Një orë vonesë, seanca nuk ka nisur ende
Ka kaluar saktësisht një orë nga koha kur ishte paraparë të niste seanca e Kuvendit për shqyrtimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Seanca ende nuk ka filluar, ndonëse në sallë tashmë vërehet një numër më i madh i deputetëve të pranishëm.
Deputetët po mblidhen në sallë
Deputetët kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit, ndërsa pritet fillimi i seancës për shqyrtimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në sallë tashmë shihen deputetë nga disa parti parlamentare.
Seanca ishte paraparë të niste në orën 09:00 dhe tashmë është me më shumë se një orë vonesë.
Nis seanca
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, me më shumë se një orë vonesë.
Pas votimit për konstatimin e pranisë, është bërë e ditur se në sallë janë të pranishëm 101 deputetë.
Pika e parë në rendin e ditës është shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Gruda: Projektligji heq një pjesë të juridiksionit të Speciales
Deputeti i PDK-së dhe propozuesi i projektligjit, Përparim Gruda, tha para Kuvendit se themelimi i Dhomave të Specializuara ishte i lidhur në thelb me pretendimet për trafikim organesh.
Sipas tij, proceset gjyqësore të zhvilluara në Hagë kanë treguar se nuk ka pasur trafikim organesh.
Gruda tha se ndryshimet e propozuara nuk ia heqin Speciales të drejtën për të vazhduar punën, por synojnë t'ia kufizojnë një pjesë të juridiksionit, përfshirë atë që lidhet me krimet e luftës.
Ai argumentoi se juridiksioni i paraparë fillimisht për Dhomat e Specializuara nuk synonte që ato të trajtonin raste që, sipas tij, nuk lidhen me pretendimet mbi të cilat u krijua gjykata.