Ndërlidhjet

Bllokimi i procesit integrues rrit euro-skepticizmin


Një grua në Shkup kalon pranë flamurit të Shqipërisë, BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Kontesti me Bullgarinë, që ka pamundësuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, por edhe kontestet tjera në të kaluarën, siç ishte ai me Greqinë, kanë rritur dozën e euro-skepticizmit në mesin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Një hulumtim i Institutit për Demokraci ka dalë me të dhëna për rritje prej 3 për qind të euro-skepticizmit, duke e çuar nga 18 në 23 përqindjen e atyre që nuk mbështesin integrimin evropian. Anketa është realizuar në nëntor të vitit të kaluar, pas vetos bullgare, dhe rritje më të madhe të euro-skepticizmit prej 7 për qind ka regjistruar te shqiptarët, që deri tani kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të BE-së. Pavarësisht rënies së besimit, 80 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut mbështetin integrimin evropian.

Që të ndërpritet rënia e mëtejme e besimit, qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, kërkojnë nga qeveria dhe institucionet tjera të marrin masa konkrete për kapërcimin e dallimeve me Bullgarinë.

“Shqiptarët gjithmonë kanë qenë më optimistët dhe më dashamirët e kulturës dhe civilizimit evropian, por mendoj se procesi i zgjerimit u stërgjatë dhe u politizua aq shumë. Mendoj se problemet duhet të zgjidhen sa më shpejt ose të mendohet ndryshe... në rritjen e skepticizmit te shqiptarët mund të kenë ndikuar edhe periudha e vitit të fundit, pandemia, izolimi që ka rritur dëshpërimin, por edhe humbjen e besimit”, thotë Burhan Amiti, aktivist.

Ndërkaq, Branko Stojkovski, pensionist nga Shkupi thotë se qytetarët janë të dëshpëruar sepse sipas tij, problemet me të cilat po përballen, po zgjasin me dekada të tëra.

“Sa mbyllim një problem, del problemi tjetër dhe kjo ka shkaktuar nervozizëm te njerëzit. Ka rritur dozën e pesimizmit se mund të arrihet ndonjëherë integrimi evropian. Që të mos ndodh kjo apo që të rikthehet besimi nevojitet angazhim serioz nga qeveria që të punojë më seriozisht në kapërcimin e dallimeve, pasi njerëzit janë lodhur dhe gjithmonë BE-në e ka parë si shpresë për një jetë më të mirë”, thotë Stojkovski.

Ndërkaq, Elmir Sejfullai, aktor nga Tetova, thotë se besimi i qytetarëve ndaj BE-së do të vazhdojë të bie, nëse shtetet fqinje vazhdojnë të vendosin kushte për Shkupin zyrtar.

“Kushtet e njëpasnjëshme që shtetet fqinje i vendosin vendin tonë dhe mbetja e tij jashtë BE-së, konsideroj se edhe më tej do të ulë besimin e qytetarëve në Bashkimin Evropian”, thotë ai.

Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci, thotë se vetoja bullgare seriozisht ka dëmtuar procesin e zgjerimit, gjë që ka çuar në rritjen e dëshpërimit të qytetarëve.

“Vetoja bullgare, që pamundësoi arritjen e kornizës negociuese apo nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, seriozisht ka dëmtuar procesin e zgjerimit të unionit, por gjithashtu ka rrënuar seriozisht edhe motivimin e politikës për reforma rrënjësore dhe zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. E gjitha kjo ka bërë që edhe te qytetarët të ulet besimi ndaj integrimit evropian”, thotë Trashanovski.

Sipas anketës, për 38.7 për qind të të anketuarve, integrimi i vendit në Unionin Ekonomik Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia, shihet si alternativë e integrimit në BE.

Për dallim nga BE-ja me 34.1 për qind, tani Shtetet e Bashkuara me 43.8 për qind, shihen nga qytetarët e anketuar si shteti me ndikimin më të madh në Maqedoninë e Veriut.

Besa Kadriu, ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe njohëse e çështjeve politike, thotë se rritja e skepticizmit ka bëjë me dështimet e qeverisë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët, por edhe me dështimet në zbatimin e reformat për forcimin e shtetit dhe rrjedhimisht krijimin e kushteve për një jetë më të mirë.

Ajo thotë se shumë qytetarë, procesin e integrimit e shohin edhe si mundësi për të dalë jashtë vendit, për një perspektivë më të mirë.

“Këtu gjithnjë e më tepër kemi ngecje për sa i përket procesit euro-integrues, edhe atë në shumë aspekte, në shtyllat kryesore duke u nisur nga çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, mungesën e funksionimit të shtetit ligjor. Pra, po zbehen shpresat te qytetarët se gjërat mund të lëvizin nga e mbara. Kjo gjë sigurisht se reflektohet në përditshmërinë tonë, në bindjet tona, në mënyrën e jetesës tonë dhe në gjithçka që ka të bëjë me përditshmërinë brenda këtij vendi”, thotë Kadriu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG