Ndërlidhjet

Protestë në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale


Kërkohet “trajtim i dinjitetshëm” për viktimat e dhunës seksuale
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

Kërkohet “trajtim i dinjitetshëm” për viktimat e dhunës seksuale

Me moton “Më trajto dinjitetshëm”, disa organizata joqeveritare kanë marshuar shesheve të Prishtinës në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës se fundit në Kosovë.

Marshi në mbështetje të grave të dhunuara është mbajtur edhe si protestë dhe mospajtim me publikimin e një fotografie me pamje të rënda grafike nga ana e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.

Fillimisht, deputetja Brovina pretendonte se me këtë fotografi po paraqiste dëshmi të dhunës seksuale ndaj një gruaje 35 vjeç nga Kosova nga ana e disa ushtarëve të Ushtrisë së Serbisë gjatë luftës së fundit, por më vonë doli të jetë një fotografi e falsifikuar, e cila me gjasë, ishte marrë nga një faqe interneti me përmbajtje pornografike.

Për këtë gjest, Brovina kishte pranuar gabimin dhe u kishte kërkuar falje të gjithë atyre të cilëve kjo fotografi u ka shkaktuar tronditje.

Publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, i ka shkaktuar dëm shumë të madh shoqërisë kosovare dhe punës së deritashme me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Dhe për këtë, sipas tyre, përgjegjësinë duhet të bartë Kuvendi i Kosovës.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, e cila tash e 20 vjet punon për rehabilitimin e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale, tha se fotografia e publikuar javën e kaluar ka rikthyer traumat e luftës tek të mbijetuarat e dhunës seksuale.

“Të mbijetuarit kërkojnë që pamje të tilla nuk kanë vend në Parlament, por në gjykatë. Ne po vuajmë në heshtje e ju po na godisni me dhimbjen tonë. Duam drejtësi, por nuk duam që vuajtjet tona t’i shohin fëmijët tanë”.

“Nuk do të lejojmë që publikimi i një fotoje në Kuvendin e Kosovës ta përmbysë një proces të tërë të ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë”, tha Rushitaj.

Kosova ka katër organizata joqeveritare, të cilat janë marrë me çështjen e femrave të dhunuara duke ofruar shërbime të nevojshme për to. Një nga këto organizata është edhe Shoqata “Medica” nga Gjakova, që për mision ka të përmirësojë gjendjen mendore dhe fizike të grave të mbijetuara nga dhuna.

Mirlinda Sada, drejtuese e kësaj shoqate tha se publikimi i fotografisë ka bërë që puna dhe angazhimi i shoqatës për këtë çështje të kthehet në vitin 1999.

“Kjo ngjarje ka bërë që puna dhe angazhimi ynë që nga paslufta për të përmirësuar shëndetin mendor dhe fizik të të mbijetuarave, na është kthyer mbrapsht. Janë rrënuar përpjekjet tona për t’u ofruar qasje në drejtësi dhe për integrimin e tyre në shoqëri. Na keni kthyer në vitin 1999”.

“Mirëpo ne duhet t’iu tregojmë juve, politikanë të nderuar, se ne nuk do të ndalemi, do të përkrahim, do të mbrojmë, respektojmë dhe do t’i trajtojmë me dinjitet heroinat tona, të cilat rezistuan në luftë dhe na krijuan histori në liri”.

“I bëjmë thirrje Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që sa më parë të zbardhin të vërtetën për skandalin e ndodhur ditë më parë dhe kryesit e këtij veprimi të marrin dënimin e merituar”, tha Sada.

Prokuroria Speciale e Kosovës tashme ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me fotografinë e prezantuar mediave nga deputetja Brovina. Të premten e kaluar, një ditë pasi që kishte publikuar fotografinë, Brovina ishte intervistuar në Prokurorinë Speciale.

​Në marsh kanë marrë pjesë ish presidentja e Kosovës Atifeta Jahjaga, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell dhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe sipas përfaqësueseve të organizatave joqeveritare që merren më këtë çështje, rreth 20 mijë konsiderohet numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës se fundit.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që personave të kësaj kategorie t’u rregullohet statusi dhe të marrin pensionin që u takon me ligj.

Për t'iu njohur ky status në mënyrë që të përfitojnë benificione me ligj viktimat, nevojitet procesi i verifikimit.

Minire Begaj-Balaj, kryesuese e Komisionit qeveritar për verifikimin dhe pranimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, tha për Radion Evropa e Lirë, se ky proces është mjaft i ndjeshëm.

"Mbi 1000 aplikime janë pranuar. Mbi 550 lëndë janë shqyrtuar dhe 60 lëndë janë në procedurë. Prej tyre, 360 raste ua kemi njohur statusin", tha Begaj-Balaj për Radion Evropa e Lirë.

Raporti i organizatës Amnesty International tregon që gratë dhe vajzat shqiptare kanë qenë të përdhunuara nga ana e policisë serbe, forcave paramilitare dhe ushtrisë jugosllave. Disa gra kanë lajmëruar se kanë qenë disa herë të përdhunuara dhe nga shumë persona.

Video nga arkivi: Dy rrëfime dhunimesh gjatë luftës

​I njëjti raport thekson se, përveç dhunës seksuale, ndaj atyre grave është ushtruar sjellje johumane, duke i poshtëruar, duke i prerë me thikë, duke i fikur cigaret në trupat e tyre ose duke i fotografuar ato. Disa prej tyre kanë qenë të mbyllura për ditë të tëra në shtëpi të caktuara, ku kanë qenë objekte të dhunës.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë e deri më tash nuk ka pasur asnjë të dënuar për krimin e dhunës seksuale.

XS
SM
MD
LG