Përleshje mes protestuesve dhe Policisë
Protestuesit po përleshen me Policinë teksa tensionet para Kuvendit të Kosovës janë përshkallëzuar pasi nuk u hodhën në votim në lexim të dytë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Protestuesit kanë vazhduar të hedhin mjete piroteknike në drejtim të ndërtesës së Kuvendit, duke nxitur reagim nga oficerët e Policisë.
Policia i ka zmbrapsur ata me gaz lotsjellës.
Tensionet vazhdojnë
Forca të shtuara të Policisë vazhdojnë të qëndrojnë përreth oborrit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, teksa protestuesit vazhdojnë të hedhin mjete piroteknike.
Protestuesit shihen edhe me maska goje pasi Policia po vazhdon t’iu përgjigjet me gaz lotsjellës.
Ndërkohë, në rrugën “Agim Ramadani” pranë Kuvendit vazhdon të jetë e bllokuar nga protestuesit.
Në këtë rrugë janë vendosur edhe kontejnerë mbeturinash që po digjen nga zjarri.
Çitaku i bën thirrje Vetëvendosjes të kthehet në sallë për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, nga holli i Kuvendit, i bëri edhe një herë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në sallë për të votuar në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ky nuk është favor. Kjo është detyrë e obligim. Ne jemi këtu dhe nuk do të largohemi”, tha Çitaku.
Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje u panë teksa dilnin nga ndërtesa e Kuvendit rreth orës 19:00.
Tensione jashtë Kuvendit
Tensionet jashtë Kuvendit të Kosovës janë shtuar në mbrëmje pasi protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, teksa presin që deputetët t’i kalojnë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Policia e Kosovës iu përgjigj protestuesve me gaz lotsjellës para Kuvendit.
Rruga kryesore pranë Kuvendit të Kosovës është bllokuar, ndërsa në rrugë janë parë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Në rrugë dëgjohen edhe sirenat e autoambulancave.
Paraprakisht, policia kishte formuar një kordon pranë ndërtesës së Kuvendit.
Rreth orës 19:00, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje u panë duke u larguar nga ndërtesa e Kuvendit.