Ndërlidhjet

Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.

Përfundon protesta pas përplasjeve, ndryshimet në ligjin për Specialen s’u miratuan përfundimisht

  • Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
  • Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.
  • Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.
  • PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.
10:45 5.10.2026

Hamza kërkon që deputetët të votojnë njëzëri

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u bëri thirrje deputetëve që të kenë qëndrim të përbashkët në votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Ju lus, deputetë, që të kemi qëndrim unik në votimin e këtij projektligji”, tha Hamza.

Ai tha se nisma nuk duhet të shihet si ligj i PDK-së dhe as si çështje që prek vetëm mandatin e këtij Kuvendi.

Ushtarë të UÇK-së ka në të gjitha partitë e Kosovës, prandaj është vlerë përtej një subjekti politik, tha Hamza.

10:49 5.10.2026

Lushaku-Sadriu: Nisma mund të mos prodhojë efekt juridik

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se për partinë e saj lufta e UÇK-së “ka qenë e shenjtë”, por ngriti pikëpyetje për efektin juridik të ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ajo tha se miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi nuk garanton zbatimin e tyre.

“Kjo nismë mund të mos prodhojë efekt juridik”, tha Lushaku-Sadriu, duke paralajmëruar se pasojat mund t’i mbeten shtetit të Kosovës.

Sipas saj, për LDK-në, rruga për ndryshimin e një aktgjykimi të Dhomave të Specializuara është ajo gjyqësore, përmes procesit të apelit.

10:50 5.10.2026

LDK: Nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj nisme

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se partia e saj nuk mund të bëhet pjesë e nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ajo u bëri thirrje deputetëve që, gjatë votimit, të veprojnë “në interes të drejtësisë”.

“Për LDK-në, lufta e UÇK-së është e shenjtë”, tha Lushaku-Sadriu.

Ajo argumentoi se miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi nuk garanton zbatimin e tyre dhe se nisma “mund të mos prodhojë efekt juridik”.

10:53 5.10.2026

Haradinaj: Aleanca e voton projektligjin

Ramush Haradinaj nga Aleanca tha se partia e tij do t’i votojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Sipas Haradinajt, anulimi i Dhomave të Specializuara “do të ishte përgjigjja e drejtë për fyerjen që na është bërë”, por Aleanca do ta mbështesë nismën që është sot para Kuvendit.

Ai kërkoi që projektligji të votohet sot edhe në lexim të dytë.

“Rrugëtimin tonë deri këtu e kemi bërë edhe me gabime, por fajin duhet ta gjejmë te vetja, sepse vetëm ne mbajmë përgjegjësi për fatin dhe të vërtetën tonë”, tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj


Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG