Ndërlidhjet

Pushteti dhe opozita me qëndrime të kundërta për punën online të kuvendit


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto nga arkivi.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto nga arkivi.

Opozita maqedonase ka kundërshtuar paralajmërimet e shumicës parlamentare dhe të kryeministrit, Zoran Zaev, që për shkak të rritjes së rasteve të të infektuarve me koronavirus, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të mbajë seancat online.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, vlerëson se kjo kërkesë e pushtetit është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Nga aspekti juridiko-kushtetuese, kuvendi nuk mund të punojë dhe të vendosë përmes aplikacionit online, pasi ka një normë kushtetuese (neni 69) i cili kërkon praninë e deputetëve në seancat kuvendore, shumicën nga numri i përgjithshëm i deputetëve”, ka shkruar në Facebook, deputeti Milloshoski.

Opozita konsideron se shumica ka dalë me një nismë të tillë pasi nuk ka shumicën në kuvend pas infektimit me koronavirus të dy deputetëve të saj. Nga 62 deputetë, tani pushteti ka shumicë prej 60 deputetëve, apo një më pak se numri i nevojshëm për mbajtje të seancave dhe votimit të ligjeve në rast se ato bojkotohen nga opozita.

Kryeministri Zoran Zaev thotë se Maqedonia e Veriut duhet të ndjekë praktikat e vendeve tjera, ku parlamentet po funksionojnë online për të mos rrezikuar jo vetëm shëndetin, por edhe miratimin e ligjeve të domosdoshme për përballje me pandeminë.

“Besoj se kuvendi do të kalojë menjëherë në opsionin online nëse deputetët bien dakord, në përputhje me rregulloren e procedurat tjera. Këtë do ta bëjë qeveria dhe besoj se edhe kuvendi do të jetë më shumë i arsyeshëm dhe do të vendosë që të punojë online sepse me sa mund ta shoh, pothuajse të gjitha parlamentet në rajon dhe në Evropë po e bëjnë këtë”, ka deklaruar Zaev.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se puna online e kuvendit nuk mund të nisë pa ndryshimin e rregullores mbi punën e kuvendit.

“Çështjet procedurale në punën kolektive të institucionit ligjvënës i parasheh rregullorja mbi punën e kuvendit. Parimisht mendoj se duhet të ketë ndryshime në rregullore, ndërsa sa i përket kushtetutshmërisë së kësaj çështjeje, mendoj se nuk ka shkelje të organit më të lartë juridik në vend. Është e vërtetë se ka dallim sa i përket kualitetit të seancave pasi nuk është njëjtë kur ato mbahen me prani të deputetëve në sallë dhe tjetër kur ato mbahen nga distanca, komunikimi mes deputetëve është më i frytshëm, ka debat e kështu me radhë”, thotë Temellko Ristevski, profesor i së Drejtës Kushtetuese.

Bashkimi Selmani, njohësi i çështjeve juridike, thotë se në shumë vende të botës tashmë të gjitha aktivitetet po zhvillohen online, përshirë edhe punën e parlamenteve të tyre, por ai nuk përjashton edhe mundësinë që të ketë edhe keqpërdorime në situata të këtilla, andaj konsideron se është mirë që të ketë aktivitete të kombinuara.

“Nëse gjithçka zhvillohen nga distanca atëherë shumë punë dhe procese tjera do të ndërpriten. Deri më tani është treguar se puna online nuk e ka efikasitetin e duhur. Ky sistem mund të aplikohen në raste individuale, por jo edhe kolektive që i gjithë kuvendi të punojë online. Të gjitha opsionet janë të hapura, por për të mund të flasim pasi të ndodhë diçka e tillë, nuk mund të prejudikojmë, është një sistem i tillë që mund të klikohet prandaj janë dilemat e tilla. Megjithatë mendoj se do të ketë ndonjë mekanizëm që të mos lejohen keqpërdorime eventuale” thotë Selmani.

Ndërkohë, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Temellko Ristevski, thotë se partitë politike duhet të mbajnë llogari për respektimin e ligjeve, por mbi të gjitha për jetën e qytetarëve.

“Kuvendi duhet të jetë efikas, por kështu duhet të kemi parasysh edhe jetën e njerëzve, shëndetin e tyre, pasi vlera më e madhe e njerëzimit është jeta, pasi sikur të mos ketë jetë nuk do të ketë as njerëz, prandaj mendoj se të gjithë ne në këtë gjendje të rëndë të pandemisë duhet të mbajmë llogari për shëndetin e qytetarëve tanë dhe të gjendet zgjidhje e pranueshme për punën e kuvendit, kuptohet duke respektuar edhe ligjet në fuqi”, thotë Ristevski.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG