Ndërlidhjet

Diplomaci apo konflikt SHBA-Iran? Gjasat janë “50-50”, sipas ekspertëve

Një avion luftarak F/A-18F Super Hornet ateroi në aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln në Detin Arabik në fund të muajit të kaluar.
Një avion luftarak F/A-18F Super Hornet ateroi në aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln në Detin Arabik në fund të muajit të kaluar.

Pasi bisedimet bërthamore SHBA–Iran përfunduan në Gjenevë me trysni të fortë amerikane ndaj Teheranit për ta kufizuar veprimtarinë bërthamore, ekspertë të njohur në Uashington thonë se kriza tani ndodhet në një pikë kthese, dhe se gjasat për paqe ose luftë janë “50-50”.

Bisedimet përfunduan më 18 shkurt pa ndonjë përparim vendimtar.

Shtëpia e Bardhë tha se palët mbeten “shumë larg njëra-tjetrës”, pavarësisht asaj që e përshkroi si përparim të kufizuar. Sekretarja e shtypit Karoline Leavitt u tha gazetarëve se Irani pritet të kthehet me më shumë hollësi “në javët e ardhshme”.

Para takimit në Gjenevë, Teherani zhvilloi stërvitje ushtarake, duke lëshuar raketa drejt Ngushticës së Hormuzit, e cila është një nga korridoret më jetike të transportit të naftës në botë.

Ai vazhdoi më 19 shkurt me stërvitje të përbashkëta detare me Rusinë.

Video: Stërvitjet e përbashkëta të marinës iraniane dhe ruse në Detin e Omanit dhe në veri të Oqeanit Indian

Stërvitje të përbashkëta Rusi-Iran teksa SHBA-ja kërcënon me veprim ushtarak Stërvitje të përbashkëta Rusi-Iran teksa SHBA-ja kërcënon me veprim ushtarak
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:26 0:00

Pentagoni ka grumbulluar forca të mëdha ushtarake në rajon.

Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, e pajisur me avionë luftarakë F/A-18 dhe F-35, po vepron në ujërat përreth. Raketahedhës, përfshirë USS Mitscher dhe USS Michael Murphy, janë vendosur në Gjirin Persik.

Teherani po vazhdon ta sfidojë trysninë me të cilën po përballet për programin e tij bërthamor dhe pasurimin e uraniumit, duke këmbëngulur se ai është kryekëput për qëllime civile dhe duke mohuar çdo përpjekje për të ndërtuar armë bërthamore.

Besohet se Irani nuk e ka ndonjë program aktiv për armë bërthamore, megjithëse e ka një histori aktivitetesh kërkimore për armë atomike.

Ekspertët: Gjasat janë të barabarta

Duke folur në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) më 18 shkurt, katër ish-zyrtarë amerikanë me përvojë të gjatë në çështjet e Lindjes së Mesme, e vlerësuan gjendjen drejtpërdrejt.

Michael Ratney, ish-i dërguar special i SHBA-së për Sirinë dhe ambasador në Arabinë Saudite (2023–2025), i pyetur nëse rajoni po shkon drejt luftës apo paqes, tha: “Mendoj se është 50-50”.

Ratney tha se secila marrëveshje mund të mos i ngjajë një akordi gjithëpërfshirës bërthamor. Përkundrazi, ajo mund të jetë kornizë, njoftim ose proces ndërtimi besimi që i lejon Trumpit të pretendojë se ka sjellë stabilitet, edhe nëse çështjet thelbësore mbeten të pazgjidhura.

Joseph Farsakh, ish-zyrtar i Departamentit të Thesarit të SHBA-së që ka punuar mbi politikën e sanksioneve për Lindjen e Mesme, tha gjithashtu se, edhe nëse bisedimet përfundimisht japin rezultate, një marrëveshje gjithëpërfshirëse duket e pamundur në klimën e tanishme të mosbesimit.

Një rezultat më i mundshëm, tha ai, do të ishte një marrëveshje e pjesshme që ofron lehtësim të kufizuar të sanksioneve, duke shtyrë çështjet më të debatueshme për më vonë.

Një marrëveshje e tillë mund t’i rrisë ndjeshëm eksportet iraniane të naftës, duke i çuar potencialisht ato në rreth 2.5 milionë fuçi në ditë dhe duke futur naftë me vlerë midis 50 miliardë dhe 90 miliardë dollarëve në vit në tregjet globale.

Në një skenar “ideal”, stabiliteti më i madh mund të çlirojë atë që ai e përshkroi si një dividend paqeje, duke nxitur investime nga jashtë dhe integrim më të gjerë rajonal.

Por, Farsakh paralajmëroi se një fluks i shpejtë i naftës së papërpunuar iraniane mund t’i ulë çmimet globale të naftës, duke i vënë nën trysni shtetet e Gjirit që mbështeten në çmime më të larta për të financuar programe ambicioze të transformimit ekonomik.

Dhe, edhe me një marrëveshje, tha ai, nuk është i bindur se rreziku i goditjeve të ardhshme nga SHBA-ja, ose ndoshta nga Izraeli, do të zhdukej plotësisht.

Vali Nasr, ish-këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit, gjithashtu e përshkroi gjendjen si të ndarë në mënyrë të barabartë.

As Uashingtoni dhe as Teherani nuk duan vërtet luftë të rrëmujshme, argumentoi ai, duke pasur parasysh rreziqet e mëdha që bart. Ky hezitim i përbashkët mund t’i shpëtojë përfundimisht të dyja palët nga gremina.

Në të njëjtën kohë, Nasr theksoi se llogaritja politike personale e Trumpit do të jetë vendimtare. Analiza tradicionale e politikës së jashtme, e përqendruar te institucionet dhe interesat afatgjata — mund të jetë më pak parashikuese në këtë rast.

Nasr theksoi gjithashtu se disa kriza globale po zhvillohen njëkohësisht, që do të thotë se zhvillimet diku tjetër mund ta riformësojnë shpejt vendimmarrjen për Iranin.

Pak hapësirë për gabime

Susan Ziadeh, ish-zëvendësndihmëssekretare e Shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt, paralajmëroi se vetë grumbullimi ushtarak krijon vrull. Me një prani kaq të madhe detare dhe ajrore tashmë në vend, sugjeroi ajo, mund të mos jetë e lehtë që thjesht të tërhiqen.

Me anije luftarake të vendosura pranë ujërave iraniane, raketa të lëshuara gjatë stërvitjeve ushtarake dhe liderë në të dyja anët që lëshojnë paralajmërime të ashpra, hapësira për keqllogaritje është gjithashtu e kufizuar.

Bisedimet në Gjenevë pasuan një rund të mëparshëm në Oman më 6 shkurt, të nisur pasi aktorë rajonalë bënë përpjekje për shtensionim nga frika për destabilizim më të gjerë.

Ziadeh e përmendi gjithashtu Izraelin si lojtar kyç, duke theksuar se udhëheqësit izraelitë mund të veprojnë sipas një llogaritjeje ndryshme strategjike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të udhëtojë më pas drejt Izraelit për t’u takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu më 28 shkurt, sipas raportimeve të mediave amerikane.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
XS
SM
MD
LG