qindra mijëra banorë pa gaz.

Çfarë do të ndodhë me projektin rus, Rrjedha Veriore 2 që është pezulluar nga Gjermania?

Gjykatat ka të ngjarë të jenë ndalesa e radhës për promotorët e Rrjedha Veriore 2, të cilët do të përpiqen të kundërshtojnë vendimin e muajit të kaluar të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, për të ndaluar certifikimin e gazsjellësit.

Projekti do të dyfishonte kapacitetin e furnizimit të tubacionit ekzistues nënujor të gazit Rrjedha Veriore 1 nga Rusia në Gjermani. Projekti prej 11 miliardë dollarësh Rrjedha Veriore 2 është një kanal që kalon në det të hapur përgjatë së njëjtës rrugë midis Rusisë dhe Gjermanisë.

Projekti ka përfunduar, por nëse nuk certifikohet nga Gjermania, është e mundur që do të mbetet i papërdorur, duke u ndryshkur ngadalë në Detin Baltik dhe duke u kthyer në humbje për pronarin e saj, gjigantin rus të energjisë Gazprom.

Ringjallja e projektit do të kërkonte rindërtimin e besimit midis sponsorëve kryesorë të tij - qeverisë ruse dhe asaj gjermane - diçka që zyrtarët gjermanë e konsiderojnë të pamundur për sa kohë që Putini të jetë në Kremlin.

Pse nuk ka sanksione për Rrjedhën Veriore 1?

Rrjedha Veriore 1, që e ka shpërndarë gazin rus për më shumë se një dekadë, është aktualisht linja e gazit në Gjermani. Gazi rus vjen në Gjermani nëpërmjet atij tubacioni, kështu që ndalimi i tij do të shënonte një goditje serioze për ekonominë gjermane.

Rrjedha Verior 2 ishte ndryshe sepse nuk ishte ende në shërbim dhe deri më tani, Gjermania nuk ka pasur nevojë për furnizime shtesë me gaz.

Kompani ruse, Gazprom, ka thënë se dëshiron të ndërtojë Rrjedhën Veriore 2 për të furnizuar me gaz të gjithë Gjermaninë, direkt nën Detin Baltik, në vend që të merret përmes tubacioneve transit që kalojnë përmes Polonisë dhe Ukrainës.

Gazprom-i ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën për vjedhje të gazit, të cilën Kievi e ka mohuar.

Perëndimi ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Pse Rusia nuk është hakmarrë duke ndërprerë gazin për Perëndimin?

Kremlini ka thënë se do t’i kundërpërgjigjet sanksioneve perëndimore, por nuk ka treguar se si. Por, Moska nuk ka interes të menjëhershëm për ndërprerjen e dërgesave të gazit, pasi kjo do ta privonte Rusinë nga të ardhurat shumë të nevojshme dhe do të përshpejtonte lëvizjet e vendeve perëndimore për të hequr qafe gazin rus.

Për dekada të tëra, Kremlini ka synuar të paraqitet si një furnizues i besueshëm i gazit.

Në fund të vitit të kaluar, kur Bjellorusia kërcënoi të ndërpresë tubacionet që kalonin nëpër territorin e saj si kundërpërgjigje e sanksioneve perëndimore kundër Minskut, Moska nxitoi të siguronte klientët e saj evropianë se do të përmbushte të gjitha detyrimet e tanishme dhe të ardhshme, për furnizim me gaz.

A do t’ua zgjasë jetën Gjermania disa reaktorëve nuklearë?

Tre reaktorët bërthamorë të mbetur të Gjermanisë, të cilët furnizuan 12 për qind të prodhimit bruto të energjisë elektrike në vitin 2021, pritet të mbyllen këtë vit. Gjermania kishte vendosur të braktiste energjinë bërthamore pas katastrofës në Fukushima në Japoni në vitin 2011.

Por, ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, së fundi ka përmendur mundësinë për të lënë të funksionojnë më gjatë këta reaktorë. Pengesat teknike, ligjore dhe politike do të ishin të mëdha dhe fuqia bërthamore nuk do të ishte në gjendje të zëvendësonte plotësisht gazin rus.

Zgjerimi i funksionimit të centraleve bërthamore do të detyronte parlamentin gjerman të ndryshojë ligjin ekzistues, që do të përballej me kundërshtimin e partisë së të Gjelbërve në Gjermani.

Dy operatorë gjermanë të centraleve bërthamore - E.ON dhe RWE - kanë shprehur skepticizëm për funksionimin e tyre përtej 31 dhjetorit, duke thënë për Reuters se “karburanti i centraleve të tyre do të konsumohej deri në fund të vitit 2022”.

Megjithatë, një operator tjetër, EnBW, ka thënë se ishte i hapur për të shqyrtuar mundësinë.

Ndërkohë, Gjermania po shqyrton mënyra të ndryshme për të reduktuar varësinë e saj nga gazi rus, duke përfshirë përshpejtimin e ndërtimit të terminaleve për marrjen e gazit natyror të lëngshëm jo-rus, ose LNG, dhe shtyrjen e çmontimit të termocentraleve me qymyr që ishin planifikuar të mbylleshin.

Muajt e fundit, Gjermania ka rritur përdorimin e qymyrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG