Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Politikanët nuk i preferojnë institucionet publike shëndetësore


QKUK, foto arkiv

Besimi në institucionet publike shëndetësore në Kosovë mbetet jashtëzakonisht i vogël. Jo vetëm qytetarët, por edhe vetë përfaqësuesit politikë, përfshi edhe ata që kanë mbajtur postet më të larta qeveritare, nuk preferojnë që të kërkojnë trajtim mjekësor në këto institucione, për shkak të shërbimeve jocilësore, që besohet se janë pasojë e mungesës së investimeve nga ana e institucioneve qeverisëse.

Së fundit, edhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas disa komplikimeve shëndetësore, kishte zgjedhur që fillimisht të kërkonte mjekim në një spital privat në Prishtinë, dhe më pastaj, të nisej drejt Gjermanisë për trajtim.

Secila Qeveri e deritashme e Kosovës, ndër top-prioritetet për zhvillim, e ka veçuar edhe shëndetësinë, por me gjasë, ende liderët politikë nuk e kanë fituar besimin në këtë sistem.

Profesionistët shëndetësorë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës thonë se prej vitesh nuk kanë trajtuar zyrtarë shtetërorë. Madje, ata thonë se nga mediat marrin informata se ata ikin jashtë vendit për trajtim.

Rifat Bajrami, kirurg, tha për Radion Evropa e Lirë se përkrahja nga shteti për sektorin e shëndetësisë mbetet ende në nivel të ulët. Sipas tij, institucionet e shëndetit publik dhe stafi mjekësor po përballen me shumë vështirësi në punën e tyre për shkak të mungesës së investimeve.

“Ne këtu nuk operojmë deputetë, funksionarë aktualë , ne vetëm prej mediave kur dëgjojmë që kanë ikur jashtë vendit për trajtim. Po përballemi me mungesë të gjërave elementare, nisur nga dorezat e punës, pa të cilat nuk bën assesi të punohet, pasi kemi punë me gjak e lëngje tjera të rrezikshme. Pastaj, na mungojnë penjtë e gjëra elementare. Këtu kemi institucionin për të cilin shteti ndanë me vështirësi mjete sa për ta mirëmbajtur. Qe dy vjet nuk e kemi asnjë aparat të ri në Klinikën Abdominale, ku edhe punoj. Kërkesa ka, por përgjigje jo”, tha Bajrami.

Institucionet publike shëndetësore janë mjaft të frekuentuara nga qytetarët. Por, sipas mjekëve, ky frekuentim vjen si rrjedhojë e gjendjes së rëndë sociale në vend, dhe njerëzit detyrohen të kërkojnë mjekim më të lirë, krahasuar me institucionet private shëndetësore.

“Ata që kanë mundësi dhe paga të mira, të gjithë ikin nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Për qytetarët e Kosovës, sa i përket besimit në këto institucione, mendoj se kanë besim pasi që nuk mund t’i përballojnë shpenzimet jashtë vendit, pra është besim i imponuar”, tha kirurgu, Rifat Bajrami.

Ndërkaq, këshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafa, Besnik Berisha në pyetjen tonë se pse zoti Mustafa ka zgjedhur shtetin gjerman për trajtim, tha se këtë vendim e ka marrë familja e tij.

“Unë personalisht kam thënë edhe më herët që ka qenë dëshirë e familjes që të marrë një mendim të dytë profesional shëndetësorë. Ndërkaq, sa i përket trajtimit, ka qenë qendra terapeutike që i ka shtyrë familjarët të dalin jashtë Kosovës për trajtimin e Isa Mustafës, për shkak se atje përpos aparaturës edhe mjekët kanë përvojë më të madhe”, tha Berisha.

Qytetarët, ndërkaq thonë se cilësia e shërbimeve shëndetësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për tërë Kosovën, lë për të dëshiruar.

Lenditë Hyseni , qytetare nga Prishtina tha për Radion Evropa e Lirë se i beson ose jo sistemit publik shëndetësor, nuk ka zgjidhje tjetër për trajtim në mungesë kushteve.

“Dashur e pa dashur, Qendra Klinike Universitare mbetet i vetmi opsion për mua dhe familjen time. Unë nuk kam mundësi që të trajtohem diku tjetër. Megjithatë, po që se je pacient në atë vend, prapë barnat duhet t’i blesh vetë. Qeveria nuk ka bërë zgjidhje. Udhëheqësit po i shikojnë interesat e veta, dhe shëndetësia është nën nivel, mungojnë investimet”, tha Hyseni.

Sidoqoftë, jo vetëm rasti i fundit i ish-kryeministrit Mustafa, por edhe paraprakisht, shumë udhëheqës dhe zyrtarë shtetërorë të Kosovës kishin zgjedhur spitalet jashtë Kosovës për të marrë trajtim mjekësorë. Në këso raste, Qeveria ndanë edhe mjete shtesë për trajtimin e tyre, duke i ndihmuar ata financiarisht për t’i përballuar shpenzimet.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG