Ndërlidhjet

Narracioni i (pa) efektshëm kundër ekstremizmit dhe radikalizmit fetar


Pamje nga Prishtina

Ndërtimi dhe vënia në funksion e një narracioni kundër propagandës që bëjnë individët, grupet apo organizatat që identifikohen si burim i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar që shpie në terrorizëm, ka qenë dhe mbetet pjesë e Strategjisë Kombëtare të Kosovës për parandalimin e këtyre fenomeneve.

Nga kjo strategji ka buruar edhe ligji që sanksionon këto veprime, si dhe pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftëra të huaja.

Por, vënia në funksion e kësaj kundër-narracionit synon t’u shpjegojë personave që i janë bashkangjitur luftërave në Lindje të Mesme ose që kanë bërë thirrje për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste, se një gjë e tillë është e gabuar.

Argumentimet dhe gabimet

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës në largim, Valdet Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se kundër-narracioni ndaj propagandës që vjen nga individët, grupet apo organizatat që i paraprijnë ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar që shpie në terrorizëm, ka qëllim që t’i bindë madje edhe vetë ata persona se janë në rrugë të gabuar.

“Në asnjë mënyrë nuk është ideja jonë që vetëm të kundërpërgjigjemi dhe të japim masa represive ndaj atyre që edhe mund të jenë manipuluar. Kjo strategji, përmban shumë aktivitete në vete, duke përfshirë edhe bisedat, në radhë të parë, qoftë edhe me ata pjesëmarrës që kanë marrë pjesë në luftërat e Lindjes së mesme dhe që janë penduar".

"Por, e rëndësishme është që t’i japim fokus dhe rëndësi të madhe edhe bashkëbisedimit me rrethin familjar, qoftë me familjen e ngushtë, por edhe rrethin shoqëror, në lagjet prej nga këta qytetarë tanë janë nisur drejt luftërave në Lindjen e Mesme”, thotë Hoxha.

Në ndërtimin e kundër-narracionit, strategjia parasheh përfshirjen e segmenteve të ndryshme të shoqërisë, që nga institucionet shtetërore, institucionet që përfaqësojnë bashkësitë fetare, si dhe shoqëria civile.

Në hartimin e Strategjisë kombëtare për parandalimin e këtyre fenomeneve, ka marrë pjesë edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Vedat Sahiti, këshilltar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që ky institucion fetar ka propozuar, sugjeruar dhe këshilluar një mori masash për parandalimin, por edhe për vetëdijesimin për pasojat e ekstremizmit me bazë fetare.

“Përveç planit të veprimit ndërqeveritar, me të gjitha institucionet e vendit dhe shoqërinë civile, Bashkësia Islame e Kosovës ka hartuar edhe një strategji të veten dhe një plan veprues brenda institucioneve të Bashkësisë Islame”.

“BIK-u ka përgatitur kundër-narracionet kundër ekstremizmit, të cilat ne i kemi përçuar edhe përmes ligjëratave të organizuara, qoftë në bashkëpunim me institucionet e vendit apo edhe me organizatat ndërkombëtare- në këtë rast po i përmend, OSBE-në UNDP-në, Ambasadën Amerikane - qoftë edhe përmes ligjëratave të ndryshme në nivel të xhamive dhe institucioneve tona të Bashkësisë Islame, duke vetëdijesuar rininë tonë, në veçanti për rrezikun e radikalizmit, ndaj të cilit nuk janë imune as shoqëritë dhe shtetet edhe më të konsoliduara”, thotë Sahiti.

Xhabir Hamiti, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkësia Islame e Kosovës, kohët e fundit, ka ndërmarrë disa hapa për vetëdijesimin e imamëve, në mënyrë që të mos bien në grackat e individëve dhe grupeve, që kanë qëllime ideologjike dhe politike në emër të fesë.

“Ka pasur dhe ka interpretime dhe qasje të ndryshme ndaj fesë. Këtë duhet pasur parasysh dhe të mbahen seminare intensive me imamët, në mënyrë që t’iu bëhet me dije se në çfarë vendi jetojnë, në çfarë rrethanash jetojnë, në çfarë pozicioni gjeografik dhe gjeopolitik jetojnë”.

“Shumë prej tyre nuk janë të vetëdijshëm as për rrymat politike fetare, të cilat janë aktive në botën arabe. Pra, kjo është imediate dhe duhet të veprohet me hapa sa më shpejt të mundshëm. Një hap të tillë, nuk e kam vërejtur të jetë intensiv brenda udhëheqjes ose liderëve të tanishëm të Bashkësisë Islame të Kosovës”, shprehet Hamiti.

Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet për të ndërtuar një kundër-narracion apo një argumentim se ideologjitë ekstremiste dhe radikale janë të gabuara dhe të devijuara, kanë mbetur kryesisht si përpjekje të izoluara.

Ky kundër-narracion, sipas tij, duhet të ndërtohet si i përgjithshëm, nga të gjithë faktorët institucionalë dhe shoqërorë. Ndërtimi i një kundër-narracioni, sipas tij, duhet të përjashtojë çfarëdolloj gabimi që mund të ndikojë në radikalizëm, ndërkohë që, siç thotë ai, gabime ka pasur mjaft.

“Gabim po e quaj rastin e fundit, në menaxhimin jashtëzakonisht të dobët në rastin e njoftimit për vrasjen e sinonimit të terrorizmit, Lavdrim Muhaxherit. Por, nuk është vetëm ky gabim. Në fakt, BIK-u ka tentuar ta ndërtojë një kundër-narracion, si institucion i veçantë. Qeveria ka filluar ta ndërtojë një kundër-narracion. Shoqëria civile ka qenë më e zëshmja me kundër-narracionin”, thotë Ramadani.

Efektet e kundër-narracionit

Por, a ka krijuar deri më tash efekte të dukshme ndërtimi dhe vënia në funksion e kundër-narracionit ndaj ideologjive ekstreme dhe radikale me sfond fetar?

Zëvendësministri Hoxha thotë se institucionet dhe shoqëria janë në rrugë të mirë për të arritur rezultate, pro, siç thotë ai, puna ende nuk ka përfunduar.

“Derisa nuk e arrijmë rezultatin qind për qind, po besoj që nuk duhet të krenohemi me këtë, sepse janë akte të natyrave dinake, të cilat asnjëherë nuk na lënë të jemi të sigurt se nuk do të ndodhë diçka. Por, se jemi në rrugë të mirë, kjo është më se e vërtetuar”.

“Në radhë të parë, nuk ka shkuarje të reja të qytetarëve tanë në ato luftëra. Pastaj, ka të kthyer, të cilët janë penduar dhe natyrisht, po përballen me drejtësinë. Kujtoj që edhe familjet e tyre, çdo ditë e më tepër, po bashkëpunojnë me mekanizmat e sigurisë”, deklaron Hoxha.

Por, mendim ndryshe ka Ramadani. Sipas tij, faktorët që e ushqejnë dhe ndikojnë radikalizmin, sikurse izolimi i të rinjve, pakënaqësitë, ndjenja e mungesës së drejtësisë, si dhe të një sistemi dhe qeverisjeje të drejtë, nuk janë eliminuar.

“Fatkeqësisht, përhapja e ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit është në vazhdim e sipër. Trendi i numrit të atyre qytetarëve të Kosovës që i janë bashkuar luftërave të huaja është në rënie të dukshme. Por, përhapja e ideologjisë ka vazhduar të jetë, sipas hulumtimeve që i kemi bërë ne si QKPS. Në të njëjtën kohë, faktorët ndikues në radikalizim, janë të njëjtë”, shprehet Ramadani.

Ai shton se edhe në fushatën e fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend, janë parë debate që në pika të caktuara janë ndërlidhur me religjionin, gjë që, sipas tij, nuk e ndihmon kundër - narracionin ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar.

Në përgjithësi, sipas tij, ky kundër-narracion nuk është formësuar tërësisht dhe kjo do të duhej të jetë edhe një nga detyrat e ardhshme të qeverisë së re të vendit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG