Ndërlidhjet

Pesë shtete të BE-së, pengesë për perspektivën evropiane të Kosovës


Flamuri i BE-së dhe i Kosovës. Foto nga arkivi

Bashkimi Evropian i ka ofruar Kosovës perspektiva evropiane, por kjo perspektivë mbetet deklarative përderisa nuk bëhet hapa konkret në lëvizjet praktike drejt proceseve integruese, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Labinot Greiçevci, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare tha për Radion Evropa e Lirë, se perspektiva evropiane e Kosovës dhe e Ballkanit Perëndimor është premtuar që nga viti 2003, kur është mbajtur Samiti i Selanikut, ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai thotë se në rastin e Kosovës, ‘perspektiva evropiane’ është retorikë e zbrazët nga ana e BE-së, sepse vet traktatet e BE-së nuk krijojnë hapësirë ligjore që Kosova të bëjë progres në anëtarësimin e saj në union, pa u njohur nga të gjitha shtetet anëtare.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën si shtet, ku bëjnë pjesë Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia. Me këtë veprim, besohet se ato po e pengojnë seriozisht rrugëtimin e Kosovës proceset integruese.

"Nëse bëjmë një analizë të progresit të Kosovës nga viti 2003 deri më tani, në procesin e integrimit evropian e shohim sesa pak progres është arritur në këtë drejtim. Pra, pa pasur njohje nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, Kosova nuk mund të lëvizë para në proceset e integrimit evropian”.

“Mund të simulojnë dhe të improvizojnë edhe BE-ja, edhe institucionet e Kosovës, se po bëhet progres në ketë drejtim – ashtu siç kanë bërë deri më tani, por lëvizje përmbajtjesore nuk do të ketë, e sidomos nëse këtë e krahasojmë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor", tha Greiçevci.

Ai mendon se një marrëveshje eventuale finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të vitit 2018, apo në fillim të vitit 2019, do të mund të përshpejtonte integrimin e Serbisë në BE dhe hapjen e një kapitulli konkret për integrim të Kosovës në këtë union.

"Gjithmonë nëse kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe lehtësohet dhe garantohet nga BE-ja, SHBA-ja dhe akterë të tjerë relevant në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pra, kjo do të mundësonte integrim të shpejtë të Serbisë në BE dhe hapje, siç e thashë, të një kapitulli konkret për integrime evropiane për Kosovën", shprehet Greiçevci. Sipas tij, integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në pako në BE, do të ishte zgjidhja më e drejtë dhe më strategjike për BE-në.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi të zhvilluar me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini ka thënë se 'rruga e integrimit të Kosovës në BE është e pakthyeshme dhe se Kosova meriton një trajtim të barabartë'.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ilir Deda, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane tha për Radion Evropa e Lirë, se perspektiva evropiane e Kosovës është e lidhur me përmirësimin e raporteve me shtetin e Serbisë dhe se rrugëtimi i Kosovës nuk është i njëjtë si i shteteve të rajonit.

Megjithatë, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, sipas Dedës, paraqet vendosjen e marrëdhënies së parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

"BE-ja gjatë gjithë kohës e konfirmon perspektivën e Kosovës. Ajo çka do të thotë është se ne duhet që maksimum brenda 18 muajve ta nënshkruajmë marrëveshjen e obligueshme ligjore për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, për të hapur mundësinë që Kosova të anëtarësohej në Kombet e Bashkuar dhe të fitonte statusin e kandidatit për anëtarësim në të BE, si shtet i pavarur", tha Deda.

Deputeti Deda, thotë se rrethanat në të cilat ndodhet Bashkimi Evropian duhet të shfrytëzohen nga Kosova, por njëkohësisht edhe të kryhen obligimet që ka vet shteti.

"Nëse marrim parasysh strategjinë e BE-së për zgjerim, e cila do të publikohet në vitin e ardhshëm, strategji kjo që në një mënyrë u dha një datë orientuese Malit të Zi dhe Serbisë për anëtarësim në vitin 2015, ndërsa për vendet e tjera nuk dihet ende se ka ndonjë premtim më konkret. Kështu që ne duhet t’i përmbyllim sa me shpejt çështjet që kanë mbetur të hapura, Demarkacionin në radhë të parë dhe duhet të kemi qasja pro-aktive në këtë dialogun me Serbinë, i cili nënkupton edhe konsensus politik në Kosovë", tha Deda.

Kanë kaluar gati dhjetë vjet që nga shpallja e pavarësisë dhe Kosova ende po përpiqet të gjejë të ardhmen evropiane, thotë njohësit e integrimeve evropiane.

Njëherësh, Kosova mbetet vendi i vetëm pa liberalizimin e vizave, ndërkohë që nuk ka siguruar ende një afat të qartë kohorë në marrëdhëniet me BE-në, se kur mund të dalë nga ky izolim.

XS
SM
MD
LG