Ndërlidhjet

Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.

Përfundon protesta pas përplasjeve, ndryshimet në ligjin për Specialen s’u miratuan përfundimisht

  • Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
  • Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.
  • Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.
  • PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.
14:06 5.10.2026

Bugaqku: Votimi i projektligjit para 72 orësh mund të çojë në shkelje kushtetuese

Njohësi i çështjeve ligjore nga Instituti Demokratik i Kosovës, Vullnet Bugaqku, paralajmëron se Kuvendi mund ta shkelë Rregulloren e punës dhe, për pasojë, Kushtetutën, nëse projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara e voton në lexim të dytë pa kaluar së paku 72 orë nga miratimi në lexim të parë.

“Kjo rregullore thotë se, pasi të votohet ligji në lexim të parë, duhet të kalojnë së paku 72 orë për t’u miratuar në lexim të dytë”, tha Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Vullnet Bugaqku
Vullnet Bugaqku

Sipas tij, Rregullorja e Kuvendit lejon përjashtim nga ky afat vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme ose shpalljes së gjendjes emergjente.

Bugaqku rikujtoi se Gjykata Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2024, kishte konstatuar shkelje kushtetuese dhe kishte shfuqizuar 12 ligje për shkak të shmangies së afateve procedurale gjatë miratimit të tyre.

Nëse ndryshimet për Specialen miratohen para kalimit të 72 orëve, sipas tij, çështja mund t'i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Një kërkesë të tillë mund ta bëjnë së paku dhjetë deputetë, presidenti ose Qeveria.

Projektligji u miratua të hënën në lexim të parë, ndërsa PDK-ja ka kërkuar që ai të shqyrtohet dhe votohet në lexim të dytë gjatë së njëjtës ditë.

14:27 5.10.2026

Emini: Ndryshimet për Specialen janë bërë pjesë e pazareve për presidentin

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është shndërruar në pjesë të negociatave politike për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, vlerëson Donika Emini, njohëse e zhvillimeve politike.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Emini tha se mënyra se si është lidhur kjo nismë me procesin për presidentin, tregon se çështja e Speciales ka marrë një dimension të fortë politik.

“Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë shndërruar në një nga pazaret më të mëdha politike në Kosovë për momentin”, tha Emini.

Sipas saj, kjo po ndodh në një periudhë të polarizimit të madh politik dhe shoqëror, veçanërisht pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe protestave që pasuan.

“Vetë fakti që ligji është lidhur drejtpërdrejt me zgjedhjen e presidentit e bën shumë të qartë karakterin e tij politik. Në këtë pikë, ligji është shndërruar në një monedhë shkëmbimi në negociatat për presidentin”, tha Emini.

Donika Emini
Donika Emini

Si po pozicionohen partitë?

Emini e sheh qëndrimin e LDK-së ndaj projektligjit si një prej pozicionimeve më të qarta opozitare të kësaj partie gjatë vitit të fundit.

LDK-ja ka thënë se nuk mund të bëhet pjesë e nismës, duke argumentuar se ndryshimet mund të mos prodhojnë efekt juridik dhe se rruga për ndryshimin e aktgjykimeve të Dhomave të Specializuara është përmes procesit gjyqësor.

Në të njëjtën kohë, sipas Eminit, LDK-ja ka treguar fleksibilitet në çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Kjo është e rëndësishme, sepse LDK-ja po pozicionohet shumë qartë përballë elektoratit të saj dhe, në një masë, po e definon veten më qartë si opozitë”, tha ajo.

Ndryshe nga LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje e mbështeti projektligjin.

Emini thotë se në këtë çështje po shihet një “përputhje interesash” mes LVV-së dhe PDK-së, pas një periudhe negociatash mes dy partive për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin.

“Nuk do ta quaja domosdoshmërisht aleancë politike në këtë fazë, por është e qartë se ekziston një mirëkuptim politik rreth kësaj çështjeje”, tha ajo.

Çfarë nënkupton kjo për LVV-në dhe PDK-në?

Sipas Eminit, mbështetja e ndryshimeve i mundëson LVV-së t'i referohet qëndrimit të saj të kahershëm kundër krijimit të Dhomave të Specializuara.

LVV-ja kishte kundërshtuar themelimin e tyre në vitin 2015, ndërsa tani po mbështet një projektligj që synon, ndër të tjera, t'ua kufizojë juridiksionin.

Sipas Eminit, kjo i mundëson partisë që t'u përgjigjet njëkohësisht protestuesve, elektoratit të vet tradicional dhe një pjese të opinionit publik që e ka pritur negativisht aktgjykimin e 16 shtatorit.

Ajo thotë se për PDK-në situata është më e ndërlikuar.

Sipas saj, aktgjykimi mund të ketë rritur simpatinë ndaj partisë për shkak të lidhjes së saj historike me disa prej ish-udhëheqësve të UÇK-së, por lidhja e ndryshimeve ligjore me negociatat për presidentin mund të sjellë edhe rrezik politik.

“Nëse ligji shndërrohet kryesisht në rezultat të një marrëveshjeje mes PDK-së dhe Vetëvendosjes, të dyja partitë mund të kenë përfitime elektorale, sidomos në rast të zgjedhjeve të reja”, tha Emini.

Megjithatë, sipas saj, është ende herët të përcaktohet se cila parti mund të përfitojë apo humbasë politikisht nga zhvillimet aktuale.

Emini thotë se përtej kalkulimeve politike ekziston një çështje më e rëndësishme: nëse dhe si ndryshimet e propozuara do të mund të prodhonin efekt juridik.


14:31 5.10.2026

Të dashur lexues,

Faleminderit që po i përcillni zhvillimet me Radion Evropa e Lirë.

Nga unë, Valona Tela, kaq për momentin. Mbulimin e vazhdon kolegu im, Ekrem Idrizi.

Qëndroni me ne!

15:38 5.10.2026

Ende s’është e qartë nëse sot do të ketë votim në lexim të dytë

Derisa deputetët po vazhdojnë të diskutojnë e kalojnë projektligje të ndryshme në agjendën ditore, nuk është ende e qartë nëse ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara do të hidhen në votim edhe në lexim të dytë.

Më herët, PDK-ja, si nismëtare e ndryshimeve, kërkoi që votimi të zhvillohet në orën 17:30, por kjo u kundërshtua nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se, së pari, palët duhet të arrijnë pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

“Si ka mundësi që, pa kaluar pak kohë, dilni dhe e ndryshoni qëndrimin? Nuk ju kuptoj. Është e rëndësishme t’i japim vendit president. Sot ju ftoj të takoheni, të merreni vesh. Nuk ka më të rëndësishme se presidenti”, tha Haxhiu duke iu përgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.

Vetë PDK-ja ka shprehur gatishmëri për ta ndihmuar në zgjedhjen e presidentit të ri, në këmbim të miratimit të ndryshimeve në ligjin për Specialen.

Kryetari i saj, Bedri Hamza, u takua disa herë javët e fundit me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar për këto dy çështje.

Kurti paralajmëroi sot më herët nga foltorja e Kuvendit se do ta takonte Hamzën më vonë gjatë ditës.

Nuk dihet nëse deri tani ka ndodhur ndonjë takim mes tyre që nga miratimi i ndryshimeve në parim.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG