Ndërlidhjet

Pengesat e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut


Njerëzit ecin para Ministrisë për Integrim në Shkup - Foto nga arkivi.

Maqedonia e Veriut po hyn në vitin 2021 pa realizuar objektivin e saj kryesor të politikës së jashtme - nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak të vetos bullgare ndaj kornizës negociuese në nëntor të vitit 2020.

Pavarësisht se dy vendet kishin arritur një marrëveshje për fqinjësi të mirë, më 2 gusht të vitit 2017, me të cilën besohej se dy vendet i kishin zgjidhur kontestet mes tyre, Sofja në momentin e fundit doli me qëndrimin se kjo marrëveshje nuk po zbatohet nga pala maqedonase, në pjesën që kishte të bënte me aspektet historike, ndërsa zyrtarët bullgarë paraqitën dhe kërkesa tjera për gjuhën dhe identitetin duke kërkuar nga pala maqedonase të pranojë se ato kanë “rrënjë bullgare” dhe se “maqedonasit dhe gjuha e tyre para vitit 1944 kanë qenë bullgare”.

Karakaçanov: Identiteti maqedonas pas vitit 1944

“Çdo person normal që ka lexuar pesë faqe histori në lidhje me Maqedoninë, e di se identitet maqedonas, i veçantë nga bullgarët nuk ka ekzistuar para vitit 1944. Unë kurrë nuk do të bëj kompromis me politikën anti-bullgare. Unë e kuptoj dëshirën e disa partnerëve tanë për të na detyruar të heqim dorë, por në fund të fundit, Bullgaria duhet të mbrojë interesat e saj”, kishte deklaruar zëvendëskryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov, në një intervistë për radion shtetërore bullgare.

Kjo deklaratë dhe të tjera nga zyrtarët bullgarë kanë nxitur reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, që çoi edhe në rritjen e gjuhës së urrejtjes ndërmjet dy vendeve.

Zaev: Bashkimi Evropian nuk e mbajti premtimin

“Ne jemi maqedonas që flasim maqedonisht. Identiteti maqedonas nuk diskutohet dhe nuk negociohet. Bashkimi Evropian nuk e mbajti premtimin".

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

"Bullgaria dhe BE-ja përsërisin gabimin e vitit 2019 në lidhje me Maqedoninë e Veriut. Ky gabim paraqet motiv për një depërtim edhe më serioz të interesave të palëve të treta në zemrën e Evropës”, kishte deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Pavarësisht kësaj, qeveria në Shkup, mbetet e përkushtuar për vazhdimin e bisedimeve me Bullgarinë, por vëmendje më të madhe do t’u kushtojë reformave duke hartuar edhe plane konkrete për realizimin e tyre gjatë vitit 2021.

Filipov: Të ndryshohet modeli i bisedimeve

Duke komentuar raportet ndërmjet dy vendeve, ish-ambasadori maqedonas në Vjenë, Gjorgji Filipov, beson se me një qasje të këtillë nuk do të ketë sukses në procesin integrues, andaj edhe thekson nevojën për ndryshimin e modelit të bisedimeve, por edhe Filipov përjashton çdo mundësi që me Sofjen të bisedohet për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.

“Raportet tani duket se janë ftohur, por besoj se ato do të përmirësohen pasi as që duhet të mendohet për ndërprerjen e kontakteve. Ndoshta duhet të kërkojmë ndonjë model tjetër në lidhje me mosmarrëveshjet mes dy vendeve, këtu nuk e përjashtoj si mundësi modelin kroato-slloven. Pra, atje ka një kontest që ende nuk është zgjidhur, por Sllovenia nuk e pengoi procesin e anëtarësimit të Kroacisë në BE. Mendoj se çështjet që kanë të bëjnë me identitetin nuk duhet të jenë pjesë e bisedimeve. Kemi një marrëveshje mes dy vendeve dhe e gjithë energjia mendoj se duhet të përqendrohet në zbatimin e saj”, thotë Filipov.

Nikovski: Vetoja bullgare mundësi e mirë që t’u kthehemi reformave

Nga ana tjetër, Risto Nikovski, ish-ambasador maqedonas në Rusi, thotë për Radion Evropa e Lirë se për kërkesat bullgare në asnjë mënyrë nuk duhet të bisedohet, në veçanti për ato që kontestojnë qenien kombëtare maqedonase.Vetoja bullgare, sipas tij, duhet të shërbejë që Maqedonia e Veriut t’i kthehet zbatimit të reformave.

“Këtë që po e bën Bullgaria është jashtë të gjitha parimeve, jashtë të gjitha standardeve e vlerave të Bashkimit Evropian, se duhet të respektohen dallimet gjuhësore e kulturore të shteteve, se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me dialog e jo konfrontim. Por, në gjithë këtë situatë mendoj se edhe BE-ja, përjashtuar disa shtete si Austria, Çekia dhe Sllovakia sikur nuk është në anën tonë… Ne mendoj se duhet t’i kthehemi realitetit tonë, t’i kthehemi reformave që janë harruar. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë, sikur edhe qeveria e kaluar. Jam i bindur se edhe sikur të mos kishin problemin me Bullgarinë ne do të shënonim ngecje në procesin integrues, pikërisht për shkak të reformave, ndoshta jo veto, por me gjasë do të kishte shtyrje të fillimit të bisedimeve”, thotë Nikovski.

Sinani: Shqiptarët mund të kenë rol të mirë në kapërcimin e dallimeve

Shqiptarët në këtë proces kanë rol konstruktiv që është vlerësuar nga drejtuesit e institucioneve. Partitë shqiptare, si ato në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë kanë dalë në mbrojtje të interesave maqedonase, por në anën tjetër kanë bërë thirrje për një zgjidhje më të shpejtë meqë, sipas tyre, integrimi evropian është projekti më madhor për qytetarët dhe vendin.

Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike thotë për Radion Evropa e Lirë, se kontesti me Bullgarinë mund të zgjasë shumë meqë ai nuk sheh ndonjë sinjal se Sofja mund të heqë dorë nga kërkesat e saj. Por, Sinani nuk e përjashton mundësinë që faktori politik shqiptar apo edhe ndonjë personalitet tjetër të mund të ketë rol të rëndësishëm në afrimin e palëve.

“Mendoj se është një kontest që do të zgjasë meqë Bullgaria nuk do të bëjë kompromise, kjo është më se e qartë. Duhet të kuptohet se përtej inateve këto janë çështje për të cilat duhet të ulen dhe të zgjidhen në mënyrë korrekte nga të dyja palët. Disponim ka, por për t’u marrë vesh duhet të ketë një gjuhë të mesme. Në këtë kuadër mendoj se ne shqiptarët mund të jemi një faktor shumë i mirë për shkak se bullgarët kanë një simpati për shqiptarët dhe ne mund t’i nxisim të dyja palët që t’i kapërcejnë problemet. Mendoj se mund të jemi faktor i mirë në këtë drejtim”, thotë Sinani.

Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE e ka fituar që në vitin 2005, por nisja e bisedimeve ishte pamundësuar për shkak të kontestit me Greqinë, i cili u arrit të zgjidhet më 17 qershor të vitit 2018, pas së cilit vendi arriti të anëtarësohet në NATO, ndërsa pret zgjidhjen edhe të kontestit me Bullgarinë që të zhbllokojë kornizën negociuese me BE-në.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG