Ndërlidhjet

Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.

Përfundon protesta pas përplasjeve, ndryshimet në ligjin për Specialen s’u miratuan përfundimisht

  • Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
  • Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.
  • Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.
  • PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.
11:13 5.10.2026

Çfarë ndodh tani me projektligjin?

Miratimi në lexim të parë nuk e përfundon procedurën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Projektligji tani duhet të shqyrtohet nen për nen në komisionin përgjegjës, ku mund të propozohen edhe amendamente.

Pas kësaj, ai duhet të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Rregullorja e Kuvendit lejon që, në rrethana të caktuara, të shmangen afatet e zakonshme procedurale, nëse këtë e propozojnë së paku gjashtë deputetë dhe e mbështesin dy të tretat e deputetëve të pranishëm.

Aleanca tashmë ka kërkuar që projektligji të votohet edhe në lexim të dytë gjatë ditës së sotme.

11:18 5.10.2026

Protestuesit mbeten para Kuvendit pas votimit

Edhe pas miratimit të projektligjit në lexim të parë, protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë para Kuvendit të Kosovës.

Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestës, tha se protesta nuk përfundon me votimin e sotëm.

“Këtu nuk mbaron, këtu veç sa ka filluar”, tha Haziri.

Sipas tij, protestuesit do të qëndrojnë para Kuvendit derisa projektligji të kalojë edhe në lexim të dytë.

Protesta para Kuvendit, 5 tetor 2026.
Protesta para Kuvendit, 5 tetor 2026.
11:32 5.10.2026

Për ju që sapo na jeni bashkuar:

  • Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Të 91 deputetët që morën pjesë në votim votuan për - asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
  • Projektligji nuk është miratuar ende përfundimisht. Ai duhet të kalojë nëpër shqyrtim në komision dhe më pas të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë. Aleanca kërkoi që edhe votimi i dytë të bëhet sot.
  • LVV-ja e mbështeti nismën. Kryeministri Albin Kurti tha se ndryshimet janë të ngutshme, por se partia e tij do t’i mbështesë. Ai tha gjithashtu se “adresa e fitores është apeli” dhe kërkoi strategji shtetërore e kombëtare për proceset në Hagë.
  • LDK-ja nuk mori pjesë në votim. Partia tha se nuk mund të bëhet pjesë e nismës, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara “mund të mos prodhojnë efekt juridik”. Sipas LDK-së, rruga për ndryshimin e një aktgjykimi është ajo gjyqësore, përmes apelit.
  • PDK-ja, propozuese e ndryshimeve, tha se nisma nuk synon mbylljen e Speciales, por kufizimin e juridiksionit të saj dhe rritjen e mbikëqyrjes. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kërkoi që deputetët të kenë qëndrim unik për projektligjin.
  • Ndryshimet prekin disa pjesë kyç të funksionimit të Speciales: juridiksionin dhe periudhën që ajo mbulon, dënimin maksimal - që propozohet të jetë 15 vjet burgim - mbajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë e faljes presidenciale.
  • Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë para Kuvendit edhe pas votimit në lexim të parë. Organizatorët thanë se do të qëndrojnë aty derisa projektligji të kalojë edhe në lexim të dytë.
11:52 5.10.2026

Ende e paqartë nëse projektligji do të votohet sot në lexim të dytë

Pas miratimit në lexim të parë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Kuvendi po vazhdon punimet me pika të tjera të rendit të ditës.

Ende nuk është bërë e ditur nëse projektligji për Specialen do të rikthehet sot në seancë për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Para se të kalojë në lexim të dytë, projektligji duhet të shqyrtohet nen për nen në komisionin përgjegjës, ku mund të propozohen edhe amendamente.

Ramush Haradinaj nga Aleanca kërkoi që i gjithë procesi të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Ramush Haradinaj gjatë fjalimit në Kuvend, 5 tetor 2026.
Ramush Haradinaj gjatë fjalimit në Kuvend, 5 tetor 2026.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG