Ndërlidhjet

Rusi druhet se do ta çojnë në front nëse ekstradohet nga Serbia


Dmitry Lagovsky dhe bashkëshortja e tij.
Dmitry Lagovsky dhe bashkëshortja e tij.

Gjashtë muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, ku Dmitry Lagovsky dhe gruaja e tij kanë lindur, ata lanë pas jetën e tyre në periferi të Moskës dhe u zhvendosën në Serbi së bashku me dy fëmijët e tyre. Luftimi nuk ishte opsion, tha ai, prandaj zgjodhën që të largoheshin.

“I kemi miqtë atje, prindërit e gruas sime”, tha Lagovsky për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. “Do të ishte katastrofë nëse do të shkoja për të luftuar kundër Ukrainës”.

Por, kjo është ajo që ka frikë ai se do të ndodhë nëse do të kthehet në Rusi dhe ky makth tani po rrezikon të bëhet realitet: Më 3 dhjetor, Gjykata e Apelit në Beograd mbajti në fuqi një vendim të Gjykatës së Lartë që i hap rrugë ekstradimit të tij.

Rasti do t’i përcillet Ministrisë së Drejtësisë, vendimi i së cilës është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet, i tha Radios Evropa e Lirë, avokati Marko Stambuk. Ai sugjeroi se precedentët e mëparshëm nuk janë inkurajues.

“Në praktikë, shumë rrallë ndodh që ministri i Drejtësisë të refuzojë ekstradimin e një personi për të cilin gjykatat kanë konstatuar se janë plotësuar kushtet për këtë”, tha Stambuk.

Vetë avokat në Rusi, Lagovsky, 49 vjeç, nuk fliste serbisht kur familja e tij u zhvendos në këtë shtet. Ai u punësua si shofer autobusi në sistemin e transportit publik në Beograd.

Lagovsky nuk përballej me precedent penal në Rusi para se të largohej nga vendi në gusht të vitit 2022. Kërkesa për ekstradim bazohet në një rast që u iniciua më herët, në të cilin autoritetet ruse thanë se ai dyshohet për mashtrim.

“Nuk jam kriminel”

Ai tha se rasti ka të bëjë me një marrëveshje të vitit 2021, në të cilën, si avokat, ai kishte hartuar një kontratë shitblerjen e një toke mes dy kompanive.

“Njëra kompani ja shiti një copë tjetër toke kompanisë tjetër, por unë as nuk isha punëtor apo pronar i asnjërës prej tyre. Unë isha avokat dhe si avokat hartova një kontratë mes këtyre dy kompanive”, tha Lagovsky.

“Nuk jam kriminel dhe kurrë nuk kam qenë”, shtoi ai.

Në prill të vitit 2025, Lagovsky u thirr që të raportojë në Gjykatën e Lartë në Beograd, ku iu dha një dokument që tregonte se ai po kërkohej nga Rusia. Gjykata urdhëroi që ai të ndalohej për 21 ditë dhe pas përfundimit të këtij afati, ai u lirua.

Nëse ekstradohet, Lagovsky duhet të gjykohet në Rusi, por ai shprehu frikën se shteti, në vend të kësaj, do ta dërgojë në front.

“E kam gradën e kapitenit në ushtri. Mendoj se ata duan të më dërgojnë në Ukrainë”, tha ai.

Dy ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Lagovsky e njoftoi Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë se ai synonte që të kërkonte azil. Sipas ligjit serb dhe ligjit ndërkombëtar, Qeveria është e obliguar që “të hetojë nëse ai me të vërtetë përballet me një rrezik të tillë para një ekstradimi të mundshëm”, tha Stambuk.

Aktivisti rus kundër luftës thotë se Kremlini s'po e lë rehat në Serbi
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:44 0:00

Pa përgjigje

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Drejtësisë të Serbisë përmes e-mailit duke e pyetur nëse ministri do të marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit kur të marrë një vendim. Por, nga kjo ministri deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Vlerësimet për numrin e rusëve që u larguan nga shteti që nga nisja e pushtimit të Ukrainës variojnë nga 1 milion e më lart. Disa janë kthyer, por qindra mijëra vazhdojnë të jenë jashtë vendit.

Më shumë se 53.000 nga afër 100.000 të huaj që qëndrojnë legalisht në Serbi janë rusë, sipas Qeverisë. Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe rusët nuk kanë nevojë për viza që të udhëtojnë në këtë shtet.

Disa rusë që kanë kundërshtuar luftën kundër Ukrainës ose thonë që kanë ikur si rezultat i pushtimit u është mohuar hyrja ose qëndrimi në Serbi, teksa shteti për disa raste ka ofruar shumë pak sqarime.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka ruajtur raporte të mira me homologun rus, Vladimir Putin, dhe Beogradi i ka rezistuar presionit të BE-së për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore që kanë për qëllim të ndëshkojnë Kremlinin për shkak të luftës.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG