Ndërlidhjet

Luftë hibride në derën e NATO-s: Ligjvënësi Wesley Bell flet për Baltikun, Rusinë dhe vendosmërinë e SHBA-së

Pilotët nga krahu i 4-t i avionëve luftarakë amerikanë dhe krahu i 48-të luftarakë britanikë, mbërrijnë në bazën ajrore "Amari", në Estoni, më 24 janar 2022.
Pilotët nga krahu i 4-t i avionëve luftarakë amerikanë dhe krahu i 48-të luftarakë britanikë, mbërrijnë në bazën ajrore "Amari", në Estoni, më 24 janar 2022.

Në një kohë kur vëmendja e Shteteve të Bashkuara dhe e botës është e ndarë mes disa teatrove gjeopolitike, një projektligj për sigurinë e krahut verilindor të NATO-s, pra shtetet baltike, ka avancuar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Javën e kaluar, me 41 vota për dhe 3 kundër, Komiteti për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve e çoi përpara Aktin për Vlerësimin e Sigurisë së Baltikut, një projektligj i sponsorizuar nga përfaqësuesi Wesley Bell, një demokrat nga Mizuri.

Masa dypartiake është projektuar për të siguruar që SHBA-ja ta ketë një kuptim të qartë të “kërcënimeve ushtarake, kibernetike, hibride dhe politike”, me të cilat përballen Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe për ta forcuar mbrojtjen kolektive të NATO-s në një kohë tensionesh.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) më 28 prill, Bell foli për rolin e krahut lindor të NATO-s në frenimin e ambicieve të presidentit rus, Vladimir Putin, mënyrën se si lufta në Ukrainë formëson sigurinë afatgjatë të rajonit, ndikimin e bashkëpunimit Rusi-Iran dhe pse ai beson se SHBA-ja duhet t’u qëndrojë pranë aleatëve të vet.

Radio Evropa e Lirë: Në terma praktikë, si e ndryshon legjislacioni juaj për sigurinë e Baltikut llogaritjen e sigurisë për ata që jetojnë në skajin lindor të NATO-s dhe që po i përcjellin me shqetësim vijat e frontit në Ukrainë?

Wesley Bell: Nga një këndvështrim i përgjithshëm, është e rëndësishme që ne t’u qëndrojmë pranë aleatëve tanë që na qëndrojnë pranë, dhe është e rëndësishme që të jemi partnerë të besueshëm për partnerët tanë të besueshëm.

Ky projektligj kërkon që Departamenti ynë i Shtetit, në koordinim me Departamentin e Mbrojtjes, ta dorëzojë një raport gjithëpërfshirës në Kongres brenda 180 ditëve. Ky raport do t’i vlerësojë kërcënimet ushtarake, kibernetike, hibride dhe politike me të cilat përballet rajoni baltik.

Synimi i raportit është identifikimi i veprimeve për ta forcuar bashkëpunimin në mbrojtje SHBA-Baltik, gjë që është shumë e rëndësishme, jo vetëm për miqtë tanë baltikë, por edhe për sigurinë tonë kombëtare. Këto janë fusha ku duhet të përparojmë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat shenja paralajmëruese specifike ose tendenca inteligjence e bënë Aktin për Vlerësimin e Sigurisë së Baltikut prioritet urgjent për ju, pikërisht tani?

Wesley Bell: Nuk e di nëse bëhet fjalë aq shumë për shenja paralajmëruese sa për nevojën për t’u siguruar që ne e kuptojmë pse kemi arritur të shmangim konflikte të zgjeruara gjatë rreth 80 vjetëve të fundit. NATO-ja është një arsye e madhe për këtë. Aleatët dhe partnerët tanë në NATO, përfshirë ata në rajonin baltik, janë të rëndësishëm jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për sigurinë ndërkombëtare.

Mendoj se është e rëndësishme të mbështetemi te aleancat tona, të qëndrojmë me aleatët tanë dhe të tregojmë se sa të rëndësishme janë këto marrëdhënie, sepse veprimet tona kanë rëndësi.

Radio Evropa e Lirë: Një votim 41-3 në komitet është shfaqje e rrallë e bashkëpunimit dypartiak në Uashingtonin e sotëm. Çfarë sinjali i dërgon ky konsensus i gjerë Kremlinit për angazhimin e SHBA-së ndaj rajonit?

Wesley Bell: Mendoj se është e rëndësishme që kur shohim kundërshtarët tanë të përbashkët, Putinin në Rusi, dhe konfliktin që po shohim në Ukrainë, është e qartë se Ukraina është në vijën e parë të objektivave më të gjera të Putinit.

Nëse shikoni hartën, rajoni baltik, Estonia, Letonia dhe Lituania, është kyç për mbrojtjen tonë, për kundërpërgjigjen tonë dhe për përpjekjet tona për t’i sfiduar qëllimet e tij. Prandaj, është e rëndësishme që t’u qëndrojmë përkrah aleatëve tanë që na qëndrojnë pranë dhe të vazhdojmë të jemi partnerët e besueshëm që duhet të jemi.

Teksa ecim përpara, duhet të dërgojmë mesazh të qartë jo vetëm për aleatët tanë, por edhe për kundërshtarët tanë, se përballë sfidave të përbashkëta, është thelbësore të qëndrojmë përkrah partnerëve tanë.

Radio Evropa e Lirë: Njerëzit në atë pjesë të botës janë përballur prej kohësh me sulme kibernetike, ndërprerje të GPS-it dhe dezinformim. Si e fuqizon ky projektligj SHBA-në të kalojë përtej ndihmës tradicionale ushtarake dhe të përballet vërtet me këto kërcënime të sofistikuara hibride?

Wesley Bell: Pikërisht këtë synon të adresojë ky legjislacion. Duhet ta pranojmë se sfidat nuk kufizohen në fushëbetejën tradicionale.

Kur mendojmë për kërcënimet kibernetike, kërcënimet hibride dhe taktikat joushtarake, si propaganda dhe metoda të tjera të përdorura nga vende si Rusia dhe madje edhe Kina, duhet të investojmë dhe ta diversifikojmë infrastrukturën tonë për t’u siguruar se mund t’i përballojmë këto sfida të ndryshme.

Është e rëndësishme t’i kuptojmë kërcënimet unike që kundërshtarët tanë po i përdorin, qoftë në hapësirën kibernetike, përmes taktikave hibride apo përmes përpjekjeve politike joushtarake, si dezinformimi.

Duhet t’i luftojmë këto kërcënime me seriozitet dhe qartësi, me një pamje të kthjellët të asaj që kemi përballë, në mënyrë që të jemi plotësisht të përgatitur. Shumë nga sfidat me të cilat përballemi shkojnë shumë përtej fushëbetejës tradicionale dhe ne duhet të jemi gati për gjithçka.

Radio Evropa e Lirë: Ju nuk jeni fokusuar vetëm te Rusia në këtë projektligj, përmendët Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Bjellorusinë. A po shohim një lloj blloku të koordinuar apo kërcënime të mbivendosura me interesa të përbashkëta mes këtyre aktorëve?

Wesley Bell: Mendoj se po shohim një shkallë bashkëpunimi mes këtyre aktorëve keqdashës dhe duhet të jemi të përgatitur të përballemi me këto sfida, sepse kjo është pikërisht ajo që po bëjnë kundërshtarët tanë.

Putini ka qenë shumë i qartë për qëllimet e tij dhe ne duhet të qëndrojmë me demokracitë. Kam pasur mundësinë të takoj shumë nga aleatët tanë në mbarë botën qëkurse u bëra pjesë e Kongresit dhe mendoj se është e rëndësishme që të gjithë ne t’i kuptojmë kërcënimet me të cilat përballemi dhe t’iu bëjmë ballë së bashku.

Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Iranin në veçanti, sa e ndryshon bashkëpunimi i tyre, jo vetëm në Evropën Lindore por edhe në Lindjen e Mesme, panoramën strategjike për NATO-n dhe unitetin transatlantik?

Wesley Bell: Mendoj se kjo e thekson nevojën për t’i forcuar edhe më shumë këto marrëdhënie. Ne e dimë se Irani është aktor negativ dhe sponsori kryesor i terrorizmit, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por në mbarë botën. Gjithashtu e dimë që Rusia ka bashkëpunuar me Iranin.

Nuk mund ta mashtrojmë veten duke i parë këto kërcënime të izoluara. Shumë nga kundërshtarët tanë po koordinohen dhe po bashkëpunojnë. Prandaj, është edhe më e rëndësishme t’i forcojmë partneritetet tona dhe të qëndrojmë me aleatët tanë, sepse askush nuk mund t’ia dalë i vetëm.

Radio Evropa e Lirë: T’i kthehemi Ukrainës. Nëse Rusia nuk ndalet atje, sa seriozisht duhet ta marrim rrezikun e përhapjes së këtij konflikti më tej drejt Perëndimit?

Wesley Bell: Një nga mësimet kryesore që kam marrë nga takimet me liderë botërorë dhe nga shërbimi në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura është se demokracia është e vështirë. Kur kemi aleatë me demokraci funksionale, duhet t’i mbrojmë plotësisht.

Prandaj ishte kaq e rëndësishme për mua ta paraqisja këtë legjislacion. Shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, janë aleatët tanë dhe është thelbësore që të qëndrojmë përkrah tyre. Ne e dimë se cilat janë synimet e Putinit dhe duhet të mbrohemi kundër tyre me çdo mjet që kemi në dispozicion.

Radio Evropa e Lirë: A është e qartë në Uashington se rezultati i luftës në Ukrainë do ta formësojë sigurinë afatgjatë në gjithë rajonin?

Wesley Bell: Po, mendoj se në mënyrë dërrmuese ligjvënësit në Kongres, nga të dyja palët, e kuptojnë sa e rëndësishme është mbrojtja e Ukrainës, si dhe e shteteve baltike, prandaj ky legjislacion kaloi me një mbështetje kaq të madhe.

Radio Evropa e Lirë: Njerëzit që jetojnë pranë kufijve të Rusisë kanë dëgjuar më parë deklarata premtuese nga Perëndimi. Cili është mesazhi juaj sot për angazhimin dhe qëndrueshmërinë e Amerikës në këtë rajon?

Wesley Bell: Si amerikanë, ne e kuptojmë se duhet të luajmë rol kyç në botë, por gjithashtu e pranojmë se nuk mund dhe nuk duhet ta bëjmë këtë të vetëm. Është thelbësore t’u qëndrojmë përkrah partnerëve dhe aleatëve tanë.

Për ata që jetojnë në këto rajone dhe në mbarë botën, dua që ata të dinë se Shtetet e Bashkuara janë partner i besueshëm i tyre. Ne e kuptojmë sa të rëndësishme janë vlerat tona të përbashkëta dhe se duhet të qëndrojmë së bashku. Ky është qëllimi i këtij legjislacioni.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG