Ndërlidhjet

Maqedonia bën një hap shumë të vogël në drejtim të lirisë së mediave


Ilustrim
Ilustrim

Maqedonia edhe më tej mbetet në mesin e vendeve me liri të pjesshme bazuar në raportin e fundit të “Freedom House” i cili është publikuar në prag të ditës botërore të të Lirisë së Medias.

Ndërkaq në bazë të raportit të fundit të “Reporterëve pa Kufij”, Maqedonia është renditur e 109-ta sa i përket lirisë së shprehjes, duke shënuar përmirësim vetëm për dy vende në krahasim me vitin e kaluar kur ishte në vendin e 111-të. Megjithatë, është shumë larg Kroacisë e cila është në vendin e 68-të, Shqipërisë në vendin e 75, Kosovës në vendin e 78 ose Malit të Zi që ndodhet në vendin e 103.

“Krahasuar me vendet e rajonit Maqedonia është e renditur shumë poshtë megjithatë është e dukshme se gjatë vitit të kaluar Maqedonia ka arritur të çlirohet nga presioni i politikës, veçanërisht nga strukturat udhëheqëse të Qeverisë i cili presion ishte i theksuar gjatë dhjetë viteve të fundit", thotë për Radion Evropa e Lirë, Biljana Petrovka nga Instituti Maqedonas i Mediave.

“Me rëndësi që është fakti se Qeveria e tanishme është deklaruar se ka vullnet politik për përmirësimin e gjendjes në këtë sferë”, ka thënë ajo.

Në këtë drejtim, Shpëtim Nuredini gazetar, thotë se mbetet edhe shumë punë për t’u bërë për të pas përparim të dukshëm në sferën e mediave.

Nuredini thekson se edhe kundrejt përpjekjeve për avancimin e fjalës së lirë dhe lirinë e mediave, vendi shënon ngritje minimale në listën e agjencive ndërkombëtare për matjen e lirisë së shtypit.

“Edhe propozim-ligji për shërbime audio dhe audio-vizive që është në procedurë parlamentare, nuk besoj se e zgjidhë në formën më të mirë këtë çështje. Sanksionimi mediave me ligj, duhet të nisë me një ligj të posaçëm për servisin publik, i cili duhet të jetë lokomotiva e këtij procesi. Por, çfarë ndodh. Edhe me propozim ligjin e ri që eshtë në procedurë parlamentare, servisi publik nuk fiton autonominë dhe pavarësinë në veprimtarinë e tij”, thotë Nuerdini.

Në raportin e Reporterëve pa Kufij thuhet se gazetarët në Maqedoni kanë paga më të ulëta krahasuar me kolegët e tyre në rajon, ndërkohë gazetarët në Maqedoni druajnë se mund të humbin vendin e punës.

Lirim Dullovi botues i së përditshmes Koha, i cili është dhe kryetar i mediave të shtypura në Maqedoni, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjendja e rënduar ekonomike reflektohet edhe në pagat e gazetarëve.

“Mendoj se të gjitha zgjidhjet për të përmirësuar spektrin mediatik duhet të vijnë nga vetë organizatat që i përfaqësojnë gazetarët. Në këtë rast duhet të merren përvojat e vendeve të zhvilluara perëndimore, ku mediat e shtypura ndihmohen përmes subvencioneve nga vetë shteti. Një iniciativë është ndërmarrë edhe këtu kemi marrë premtime se do të gjendet një zgjidhje deri nga mesi i këtij viti. Pra presim hapat konkret nga ana e Qeverisë”, thotë Dullovi.

Ndryshe, në raportin e Reporterëve pa Kufij se me largimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga pushteti është zvogëluar dhe kontrolli ndaj mediave, megjithëse nënvizohet se akoma është herët që të vlerësohen me siguri qëllimet e Qeverisë së Zoran Zaevit për krijimin e përmirësimit afatgjatë të situatës në spektrin mediatik.

XS
SM
MD
LG