Ndërlidhjet

KS i OKB-së diskuton sot operacionin turk në Siri


Luftëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane pak para se të nisen drejt kufirit sirian
Luftëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane pak para se të nisen drejt kufirit sirian

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë situatën në rajonin Afrin të Sirisë, pasi trupat turke dhe aeroplanët luftarakë kanë nisur një operacion në rajonin e udhëhequr nga kurdët.

Diplomatët kanë thënë më 21 janar, se bisedimet me dyer të mbyllura, të kërkuara nga Franca, pritet të mbahen sot në orën 17:30, duke iu drejtuar edhe fushatës ushtarake të Qeverisë siriane në provicën Idlib dhe Ghoutën Lindore.

Ministri i Jashtëm Francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se shteti i tij është thellësisht i shqetësuar nga “degradimi brutal i situatës” në Afrin, pasi vëzhguesit e të drejtave të njeriut kanë raportuar së të paktën 18 persona janë vrarë në 24 orët e para të operacionit turk.

Forcat turke kanë nisur operacionin më 20 janar, me qëllim të largimit të milicisë së Njësiteve Kurde për Mbrojtjen e Popullit (YPG), pavarësisht paralajmërimit të Shteteve të Bashkuara se një hap i tillë mund ta destabilizojë edhe më shumë rajonin.

Turqit akuzojnë YPG-në për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila ka zhvilluar kryengritje ne juglindje të Turqisë për më shumë se 30 vite.

Për më shumë, PPK, konsiderohet si grupi terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Më 21 janar, kryeministri turk, Binali Yildirim, ka thënë se trupat e shtetit të tij kanë depërtuar në kufirin sirian në ditën e dytë të operacionit të Ankarasë.

Ai ka pretenduar se focat e YPG-së, kanë nisur 11 raketa në vendet turke, duke lënë të vdekur të paktën një refugjat sirian në fshatin kufitar dhe duke lënduar 47 persona të tjerë.

Zyrtarët kanë thënë, se forcat turke kanë qenë duke avancuar së bashku me forcat e Ushtrisë së Lirë Sirine (FSA), e cila kërkon ta rrëzojë nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad dhe është i mbështetur nga ushtria turke.

Numri i ushtarëve turq të përfshirë në këtë operacion nuk është bërë i ditur.

Yildirim është cituar të ketë thënë se operacioni ka pasur qëllim krijimin e një zoneje të sigurisë 30 kilometra brenda Sirisë.

Tym në një territor sirian, pas sulmeve të ushtrisë turke
Tym në një territor sirian, pas sulmeve të ushtrisë turke

Në një deklaratë të publikuar më 21 janar, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Turqisë të ushtrojë vetëpërmbajtje dhe të sigurohet se ofensiva “është e limituar në shtrirje dhe kohë”.

Ndaras, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis ka thënë, se aleati i NATO-s Turqia ka pasur shqetësime “legjitime” në Siri dhe se zyrtarët amerikanë kanë pranuar njoftim paraprak për operacionin turk.

“Turqia ka qenë e sinqertë”, u ka thënë ai gazetarëve.

“Ata na kanë paralajmëruar që para se të nisnin operacionin ajror se do të konsultohen me ne, dhe tani jemi duke punuar përmes Ministrisë së tyre për punë të Jashtme”.

“Nivelet tona më të larta janë të përfshira dhe jemi duke punuar në këtë situatë”, ka shtuar ai.

Qeveria siriane e ka dënuar atë që e ka cilësuar “agresion turk në Afrin”, ka raportuar media shtetërore siriane.

Irani dhe Egjipti po ashtu e kanë dënuar operacionin e Turqisë.

Ushtria turke ka thënë se 153 caqe të militantëve kurdë janë goditur nga armatimi dhe aeroplanët ushtarakë nga ana e Turqisë.

Zyrtarët turkë kanë konfirmuar se ka pasur viktima, mirëpo kanë thënë se të gjithë janë anëtarë të militantëve kurdë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se operacioni ushtarak “Dega e Ullirit”, që ka nisur në Afrin mund të përcillet nga një tjetër operacion në Manbij.

“Aeroplanët tanë kanë filluar bombardimin. Dhe tani operacioni tokësor është duke u zhvilluar”, ka thënë Erdogan.

“Tani e shohim si YPG është duke u larguar nga Afrini. Ne do t’i ndekim ata. Me dëshirën e Zotit, ne do të përfundojmë këtë operacion shumë shpejt”.

Ministria e Mbrojtjes në Rusi ka thënë se është duke tërhequr trupat e saj nga zona e Afrinit “për të parandaluar ndonjë provokim dhe të largojë rrezikun për personelin e ushtrisë ruse”.

Rusia i ka dhënë mbështetje vendimtare Qeverisë së Assadit me vite të tëra, derisa kjo e fundit ka vrarë mijëra persona dhe ka detyruar shpërnguljen e miliona personave të tjerë, prej kur kanë filluar pakënaqësitë në mars të vitit 2011.

Agjencia e lajmeve shtetërore ruse, RIA Novosti ka thënë, se Moska do të kërkojë në OKB, që Turqia të ndalojë operacionin, duke cituar një anëtar të komitetit të sigurisë në Parlamentin rus.

Së bashku me Rusinë, Irani po ashtu e mbështet Assadin në luftën civile sirine, derisa Shtetet e Bashkuara dhe Turqia përkrahin një tjetër grup rebel, i cili lufton Qeverinë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG