Protestuesit s’e lejojnë deputetin të largohet nga Kuvendi
Protestues të mbledhur përreth ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kanë penguar një deputet të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, të largohet nga oborri i këtij institucioni.
Ata e kthyen dhunshëm Fahrush Rexhepi brenda hapësirës së Kuvendit derisa po tentonte të largohej.
Ai u bart me forcë nga disa protestues dhe u hodh përtej rrethojave te Policia e Kosovës.
Protestuesit kanë thënë se nuk do të lejojnë asnjë deputet të largohet nga Kuvendi pa u miratuar plotësisht ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Më herët, as ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk është lejuar nga protestuesit të largohej nga Qeveria e Kosovës, megjithëse ai nuk është deputet.
Bislimi është kthyer me përcjelljen e Policisë së Kosovës pasi u kap për krahu nga disa protestues.
Çlirim Haziri, një nga organizatorët, tha se deputetët "mund të dalin vetëm mbi trupat tanë".
Takohen Kurti dhe Hamza
Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Në takim, Kurti po shoqërohet nga deputeti e ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa Hamza nga deputeti i PDK-së Rrahman Rama.
Tani mes tyre vjen pasi Kuvendi i miratoi në parim ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale dhe mes mospajtimeve mes LVV-së dhe PDK-së për votimin në lexim të dytë.
LVV kërkon që para se të shkohet me lexim të dytë, Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, duke ditur se afati kushtetues për këtë mbaron nesër më 6 tetor.
PDK-ja ngul këmbë që, fillimisht, të kalojnë ndryshimet në këtë ligj dhe pastaj të zgjidhet presidenti.
Çitaku: Nuk negociojmë me çështjen e ligjit
Vlora Çitaku, deputete e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), tha në një konferencë për media se “nuk negociojnë me çështjen e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës”.
Aktualisht pas përfundimit të pikave të rregullta të ditës, shumë deputetë janë shpërndarë, përveç atyre të PDK-së dhe Aleancës.
Çitaku i bëri thirrje deputetëve të kthehen për ta votuar projektligjin në lexim të dytë, duke shtuar se kjo çështje nuk duhet të lidhet me afatin për zgjedhjen e presidentit.
“Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë çështje të ndara. Ligji është detyrim, presidenti është marrëveshje. Nuk është ligj për kompromis as për koncesion. Nuk i bëhet nder PDK-së me këtë ligj, i bëhet nder historisë”, tha Çitaku.
Një person shoqërohet në polici gjatë protestës para Kuvendit
Policia e Kosovës njoftoi se e ka ndaluar një protestues nën dyshimin se ka hedhur mjete piroteknike gjatë protestës para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Policia tha se disa protestues kanë tentuar të futen brenda rrethojave të Kuvendit dhe kanë hedhur mjete piroteknike drejt objekteve shtetërore.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mbledhur para Kuvendit të protestojnë në mënyrë paqësore.