Ndërlidhjet

Migrantët në Maqedoninë e Veriut: Edhe fëmijë pa prindër


Migrantja nga Siria, Amelia, është kthyer prapa nga autoritetet serbe dhe në fshatin Llojan të Kumanovës merr ndihmën e parë nga përfaqësuesit e Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Në fshatrat përgjatë kufirit me Serbinë, në rajonin e Kumanovës, Llojan dhe Vaksincë, aktivistët e Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut thonë se po hasin në grupe të migrantëve, të cilët synojnë të kalojnë territorin maqedonas dhe të vazhdojnë drejt Serbisë, ku më pas kanë destinacion vendet e Evropës.

Suzana Tuneva nga Kryqi i Kuq në Maqedoninë e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se para dy javësh pjesëtarët e kësaj organizate kanë takuar një grup të migrantëve nga Afganistani, në mesin e të cilëve ka pasur edhe fëmijë të mitur, të cilën nuk kanë qenë të shoqëruar nga prindërit, por persona të tjerë të rritur.

Ata thonë se në këto raste kur fëmijët janë vetëm, ata strehohen në qendrat për migrantë, derisa t’iu mundësohet bashkimi familjar.

“Përpiqemi që këta fëmijë t’i bashkojmë prapë me prindërit, familjet e tyre, por ky proces është i vështirë pasi nuk mund të sigurojmë identitetin e vërtetë të këtyre personave meqë me vete ata kanë dokumente të reme”, thotë ajo.

Jasmin Rexhepi, drejtuesi i organizatës jo-qeveritare Legis, e cila vepron në ndihmë të migrantëve për më shumë se 15 vjet, se në të shumtën e rasteve fëmijët udhëtojnë me ndonjë të afërm që nuk janë prindërit e tyre.

“Ata posedojnë ndonjë dokument letër në gjuhën prej ku vijnë , ku siç thonë në to theksohet se prindërit i kanë lejuar që këta fëmijë të udhëtojnë me ndonjë nga familjarët apo të njohurit e atyre, por këto letra nuk njihen nga autoritetet maqedonase”.

“Në këto raste këta fëmijë bashkë me grupin ose kthehen nga vendi prej ku kanë ardhur, kryesisht Greqia, ose vendosen në qendrat për strehimin e migrantëve nëse ata kërkojnë azil”, thotë ai, duke sqaruar se në qendrat strehuese Gjevgjeli dhe Shkup ndalen kryesisht vetëm ata që kanë probleme shëndetësore.

Numri i migrantëve në qendrat strehimore në Maqedoninë e Veriut sillet nga 30 deri 40. Një pjesë e migrantëve pasi stabilizojnë gjendjen e tyre shëndetësore largohen pa njoftuar autoritetet zyrtare maqedonase. Ata ikin nga këto qendra, pasi të kenë krijuar lidhje me trafikantët apo grupe migrantësh të tjerë për të vazhduar rrugën drejt Serbisë.

Rruga përmes së cilës lëvizin migrantët, e njohur si "Rruga Ballkanike", fillon nga Turqia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Serbia - drejt vendeve të BE-së.

Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e shteteve që përbëjnë të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, përmes së cilave migrantët synojnë të arrijnë deri në destinacion, shtet të Bashkimit Evropian. Edhe pse zyrtarisht ishte mbyllur në vitin 2016, kjo rrugë mbetet funksionale në tentim të kalimeve ilegale nga ana e migrantëve.

Ata vijnë kryesisht nga vendet e përfshira në luftë në Afrikën e Veriut, ku një pjesë e tyre braktisin vendet e origjinës edhe për shkak të mungesës së stabilitetit ekonomik dhe ndryshimeve klimatike, që kanë rritur urinë në shtetet prej ku largohen.

Valën më të madhe të migrantëve, Maqedonia e Veriut e përjetoi në vitet 2015 dhe 2016, kur në vend hynë dhjetëra mijëra migrantë të cilët iknin nga lufta në Siri.

Në atë periudhë, Evropa u solidarizua me njerëzit që iknin në vendet perëndimore, kështu që lëvizja e tyre u lejua përmes Rrugës Ballkanike.

Në zonat kufitare me Greqinë ishin regjistruar edhe përleshje me forcat e sigurisë ndërsa banorët e komunave për rreth me forcë kishin penguar ngritjen e kampeve për strehimin e tyre.

Në bazë të dhënave të dikasterit të punve të brendshme se pjesa më e madhe migreantëve gjatë periudhës kohore 2017 deri 2020 janë nga Pakistani, Afganistani, Siria dhe së fundmi dhe Bangladeshi e India.

Në bazë të të dhënave të ministrisë së Punëve të Brendshme numri i migrantëve të cilët në mënyrë të paligjshme kanë tentuar ta kalojnë territorin e Maqedonisë së Veriut në periudhën kohore janar-shtator të këtij viti, është rritur për shtatë për qind në krahasim me po të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2021 numri i kalimeve ilegale në Maqedoninë ë Veriut ka arritur në 20 mijë e 876 migrant.

Ndërsa në periudhën janar-shtator të këtij viti janë regjistruar mbi 22 mijë 800 tentime për kalimin e territorit të vendit në mënyrë ilegale.

Organizatat jo-qeveritare, të cilat veprojnë në terren thonë se kjo përqindje është shumë më e lartë, ngase sipas tyre në shifrat zyrtare bëjnë pjesë vetëm rastet të cilat arrijnë t’i kapin forcat e sigurisë, por dhe jo edhe ata që arrijnë të kalojnë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Rexhepi Drejtuesi thotë se ky numër për një të tretën është më Iartë nga jo që thonë shifrat zyrtare.

“Gjithsesi ata që arrijnë të kalojnë ilegalisht territorin e Maqedonisë së Veriut nuk regjistrohen nga policia maqedonase”, thotë ai.

Gjatë javës së kaluar Maqedonia e Veriut dhe Bashkimi Evropian nënshkruan marrëveshjen për Frontex, që ka të bëjë me mbrojtjen e kufijve nga migrimi i paligjshëm, përmes të cilës krijohen mundësi që ky mekanizëm të jetë më i përfshirë për sa i përket menaxhimit të kufijve të vendit.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, thotë për REL-in se marrëveshja me Frontex-in krijon më shumë mundësi për sa i përket ndihmës që do marrë vendi nga BE-ja për sigurinë së kufijve, përkatësisht luftën kundër aktiviteteve kriminale - ku bënë pjesë dhe trafikimi i migrantëve.

“Është karakteristike të theksohet se me kërkesë të Maqedonisë së Veriut mund të përgatitet dhe plani operativ, dhe këto forca [të Frontex-it] të shpërndahen në pikat kritike. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për migrimin ilegal, trafikimin e njerëzve të tjerë, por edhe luftën kundër kriminalitet transkufitar”, thotë ai.

Sipas tij, krahas këmbimit të informacioneve, me këtë marrëveshje krijohen kushte që të shfrytëzohen të gjitha kapacitet e Frontex-it, si ato materiale, teknike dhe këmbim të informacioneve.

XS
SM
MD
LG