Ndërlidhjet

Për tetë muaj mbi 200 raste të reja me kancer në gji


Një organizim në Kosovë për të rritur vetëdijësimin për kancerin në gji, foto nga arkivi.

Në tetëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë paraqitur 225 raste të reja me kancer në gji. Këto janë të dhënat zyrtare nga Instituti Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Derisa viti 2017 është përmbyllur me 325 raste të reja me kancer në gji, duke shënuar kështu kancerin më të shpeshtë në vend.

Kështu thotë onkologu Ekrem Hyseni, njëherësh drejtor i Institutit Onkologjik. Megjithëkëtë, krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë, numri i të prekurve me kancer në gji, është shumëfish më i vogël në Kosovë.

“Kjo tregon se është stabilizuar raportimi dhe tendenca jonë është zbulimi i hershëm. Gjithashtu është bërë qasja më e lehtë e grave në diagnostikim. Sa i përket numrit të rasteve të reja brenda vitit, krahasuar me numrin e rasteve të reja nëpër botë, në vend është pesë herë më i vogël numri i të prekurve se për shembull në Maqedoni, dhe dhjetë herë më e vogël se në Slloveni. Po e bëj e këtë krahasim, pasi që numri i banorëve është përafërsisht i njëjtë”.

“Nuk është shqetësuese, ndonëse kemi nevojë ta fusim në funksion skreningun e kancerit të gjirit, dhe do të na ndihmonte që të zbulojmë edhe më herët, pasi zbulimi i hershëm është mjekim më i lehtë, kosto më të vogël dhe mjekimi shumë më efikas”, thotë Hyseni.

(Video nga arkivi: Rrëfimi i një gruaje që ka mposhtur kancerin në gji)

Ta mposhtësh kancerin...
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Ndërkaq, sa i përket furnizimit me barna për trajtimin e kancerit të gjirit, Hyseni thotë se prej vitesh është stabil sa i përket furnizimit me barna esenciale, pasi i është dhënë prioritet kësaj sëmundjeje.

“Sa i përket furnizimit me barna është stabil, me mungesë të vetëm një ilaçi prej vitesh, në mungesë të ofertimit të kompanive për të ofruar këtë ilaç. Pra, mund të them se pacientëve nuk u bie të shpenzojnë për këtë sëmundje, pasi i trajtojmë brenda klinikës”, shprehet Hyseni.

Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit "Jeta/Vita", e cila është formuar 11 vjet më parë, në vazhdimësi ka lobuar për t’i vetëdijesuar gratë për kontrolle të shpeshta dhe diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit.

Nafije Latifi, drejtuese e kësaj qendre, thotë se muaji tetor është muaji ndërkombëtar i luftës kundër kancerit të gjirit, dhe tash e 11 vjet, gjatë këtij muaji organizohen manifestime të shumta për gratë, në luftë kundër kancerit.

“Gjatë muajit tetor kemi pasur bashkëpunim edhe me shoqatën e onkologëve duke organizuar punëtori nëpër Kosovë, ku do të ketë ligjërata për gratë. Një numër shumë i madh i grave marrin pjesë, pra rreth 100 gra në çdo komunë. Aty gratë mësojnë rreth sëmundjes dhe diagnostikimit të hershëm”, tha Latifi.

Sidoqoftë, gjatë muajit tetor reparti i Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ofron mamografi falas për gratë pas orarit të punës.

Ndërkaq, në mungesë fondesh për të mbijetuarat e kancerit të gjirit, organizata "Jeta/Vita", këtë vit ka ndërmarrë një fushatë së bashku me donatorët që dëshirojnë t’i ndihmojnë kësaj kategorie të shoqërisë. Kjo qoftë përmes sms-ave, e që një i tillë kushton 1 euro.

Ndërkaq, fondi i mbledhur nga kjo fushatë, që zgjatë deri në fund të muajit tetor, do të shfrytëzohet për gratë që janë të prekura nga kanceri i gjirit, të cilave, përpos barnave të nevojshme, do t’u blihen edhe proteza të gjirit, parkue dhe me këtë fond do t’u mundësohet fizioterapia, e të tjera.

Ndryshe, nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijnë shifrën prej 21.7 milionë.

Ndërkaq, sa i përket vdekjeve nga kanceri në botë, aktualisht janë 8.2 milionë raste në vit, derisa deri në vitin 2030 thuhet se do të ketë deri në 13 milionë vdekje.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG