Ndërlidhjet

Avokatja Venkateswari Alagendra dhe Jakup Krasniqi në gjykatore më 13 shkurt 2026.
Avokatja Venkateswari Alagendra dhe Jakup Krasniqi në gjykatore më 13 shkurt 2026.

Çfarë tha mbrojtja e Selimit dhe Krasniqit në deklaratat përmbyllëse?

E përditësuar

• Më 13 shkurt u zhvillua dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Selimit dhe ajo e Krasniqit deklaruan se klientët e tyre janë të pafajshëm. Avokatët e Selimit thanë se kërkesa e Prokurorisë për 45 vjet burgim për secilin të akuzuar nënkupton burgim të përjetshëm. Vlerësime të ngjashme ka bërë më herët edhe ekipi mbrojtës i Thaçit.

• Mbrojtja e Krasniqit tha se ai ishte zëdhënës i UÇK-së e jo komandant, duke hedhur poshtë po ashtu pretendimet e Prokurorisë se Krasniqi kishte rol parësor në hartimin e komunikatave të UÇK-së.

• Deklaratat përmbyllëse i kanë shpalosur Prokuroria, ekipi mbrojtës i viktimave, mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit. Ajo e Krasniqit do të përfundojë fjalën e saj të hënën.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

12:10

Akuzat ndaj Prokurorisë

Mbrojtja e Selimit ka vazhduar të kritikojë Prokurorinë për mungesë të madhe provash duke thënë se edhe ato që janë paraqitur janë me mungesë autorësie apo të ngjashme.

Prej tani e tutje do të jeni me kolegen Mimoza Sadiku.

Faleminderit që jeni me ne.

11:56

Avokati Mair, gjykatësve: Në UÇK nuk ishte strukturë komanduese

Pjesë nga deklarimi i tij:

“Shumë ushtarë të UÇK-së, përfshirë komandantët, nuk dinin as për ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm apo anëtarëve të tyre. Vetë zonat ishin në formim e sipër, të paformuara në pjesën e parë të vitit 1998. Nuk kishte strukturë me zinxhir komandues, kishte grumbullim njësitesh lokale, njësitesh guerile që vepronin në mënyrë të pavarur dhe horizontale, pa ndonjë kohezion dhe uniformitet. Brenda Shtabit të Përgjithshëm në këtë pikë kohore, nuk kishte strukturë komanduese të vërtetë dhe nuk kishte përcaktim të qartë të përgjegjësive”.

Mes tjerash, ai ka thënë se ka pasur edhe mungesë armësh dhe ato që kanë qenë, ishin "armë të lehta".

11:45

"Prokuroria u bazua në prova dytësore"

Avokati Tully e ka përfunduar fjalën e vet duke thënë se Prokuroria i ka bazuar akuzat kundër Selimit në prova dytësore, të cilat, sipas tij, i ka shfrytëzuar, edhe si mburojë, edhe si armë: si armë për t’i mbuluar boshllëqet në provat e tyre dhe si mburojë për t’u mbrojtur nga përgjegjësitë që ka Prokuroria në përmbushjen e standardeve në provat që ofron.

Në pjesën tjetër të seancës, Selimin e përfaqëson avokati Chad Mair.

Avokati, Chad Mair.
Avokati, Chad Mair.


11:24

Avokati: Qasje e paqartë e Prokurorisë për autorësinë e dokumenteve

Sipas avokatit Tully, Prokuroria nuk e ka bërë asnjëherë të qartë autorësinë e materialeve që ia ka mveshur Selimit, dhe nuk do të thotë që nëse disa prej materialeve janë sekuestruar nga Selimi, janë të tij.

“Duhet ta keni parasysh që kjo mund të ketë pasoja konkrete për personin.. Qasja e paqartë e Prokurorisë lidhur me këto shënime në momentet e fundit të këtij gjykimi u bë edhe më e paqartë me pretendimet e tyre të forta se fjalët këtu janë të zotit Selimi. Po t’i kishim ditur këto akuza specifike gjatë gjykimit, ne si mbrojtje do të kishim pasur strategji tjetër gjatë kundërpyetjeve tona dhe do të kishim bërë hetime tjera sa u përket pretendimeve të Prokurorisë. Këtu ne jemi cenuar”.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG