Ndërlidhjet

Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli në Hagë. Fotografi nga arkivi.
Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli në Hagë. Fotografi nga arkivi.

Çfarë u tha në ditën e katërt të deklaratave përmbyllëse në Hagë?

E përditësuar

• Më 12 shkurt u zhvillua dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Veselit tha se ai është tërësisht i pafajshëm dhe nëse dënohet do të ishte një padrejtësi e madhe. Ndërkaq, mbrojtja e Selimit argumentoi se nuk ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe të akuzuarit nuk ishin pjesë e një ndërmarrjeje të tillë që synonte marrjen nën kontroll të Kosovës dhe luftimin e kundërshtarëve.

• Mbrojtja e Thaçit më herët ka përmbyllur deklaratën përfundimtare, duke argumentuar se nëse ai dënohet do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike". Prokuroria ka kërkuar që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Fjalët e fundit i kanë thënë edhe Prokuroria me mbrojtësit e viktimave.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

18:12

Lexues të nderuar, këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të deklaratave përmbyllëse në Hagë në rastin kundër katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Gjatë ditës, ekipi mbrojtës i Veselit përmbylli fjalën e tij, duke argumentuar se ish-kryeparlamentari i Kosovës është i pafajshëm dhe duhet të lirohet. Në të kundërtën, tha avokati tij, "do të ishte padrejtësi e madhe".

Mbrojtja e Veselit ka insistuar se ndaj tij nuk ka prova dhe as dëshmitar të paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në seancën e sotme, avokatët hodhën poshtë pretendimet e ZPS-së se komunikatat e UÇK-së ishin bazuar në informacionet e inteligjencës nga Veseli si udhëheqës i shërbimit zbulim-kundërzbulim.

Pasdite, mbrojtja e Rexhep Selimit nisi fjalën përmbyllëse. Avokati i tij, Geoffrey Roberts, tha se klienti i tij është tërësisht i pafajshëm.

Ai argumentoi se nuk kishte Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, siç pretendon Prokuroria.

Roberts tha se Selimi luftoi për liri, e jo për pushtet, siç ka argumentuar ZPS-ja.

Ai po ashtu vuri në dyshim besueshmërinë e dëshmitarëve të Prokurorisë.

Gjatë së premtes, në Hagë do të vazhdojnë deklaratat përmbyllëse nga ekipet mbrojtëse të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Faleminderit që na ndoqët!

17:50

Mbrojtja e Selimit vë në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarëve të ZPS-së

Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, ka vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarëve të ZPS-së për disa incidente që e lidhin Selimin me krime të pretenduara, sikurse ndalimi dhe kërcënimi i personave të ndryshëm.

Ai tha se për një incident të prillit të vitit 1999 në Kleçkë, ZPS u mbështet në një dëshmitar, që tha se “shpiku historinë” se ishte takuar me Selimin prandaj arriti ta identifikonte më pas.

Për një dëshmitar tjetër, Roberts tha se ka histori të rrëfimeve të pavërteta para ZPS-së, në bazë të interesave të tij.

Ai mohoi e ka prova që Selimi është përfshirë në incidentin e Qirezit, përkatësisht ndalimit të disa anëtarëve të UÇK-së, e as në ndalimin e Blerim Kuçit.

17:36

Roberts pretendon se një dëshmitar gënjeu në këmbim të kompensimit financiar

Avokati Roberts ka vazhduar me paraqitjen e argumenteve të tij kundër pjesëmarrjes së Selimit në krime.

Ai përmendi një incident në Likoc në gusht të 1998, ku Prokuroria pretendon se Selimi ka marrë pjesë në marrjen në pyetje të një të ndaluari.

Sipas tij, ky dëshmitar gënjeu trupin gjykues dhe madje gjatë dëshmisë tha se Selimi e kishte rrahur.

“Kompensimi financiar që dëshmitari i ka pranuar ZPS-së se ishte i interesuar, duket se të ketë mjaftuar që ky dëshmitar t’i gënjente sy për sy trupi gjykues”, tha Roberts.

17:27

Mbrojtja thotë se ZPS nuk ka ofruar dëshmi se Selimi ka kontribuar në NPK

Mbrojtja e Selimit ka vazhduar me argumentimin kundër pretendimit të ZPS-së për kontributin e të akuzuarit në NPK për kryerjen e krimeve të pretenduara.

ZPS, tha avokati Roberts, bazohet në autoritetet e pretenduar të Selimit dhe ky autoritet ka kontribuar në kryerjen e krimeve.

“Kjo është e pamjaftueshme”, tha ai.

Ai po ashtu tha se Prokuroria nuk ka argumentuar se si e mbështet pretendimin se Selimi ishte inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së deri në korrik të vitit 1998.

Ai tha se nuk ka prova për kohën kur Selimi u emërua dhe nuk ofron asnjë dëshmitar për këtë çështje.

Lidhur me rolin e Selimit si inspektor, ZPS, tha Roberts, e ka vendosur atë në nivel të komandantit të përgjithshëm dhe ishte mbi drejtoritë.

“Asnjë dëshmitar nuk ka dhënë prova për këtë pikë dhe dëshmia e paqartë e Thaçit gjatë intervistimit nga ZPS-ja, që mbështetet kryesisht ZPS-ja, nuk mund të cilësohet e banueshme sepse Selimi s’pati mundësi t’i bënte pyetje zotit Thaçi”, tha Roberts.

Ai argumentoi se Selimi nga ky post nuk kishte autoritet të shqiptonte masa disiplinore dhe as nuk është thënë nga Prokuroria se Inspektorati ka pasur strukturë.

Ai tha se dëshmitë e vendosin Selimin si ndihmues apo asistent për komandantin e përgjithshëm nga posti i inspektorit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG