Ndërlidhjet

Infektimet brendaspitalore, problem shtesë për QKUK-në


Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Agimi u shtrua në spital për të trajtuar një problem në mushkëri, por ndërkohë u diagnostikua edhe me infeksion nga bakteri Enterococcus.

Ekipi i REL-it vizitoi Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 21 mars dhe Agimi kishte më shumë se një javë që ishte shtruar në Klinikën Torakale.

Mjekët e kishin izoluar në një dhomë me kujdes të veçantë, nga frika se bakteri, që sulmon indin pulmonar, mund të përhapet edhe te pacientë të tjerë.

Disa metra më larg, Klinika e Kardiokirurgjisë ka të ndarë, po ashtu, një sallë të veçantë për pacientët me infeksione.

Dhoma septike në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK.
Dhoma septike në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK.

Sipas mjekëve, aty ditë më para kanë qëndruar dy pacientë që kanë rezultuar pozitivë me bakterin Acinetobakter.

Ky bakter, që haset zakonisht në tokë apo vende me lagështi, cenon sidomos pacientët me pneumoni dhe mund të jetë rezistent ndaj barnave.

Mjekët thonë se infeksionet brendaspitalore në QKUK janë shqetësuese, por edhe të pashmangshme.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Acinetobakteri dhe baktere të tjera hasen në shumë spitale në botë - “edhe atje ku kushtet janë më të mira”.

“Ne menjëherë i marrim masat e duhura, siç është izolimi i pacientit në një dhomë të veçantë. Pastaj, ndjekim protokollet adekuate që i kemi në kuadër të ekipit për parandalimin e këtyre infeksioneve”, thotë Shurdhiqi.

*Fotogaleri nga arkivi: Në hyrje të gati secilës klinikë të QKUK-së është i vendosur orari i vizitave të pacientëve. Por, orari s'përfillet dhe vizitorë mund të shohësh në çdo orë, madje edhe natën.

Mbi 600 infektime brendaspitalore në një vit

Një raport i brendshëm i Ekipit për Kontrollin e Infeksioneve Brendaspitalore në QKUK ka nxjerrë në pah se, gjatë vitit 2022, janë evidentuar mbi 600 raste me infeksione brendaspitalore, në klinika të ndryshme.

Shifra ka paraqitur rritje për gati dyfish nga viti 2020, kur janë regjistruar 356 pacientë me infektime brendaspitalore në QKUK.

*Video nga arkivi: Klinikat infektuese të QKUK-së


Sipas raportit për vitin e kaluar, që ka parë REL-i, në Klinikën e Neonatologjisë janë evidentuar 261 raste të tilla, në Kirurgji Plastike 43, në Gjinekologji 13, në Ortopedi 8, në Nefrologji 5 e kështu me radhë.

Këto raste janë konfirmuar me ekzaminime mikrobiologjike, por, siç thuhet në raport, ka edhe raste që mbeten të paraportuara.

Klinika me rrezikun më të lartë për infektime brendaspitalore, sipas mjekëve, është ajo e Mjekimit Intensiv Qendror.

Dhoma për pacientë të izoluar në Kujdesin Intensiv në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.
Dhoma për pacientë të izoluar në Kujdesin Intensiv në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.

Në vitin 2022, atje janë identifikuar rreth 271 raste dhe, sipas raportit të Ekipit për Kontrollin e Infeksioneve Brendaspitalore, infeksionet kanë qenë në shkallë prej 42.61%.

Shefi i Intensives, Shaqir Uka, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë klinikë, nuk është e mundur të izolohen pacientët, pasi vetë struktura e funksionimit të saj është e tillë.

“Në njësinë intensive ka një frekuentim të madh të pacientëve nga të gjitha klinikat dhe nga jashtë. Kjo është arsyeja numër një që në njësinë intensive, ku ne menaxhojmë, nuk e kemi komoditetin dhe nuk mund të themi se u shpëtojmë infeksioneve brendaspitalore”, thotë Uka.

Ekipi pёr Kontroll tё Infeksioneve Brendaspitalore ka rekomanduar një varg masash për të ulur rrezikun e infeksioneve - mes tjerash: rritjen e nivelit të higjienës në klinika dhe klimatizimin qendror në salla të operacionit.

Por, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, QKUK-ja, për më shumë se një vit, ka mbetur pa kompani që do të duhej të bënte dezinfektimin dhe dezinsektimin brenda këtij institucioni.

*Fotogaleri nga arkivi: Në mesin e nëntorit, Radio Evropa e Lirë vizitoi disa prej klinikave dhe përmes kësaj fotogalerie iu sjellë gjendjen aktuale në QKUK.

Zyrtarë nga QKUK-ja thonë për REL-in se procedurat për përzgjedhjen e kompanisë, janë në “fazën finale”.

Çfarë thonë në AUV?

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila funksionon në kuadër të Qeverisë së Kosovës dhe është përgjegjëse për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve, thonë se infeksionet brendaspitalore “janë shqetësuese”.

Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, autoritetet shëndetësore e kanë për obligim që t’i raportojnë rastet e infektimeve brendaspitalore në AUV, në mënyrë që Inspektorati i Shëndetësisë të marrë masa.

“Kur situata ka qenë e papranueshme, është vepruar me mbyllje. Kur vërejtjet kanë qenë të lehta, është dhënë afat për përmirësim”, shpjegojnë nga AUV-i masat që janë marrë në të kaluarën.

Nga infeksionet brendaspitalore, në shumë raste, pësojnë edhe vetë mjekët, sidomos në sallat e operacionit.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka themeluar tashmë Këshillin për Infeksione Spitalore, me qëllim parandalimin e infeksioneve të tilla. Këshilli ka mbajtur mbledhjen e parë më 23 mars, por nuk është bërë e ditur se për çfarë është biseduar.

Në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar në vitin 2022, thuhet se, globalisht, qindra miliona njerëz preken çdo vit nga infeksionet brendaspitalore - shumë prej të cilave janë plotësisht të shmangshme.

Asnjë vend apo sistem shëndetësor, qoftë edhe më i zhvilluari apo më i sofistikuari, nuk mund të pretendojë se nuk ka infeksione të tilla,sipas OBSH-së.

Por, për QKUK-në, infeksionet brendaspitalore janë vetëm një prej problemeve me të cilat përballet ky institucion.

REL-i ka raportuar se në QKUK, shumë klinika kanë mungesë mjekësh dhe infermierësh, në disa të tjera pacientët duhet të presin me vite për të marrë një shërbim, në disa familjarët duhet të bëjnë punën e infermierëve, ndërsa të tjera kanë mungesë të produkteve bazike, si çarçafë apo sapunë.

Lexoni edhe: Spitalet pa penj kirurgjikë

XS
SM
MD
LG