Ndërlidhjet

Punëtorët ndërpresin grevën, kompania "Pastrimi” ua rritë pagat


Mbeturinat e shpërndara jashtë kontejnerëve në Prishtinë. 14 mars 2023.
Mbeturinat e shpërndara jashtë kontejnerëve në Prishtinë. 14 mars 2023.

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” e kanë ndërprerë grevën - e cila nisi më 13 mars - pasi kërkesa për rritjen e pagave u është plotësuar.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se vendimin për rritje e mori Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e jashtëzakonshme.

Florim Cakiqi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve, i tha dje Radios Evropa e Lirë se pagat e punonjësve fizikë në këtë kompani janë 330 euro, kurse kërkesa e tyre është që kjo vlerë të arrijë 400 euro.

Në vendimin e publikuar, përveç punëtorëve fizikë, pagat për 70 euro janë rritur edhe për shumicën e pozitave tjera, si: vozitës, kryepunëtor, autolarës, autoelektricist, shtëpiak etj.

Në njoftim thuhet se “ekipet kanë dalë në terren për të vazhduar me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave” dhe se kryerja e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave do të vazhdojë sipas planit dhe orarit të rregullt operativ.

Të martën, kontejnerë të shumtë në Prishtinë ishin mbuluar nga mbeturinat.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi", numëron 863 punëtorë, duke përfshirë edhe administratën.

Kjo kompani ofron shërbime në gjashtë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin, Prishtinën, pastaj në Fushë Kosovë, Lipjan, Drenas, Obiliq dhe Podujevë.

XS
SM
MD
LG