Ndryshimet për Specialen marrin 91 vota në Kuvend
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në votim morën pjesë 91 deputetë.
Të gjithë votuan në favor të projektligjit, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.
Kurti: Na duhen institucione funksionale
Kryeministri Albin Kurti tha se për zbatimin e një strategjie shtetërore dhe kombëtare lidhur me proceset në Hagë, Kosovës i duhen institucione funksionale.
“Për ta zbatuar strategjinë na duhen institucione funksionale - president dhe qeveri stabile”, tha Kurti.
Më herët, ai tha se “adresa e fitores është apeli” dhe se për këtë nevojitet organizim që nuk duhet të jetë partiak.
Kurti paralajmëroi se gjatë ditës së sotme do të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Ai nuk dha më shumë hollësi për kohën apo temat që do të diskutohen në takim.
Kurti: Adresa e fitores është apeli
Kryeministri Albin Kurti tha se rruga për të kundërshtuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është procesi i apelit.
“Adresa e fitores është apeli”, tha Kurti.
Sipas tij, për këtë nevojitet “organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare”, e cila nuk duhet të jetë partiake.
“Nuk ndihmojnë veprimet pa strategji”, tha Kurti.
Kurti: Ndryshimet janë të ngutshme, por do t'i mbështesim
Kryeministri Albin Kurti tha se lufta e UÇK-së “ishte e drejtë” dhe se, sipas tij, UÇK-ja nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, por edhe ndaj asaj që ai e quajti gjenocid të Serbisë ndaj Kosovës.
“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”, tha Kurti.
Duke folur për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ai tha se koha për analizimin e tyre ka qenë e shkurtër dhe se LVV-ja i konsideron këto veprime të ngutshme.
“Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2015”, tha Kurti, duke shtuar se zemërimi i qytetarëve ndaj Speciales është, sipas tij, i drejtë dhe ka ekzistuar edhe atëherë, por nuk është marrë parasysh.
Kurti tha se përgjegjësinë për krijimin e Dhomave të Specializuara e mbajnë ata që e votuan themelimin e tyre, më 2015.
“Ne po ju mbështesim sot”, tha ai.