Ndërlidhjet

Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.

Përfundon protesta pas përplasjeve, ndryshimet në ligjin për Specialen s’u miratuan përfundimisht

  • Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
  • Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.
  • Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.
  • PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.
14:00 5.10.2026

Tahiri këmbëngul për votim urgjent të projektligjit në lexim të dytë

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, përsëriti kërkesën që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të votohen me urgjencë edhe në lexim të dytë.

“Kuvendi i Kosovës është i rrethuar me qytetarë që kanë ndjeshmëri për këtë temë, andaj nuk duhet të veprojmë sikur nuk po ndodh asgjë”, tha Tahiri në replikë ndaj kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ai tha se UÇK-ja është “mbi secilën parti politike dhe është e të gjithëve”.

“Të gjithë duhet ta mbrojmë dhe të vazhdojmë të jemi krenarë me të”, tha Tahiri.

13:57 5.10.2026

PDK-ja kërkon që ndryshimet për Specialen të votohen sot në lexim të dytë

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, kërkoi që shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të mbahet sot në orën 17:30.

“Me shumë respekt kërkoj mbështetjen e Kuvendit për këtë mocion”, tha Tahiri.

Arian Tahiri (Fotografi arkivi)
Arian Tahiri (Fotografi arkivi)

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se gjatë shqyrtimit të pikave të tjera të rendit të ditës nuk mund të ndërhyhet me mocione të tilla.

Ajo u bëri thirrje partive që, në vend të kësaj, të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, duke përmendur edhe situatën pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Nuk ka më të rëndësishme se presidenti. Nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje sërish”, tha Haxhiu, duke shtuar se është optimiste se mund të gjendet një zgjidhje.

“UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja. UÇK ka në secilën parti”, tha ajo.

Projektligji për Specialen u miratua më herët gjatë ditës në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

12:23 5.10.2026

Publikohet projektligji: Çfarë ndryshimesh parashihen për Specialen?

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.

Nisma, e cila tashmë është miratuar në lexim të parë, parasheh disa ndryshime thelbësore në funksionimin dhe juridiksionin e Speciales.

Ndër ndryshimet kryesore që parashihen:

  • Ngushtimi i juridiksionit të Speciales, duke e lidhur atë me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011;
  • Ndryshimi i periudhës kohore të juridiksionit, në 1 korrik 1999 - 31 dhjetor 2000;
  • Kufizimi i juridiksionit territorial në veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës;
  • Kufizimi i dënimit maksimal me burgim në 15 vjet;
  • Transferimi tek institucionet e Kosovës i rasteve që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më kompetencë e Dhomave të Specializuara;
  • Mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me juridiksionin;
  • Mundësia që të dënuarit t'i vuajnë dënimet në Kosovë;
  • Mundësia e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.

Projektligji parasheh gjithashtu rishqyrtimin e juridiksionit të rasteve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

Kuvendi e miratoi projektligjin në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim. LDK-ja nuk mori pjesë në votim.

Ende nuk është e qartë nëse projektligji do të kalojë në lexim të dytë gjatë ditës së sotme.

12:12 5.10.2026

Haxhiu u bën thirrje protestuesve që ta ruajnë qetësinë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje protestuesve para Kuvendit që të ruajnë qetësinë dhe karakterin paqësor të protestës.

“E drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë”, tha Haxhiu nga foltorja e Kuvendit.

“Dhuna e dëmton kauzën që të gjithë duam ta mbrojmë - atë të UÇK-së dhe të çlirimtarëve tanë. Vlerat e UÇK-së nuk mbrohen përmes dhunës”, tha ajo.

Thirrja e Haxhiut vjen pasi disa media raportuan për përplasje mes disa protestuesve dhe Policisë.

Sipas raportimeve, protestuesit tentuan të hynin në oborrin e Kuvendit, në kohën kur disa deputetë po largoheshin nga ndërtesa.

Kuvendi i Kosovës, 5 tetor 2026.
Kuvendi i Kosovës, 5 tetor 2026.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG