Ndërlidhjet

Operacione të rralla kryhen edhe në Kosovë


Pamje nga një operacion i kryer në QKUK
Pamje nga një operacion i kryer në QKUK

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndonëse me mungesa të mëdha, si të barnave dhe materialit shpenzues, ashtu edhe të stafit, po arrihet të kryhen edhe operacione të rralla, përkatësisht nga më të vështirat.

Një operacion i tillë, së fundit, është realizuar tek një foshnje e porsalindur, e cila kishte problemin e ngufatjes nga qumështi.

Gani Çeku, kirurg i fëmijëve tha për Radion Evropa e Lirë se operacionin që e kanë kryer ka qenë i pari që nga pas lufta, duke sqaruar se kjo anomali e lindur, në gjithë botën, përcillet me vdekshmëri të lartë.

“Para disa ditësh patëm një fëmijë të porsalindur, me anomali të lindur që manifestohet me mungesën e kapërcallit, pra ushqimi nga goja nuk mund të përcjellët në lukth. Kjo sëmundje përcillet me vdekshmëri shumë të lartë në gjithë botën. Kjo i ka takuar tipit të katërt dhe ka qenë rast sfidues. Kemi qenë tre kirurgë dhe operacioni është kryer me sukses”, tha Çeku.

Megjithëkëtë, kushtet ku këta kirurgë punojnë nuk janë në nivelin e duhur. Në sallat operative zakonisht ka mungesë barnash e materialit shpenzues, si dhe të aparaturës së avancuar.

Çeku tutje shton se megjithatë, profesionistët shëndetësorë po arrijnë të kryejnë operacione të rralla, e që janë shumë të ndërlikuara.

“Kushtet ku ne punojmë janë jo të mira. Në vendet e zhvilluara këto operacione kryhen në kushte shumë më të avancuara. Metodat që përdoren janë shumë më të sofistikuara. Ne kemi bërë trajnime jashtë vendit dhe e kemi parë vetë”, tha Çeku.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim, thotë se ndonëse sektori i shëndetësisë vazhdon të përballet me shumë sfida, në praktikë aty punohet, falë stafit të profesionistëve.

“Përkundër problemeve që ekzistojnë në sektorin shëndetësorë praktika e dëshmon se brenda QKUK-së, por edhe më gjerë, ka profesionistë që janë të përkushtuar në punën e tyre dhe me operacione të rralla dëshmojnë se mund të jenë në nivel me kolegët e tyre, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, tha Hoti.

Gjithashtu edhe një operacion tjetër specifik, është kryer ditën e enjte në Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Aty, me anë të operimit, pacientit i është hequr një tumor me dimension 30 me 20 centimetra. Ky operacion ka zgjatur mbi 5 orë.

Sidoqoftë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thonë se në rastet kur vlerësohet se ka komplikime dhe probleme rreth ndërhyrjeve kirurgjike te fëmijët, mjekët ndihmohen edhe nga ekipet e huaja.

Marrëveshjet mes qendrave klinike botërore, për të sjellë ekspertë shëndetësorë të huaj në Kosovë, ka bërë që nga përvojat që shkëmbehen të përfitojnë si pacientët, po ashtu edhe mjekët.

“Përmes Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, përmes odave të mjekëve dhe qendrave të ndryshme në perëndim, ne po synojmë ta ngrisim nivelin e bashkëpunimit dhe eksperiencat e ndryshme të shfrytëzohen nga profesionistë kosovarë”.

“Ne në vazhdimësi kemi pasur mjekë ndërkombëtarë që kanë kryer operacione të rralla në QKUK, ku mjekët tonë kanë marrë përvoja nga ta, por gjithashtu edhe mjekët kosovarë kanë marrë përvoja në qendra të ndryshme spitalore në vende të ndryshme të botës”, tha Faik Hoti për Radion Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG