Ndërlidhjet

Protesta antiqeveritare në Liban


Protesta të dhunshme në Bejrut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:30 0:00

Protesta të dhunshme në Bejrut

Në Bejrut të Libanit kanë shpërthyer protestat antiqeveritare.

Protestuesit u përleshën me forcat e sigurisë libaneze pranë ndërtesës së parlamentit.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Qytetarët e Libanit janë të zemëruar nga shpërthimi shkatërrues i së martës, për të cilin zyrtarët thonë se u shkaktua nga 2,750 tonë nitrat amoni, që ishte ruajtur në mënyrë të pasigurt që nga viti 2013.

Shumë njerëz në Liban thonë se pakujdesia e qeverisë çoi në shpërthim, i cili vrau të paktën 140 njerëz dhe plagosi rreth 5,000 të tjerë.

Shpërthimi shkatërroi lagje të tëra në kryeqytet. Dhjetëra njerëz ende konsiderohen të zhdukur.

Agjencia shtetërore e lajmeve tha se 16 persona janë arrestuar, si pjesë e një hetimi të shpallur nga qeveria.

Prej se ndodhi incidenti, dy zyrtarë kanë dhënë dorëheqje. Deputeti Marwan Hamadeh u tërhoq të mërkurën, ndërsa ambasadori i Libanit në Jordan, Tracy Chamoun, u tërhoq të enjten, duke thënë se katastrofa tregoi nevojën për një ndryshim në udhëheqje.

Ekipet emergjente po kërkojnë për të mbijetuar

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë njerëz në gërmadhat e ndërtesave të shkatërruara. Forcat e sigurisë kanë mbyllur një zonë të gjerë rreth vendit të shpërthimit.

Të enjten, dy ditë pas shpërthimit, një ekip francez i shpëtimit që punonte në qytet tha se kishte ende një mundësi për të gjetur të mbijetuar.

Ndërkohë, spitalet e Bejrutit janë të mbingarkuara nga njerëzit që kanë nevojë për kujdes mjekësor. Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hassan, tha se sektori i shëndetit në Liban ballafaqohet me mungesë të pajisjeve të nevojshme për të trajtuar të plagosurit dhe ata në gjendje kritike.

Bejruti, një ditë pas shpërthimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Guvernatori i Bejrutit, Marwan Aboud, paralajmëroi gjithashtu se rreth 300,000 njerëz kanë mbetur të pastrehë nga shpërthimi.

Macron kërkon hetim ndërkombëtar

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është udhëheqësi i parë botëror që e vizitoi Libanin.

Ai, pas takimeve me liderët e atij vendit, bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për incidentin.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi të enjten se ka ndarë 33 milionë euro për të financuar ndihmën emergjente fillestare për Libanin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli në telefon me kryeministrin libanez, Hassan Diab, për ta njoftuar për ndihmën e Bashkimit Evropian.

Në një letër drejtuar 27 vendeve anëtarëve të BE-së, Von der Leyen dhe Charles Michel, president i Këshillit Evropian, iu bënë thirrje vendeve anëtare "të kontribuojnë në rimëkëmbjen e Libanit".

"Ne ju ftojmë të intensifikoni mbështetjen tuaj për Libanin, si për nevojat e menjëhershme, por edhe me qëllim të rindërtimit afatgjatë të vendit", kanë shkruar udhëheqësit.

Pakënaqësia e qytetarëve ka ekzistuar edhe para shpërthimit

Qytetarët e Libanit akuzojnë autoritetet për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim jo vetëm për shkak të kësaj tragjedie, por edhe krizës që ka tronditur Libanin për shumë vjet.

Shpërthimi ndodhi në një moment shumë të ndjeshëm në Liban. Numri i personave të sëmurë me COVID-19 po rritet, kështu që spitalet ishin të mbingarkuara edhe para kësaj tragjedie. Në të njëjtën kohë, vendi po kalon krizën më të keqe ekonomike që nga lufta civile 15-vjeçare që përfundoi në 1990.

Një protestues libanez kundër qeverisë djeg goma për të bllokuar autostradën bregdetare në veri të kryeqytetit Bejrutit, në fillim të prillit 2020, në protestat ndaj përkeqësimit të situatës ekonomike.
Një protestues libanez kundër qeverisë djeg goma për të bllokuar autostradën bregdetare në veri të kryeqytetit Bejrutit, në fillim të prillit 2020, në protestat ndaj përkeqësimit të situatës ekonomike.

Në periudhën e fundit ka pasur protesta masive të qytetarëve kundër korrupsionit dhe varfërisë. Në qytetet e Libanit, ka mungesë të shpeshtë të energjisë elektrike gjatë ditës, ujit të pijshëm, ndërsa shërbimet shëndetësore publike janë të kufizuara.

Pjesën më të madhe të produkteve ushqimore, Libani i importon, kështu që shumë njerëz janë të shqetësuar se do të ketë mungesë të ushqimit pasi një sasi e madhe grurit ishte ruajtur në port, i cili u shkatërrua gjatë shpërthimit.

Depoja kryesore, e cila mund të mbajë 85% të drithërave të vendit, është shkatërruar. Është i pasigurt fati i portit tashmë të shkatërruar, i cili është shumë i rëndësishëm për ekonominë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG