Ndërlidhjet

Opozita dhe Lista Serbe bojkotojnë fjalimin e presidentit Thaçi 


Presidenti Hashim Thaçi mban fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës
Presidenti Hashim Thaçi mban fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës

Kosovës i duhet një Ekip Uniteti për përfaqësim në fazën finale të dialogut me Serbinë, ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi. Këto komente, ai i bëri gjatë adresimit vjetor para Kuvendit të Kosovës. Por, ndërkohë që kërkoi unitet, fjalimi i Thaçit u përcoll vetëm nga 39 deputetë, ngaqë u bojkotua nga opozita, Lista Serbe dhe disa deputetë të tjerë.

Sidoqoftë, Thaçi tha se institucionet e Kosovës, janë të gatshme ta vazhdojnë dialogun me Serbinë.

“Kam filluar konsultat formale dhe joformale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një ekip të dialogut, të unitetit, për të siguruar gjithpërfshirje në këtë proces. U bëj thirrje të gjithëve që të jemi të bashkuar në këtë proces. Sa herë që jemi bashkuar, Kosova ka fituar dhe qytetarët na kanë mbështetur”, theksoi Thaçi.

Në vijim, presidenti Thaçi kërkoi nga institucionet përgjegjëse, sidomos nga Kuvendi i Kosovës, që pa humbur kohë ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ai tha se Kosova nuk mund ta fajësojë në vazhdimësi Bashkimin Evropian dhe pa humbur kohë ta plotësojë këtë kriter, në mënyrë që të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë e pa viza.

“Duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i saj i jep fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës. Janë inkurajuese bisedimet e fundit që po zhvillohen në kuadër të institucioneve të Kosovës, ku janë të përfshira Qeveria, Kuvendi dhe faktorët tjerë, që të gjendet një zgjidhje brenda javëve të ardhshme”, tha Thaçi.

Njëherësh, Thaçi i ka bërë thirrje edhe Qeverisë së Kosovës që pa humbur kohë të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si obligim që ka Kosova karshi dialogut të Brukselit me Serbinë dhe Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve reciproke.

Presidenti Thaçi, edhe këtë herë ka premtuar se viti i ardhshëm do të jetë vit i themelimit të Ushtrisë së Kosovës. Premtime të tilla, ai kishte bërë edhe gjatë adresimeve tjera viteve të kaluara, qoftë nga kapaciteti i liderit të Partisë Demokratike apo si kryeministër i Kosovës.

“Unë sot dua t’ju siguroj që bashkërisht me Qeverinë, me Kuvendin dhe partnerët tanë strategjikë do të punojmë që viti 2018, të jetë viti i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Kjo do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë”, tha Thaçi.

Thaçi tha se sundimi i ligjit, mbetet prioritet i përhershëm i shtetit. Ai është zotuar se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit do të fitohet dhe Kosova do të dëshmohet si shtet i qëndrueshëm dhe demokratik.

Opozita dhe Lista Serbe kanë bojkotuar fjalimin e presidentit Thaçi
Opozita dhe Lista Serbe kanë bojkotuar fjalimin e presidentit Thaçi

Fjalimi i presidentit Thaçi është bojkotuar nga opozita. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se ka disa arsye që e shtyjnë LDK-në që të mos marrë pjesë në seancë. Sipas tij, Thaçi, me veprimet e tij, nuk ka luajtur rolin unifikues të presidentit, siç parashihet me Kushtetutë, por është rreshtuar politikisht kah subjekti të cilin dikur e ka drejtuar, përkatësisht në krah të PDK-së.

“Pjesëmarrja e tij në zgjedhje ku është parë në krah të një partie politike, përfshirja e tij në arritjen e koalicioneve apo edhe thirrjet e tij për protesta para ambasadave për t’u pajisur me pasaporta të një vendi tjetër (të Shqipërisë), si kundërshtim ndaj Bashkimit Evropian. Na e tregoni një rast kur një president i një shteti bën veprime të tilla”, tha Hoti.

Fjalimi vjetor i Presidentit të Kosovës para Kuvendit është një obligim kushtetues. Presidenti, në bazë të Kushtetutës luan rolin unifikues, por kësaj radhe, ai është bojkotuar nga numri më i madh i deputetëve.

XS
SM
MD
LG