IKD bën thirrje të mos pengohen fizikisht deputetët
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u ka bërë thirrje protestuesve të mos i pengojnë fizikisht deputetët, por t’i lejojnë të votojnë të lirë.
Në një reagim në Facebook, pasi një deputet s’u lejua të largohej nga Kuvendi mes thirrjeve për votimin e ndryshimeve në ligin për Gjykatën Speciale, IKD-ja tha se kërcënimet dhe përdorimi i dhunës janë trysni mbi Kuvendin dhe mbi ushtrimin e lirë të mandatit.
“Asnjë protestues apo organizatë nuk mund të vendosë përmes bllokimit fizik se kush hyn, kush del apo si duhet të votojë një deputet. Deputetët kanë të drejtë të votojnë, të mos votojnë dhe të mbajnë përgjegjësi politike për vendimet e tyre. Protesta duhet të mbetet protestë, ndërsa presioni politik nuk mund të shndërrohet në presion fizik”, thuhet në reagim.
Ajo u bëri thirrje organizatorëve të protestës para Kuvendit t’u kërkojnë qartë protestuesve që protesta të vazhdojë pa dhunë dhe pa pengim fizik të deputetëve.
Haziri: Ejani të gjithë te Kuvendi i Kosovës
Organizatori i protestës para Kuvendit të Kosovës, Çlirim Haziri, ka bërë thirrje për protestë gjithëpopullore para organit ligjvënës, duke shtuar trysninë mbi të për kalimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale.
“UÇK-ja ka nevojë për ne. TANI! Sot nuk ka vend për heshtje. Sot duhet të jemi të gjithë bashkë. Për UÇK-në. Për drejtësi. EJANI TANI”, shkroi ai në Facebook.
Thirrja e tij vjen teksa kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, janë duke e zhvilluar një takim në përpjekje për të arritur një marrëveshje për kalimin e ndryshimeve në lexim të dytë dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Kuvendi i miratoi në parim ndryshime në këtë ligj, por partia në pushtet kërkon që tani të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës, duke ditur se afati kushtetues për këtë mbaron nesër më 6 tetor, dhe pastaj Kuvendi t’i votojë në lexim të dytë ndryshimet në ligjin për Specialen.
Përfundon takimi Kurti-Hamza
Një takim mes kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përfunduar çaste më parë.
Nuk është e qartë nëse palët kanë arritur pajtueshmëri për çështjen e ndryshimeve në ligjin për Specialen dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë mëson se pas takimit është mbledhur grupi parlamentar i PDK-së.
Takimi mes Kurtit dhe Hamzës u zhvillua pasi Kuvendi i miratoi në parim ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale dhe mes mospajtimeve mes LVV-së dhe PDK-së për votimin në lexim të dytë.
LVV kërkon që para se të shkohet me lexim të dytë, Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, duke ditur se afati kushtetues për këtë mbaron nesër më 6 tetor.
PDK-ja ngul këmbë që, fillimisht, të kalojnë ndryshimet në këtë ligj dhe pastaj të zgjidhet presidenti.
Forca të shtuara policore në Kuvend
Në hyrje-daljet e oborrit të Kuvendit të Kosovës janë vendosur forca të shtuara policore pasi protestuesit kanë tentuar t’i bllokojnë ato për të mos i lejuar deputetët të largohen nga ndërtesa, duke kërkuar që të miratohen plotësisht ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Njësite policore për kontrollin e trumave të trazirave janë zhvendosur në mbrëmje në perimetrin e Kuvendit.
Më herët gjatë ditës, protestuesit e kthyen dhunshëm një deputet brenda oborrit të Kuvendit, duke mos e lejuar të kalojë.
Kuvendi i miratoi në parim ndryshimet në ligjin për Specialen, por ato duhet të kalojnë edhe në lexim të dytë për të pasur efekt.
Ndryshimet nuk u hodhën në votim pasi partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti kërkon që, fillimisht, Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, afati për të cilin mbaron pas rreth 24 orëve.
Partia Demokratike e Kosovës, subjekti më i madh opozitar në vend, ka thënë se do ta mbështeste zgjedhjen e presidentit, por kërkon që së pari të kalojnë ndryshimet në ligjin për Specialen.
Sa për t’jua kujtuar, Kurti dhe lider i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilluan një takim orë më parë për këto dy çështje, por nuk ndihet nëse kanë arritur gjuhë të përbashkët.