Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.

Përfundon protesta pas përplasjeve, ndryshimet në ligjin për Specialen s’u miratuan përfundimisht

  • Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
  • Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.
  • Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.
  • PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.
09:56 5.10.2026

Çfarë parasheh nisma e PDK-së për Specialen?

Derisa presim fillimin e seancës së Kuvendit, ju kujtojmë se nisma e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara prek disa aspekte kyç të funksionimit të tyre:

  • Ngushtimin e mandatit të Speciales, duke e lidhur atë me veprat specifike penale të përcaktuara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
  • Kufizimin e juridiksionit penal në rastet që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore, si dhe me vrasje, torturë apo trajtim mizor e çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.
  • Ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja, nga periudha aktuale janar 1998 - dhjetor 2000, në 1 korrik 1999 - 31 dhjetor 2000.
  • Kufizimin e juridiksionit territorial vetëm në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.
  • Kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, duke paraparë zbatimin e parimit të ligjit më të favorshëm për të dënuarin.
  • Mbajtjen e dënimeve në Kosovë në institucionet korrektuese të vendit.
  • Mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara.
  • Transferimin në sistemin gjyqësor të Kosovës të rasteve që nuk do të hynin më në juridiksionin e Speciales, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.
  • Transferimin në Kosovë të personave të ndaluar në rastet që kalojnë tek institucionet vendore. Ata do të duhej të dilnin para një gjyqtari në Kosovë brenda 48 orësh.
  • Mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin.
  • Rishqyrtimin e juridiksionit të çdo rasti brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. Në rastet me akuza të përziera, do të transferohej vetëm pjesa që nuk hyn në juridiksionin e rishikuar.
09:33 5.10.2026

Deputetët ende nuk janë mbledhur për seancë

Kanë kaluar rreth 30 minuta nga koha kur ishte paraparë të niste seanca e Kuvendit, por ajo nuk ka filluar ende.

Në sallë shihen të pranishëm vetëm disa deputetë të PDK-së - partisë që ka propozuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Shqyrtimi i këtij projektligji është pika e parë në rendin e ditës.

Kuvendi i Kosovës, 5 tetor 2026.
Kuvendi i Kosovës, 5 tetor 2026.
09:27 5.10.2026

A është konsultuar Specialja për ndryshimet e propozuara?

Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se nuk janë konsultuar për ndryshimet e propozuara në ligjin që rregullon funksionimin e tyre.

Çështja e konsultimit është e rëndësishme, pasi Kosova ishte zotuar në vitin 2014 që të konsultohej me Bashkimin Evropian për nisma ligjore, që mund të ndikojnë në mandatin e Speciales apo në procedurat e saj gjyqësore.

Vetë Dhomat e Specializuara kanë thënë se nuk komentojnë nisma politike.

Gjykata Speciale në Hagë
Gjykata Speciale në Hagë
09:06 5.10.2026

Protesta para Kuvendit

Ndërkohë që pritet nisja e seancës së Kuvendit, para ndërtesës së tij janë mbledhur protestues në mbështetje të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Protesta me thirrjet "Votojeni ligjin" po zhvillohet në të njëjtën kohë kur deputetët pritet ta shqyrtojnë projektligjin në lexim të parë.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG