Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Partneriteti ekonomik Kosovë - Turqi, i luhatur nga politika


Presidentët Recep Tayyip Erdogan dhe Hashim Thaçi - foto arkivi

Turqia është një prej shteteve me praninë më të madhe të investimeve direkte në Kosovë.

Bashkëpunimi besohet se do të vazhdojë në ritmin e njëjtë, edhe pas zhvillimeve që pasuan dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Ky aksion i përbashkët i agjencive të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova është lavdëruar nga presidenti turk Recep Tayip Erdogan, por jo edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për çka më pas Erdogan e ka kritikuar ashpër kryeministrin kosovar.

Mbi 372 milionë euro llogariten investimet e Turqisë në Kosovë që nga viti 2008.

Kurse, vetëm në vitin 2017, investimet e shtetit turk në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, kanë qenë mbi 28 milionë euro, të dhëna këto që Turqinë e radhisin si shtetin e katërt më vlerën e investimeve, pas Gjermanisë, Zvicrës dhe Britanisë së Madhe.

Edhe sa u përket shkëmbimeve tregtare, Turqia pozicionohet mirë në tregun e Kosovës.

Vlera e importit të mallrave turke në Kosovë në vitin 2016 ka qenë rreth 300 milionë euro, duke e radhitur në vendin e tretë, pas Serbisë dhe Gjermanisë, përderisa eksporti i produkteve të Kosovës në Turqi ka qenë mbi 8 milionë euro.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se mospajtimet aktuale politike duhet të zgjidhen përmes dialogut. Interesat ekonomikë, nënvizon ai, janë të ndërsjellë për të dyja shtetet.

“Duke marrë parasysh rëndësinë që investimet turke kanë pasur në normën e përgjithshme të investimeve të huaja direkte në vendin tonë, pashmangshëm se kjo mund të ketë efekt. Megjithatë, në aspektin e shkëmbimeve tregtare, shteti i Turqisë duhet të ketë parasysh se tregu i Kosovës është një treg i rëndësishëm për të. Ndikime në rend të parë do të ketë për mallrat turke, të cilat plasohen në tregun e Kosovës. Kosova shumë pak eksporton në Turqi, kështu që ndikimi mund të jetë i papërfillshëm”, thotë Zeka.

Javën e kaluar, autoritetet e Kosovës kanë dëbuar gjashtë shtetas turq nga Kosova për në Turqi, pesë nga ta punonjës të institucionit arsimor Gulistan “Mehmet Akif”, si dhe një mjek. Krerët e shtetit të Kosovës kanë thënë se kanë qenë të painformuar për aksionin.

Pas kësaj, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkak të qëndrimit të tij kundër dëbimit të shtetasve turq, kurse ka falënderuar presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për arrestimin dhe dëbimin e tyre.

Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare të Biznesit, beson se këto zhvillime nuk do ndikojnë në marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Sipas tij, bizneset e të dyja shteteve nuk do bien nën ndikim të “pazareve” politike.

“Në aspektin politik, kjo nuk mund të ketë ndonjë ndikim, për shkak se bizneset tashmë, edhe të Kosovës, edhe të Turqisë, janë të vetëdijshme se këto janë lojëra politike, pazare dhe biznese politike për përfitimet e veta, qoftë politike apo personale të politikanëve të të dyja shteteve”, thotë Shahini.

Ndër sektorët primarë që kanë tërhequr investimet nga Turqia hyn edhe ai i aviaconit, pastaj ai i shëndetësisë, energjetikës, industrisë dhe sektori i ndërtimtarisë.

Numri i përgjithshëm i bizneseve turke të regjistruara në Kosovë, sipas Odës Tregtare Kosovare-Turke, është rreth 800, por vetëm 200 biznese thuhet se aktualisht janë aktive.

Prania e kompanive turke në Kosovë ka nisur nga infrastruktura rrugore.

Bechtel-Enka, konsorcium amerikano-turk, ka bërë ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, kurse tashmë është duke ndërtuar edhe autostradën Prishtinë - Shkup.

Një konsorcium tjetër, ai turko-francez, Limak-Aeroport de Lyon, në vitin 2010 ka marrë me koncesion për njëzet vjet Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në vitin 2012, konsorciumi turk Limak-Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.

Që prej vitit 2004, në Kosovë vepron edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim [TIKA].

Nga ajo periudhë, kjo organizatë ka realizuar qindra projekte të ndryshme, si dhe ka restauruar një numër të madh të xhamive, por edhe ka bërë investime në ndërtimin e xhamive të reja në gjithë Kosovën.

Nga investimet turke në Kosovë, ndërkaq, funksionon edhe një numër i institucioneve arsimore.

Qytetarët e Kosovës, përveç bashkëpunimit tregtar, Turqinë e konsiderojnë si një vend atraktiv turistik, sidomos gjatë sezonit veror.

Sipas të dhënave, edhe pse jo shumë të freskëta të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2016, mbi 6,500 qytetarë të Turqisë e kanë vizituar Kosovën.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG