Ndërlidhjet

Ka reciprocitet, jo nuk ka...


Pikëkalimi kufitar në Merdare. Foto nga arkvi.
Pikëkalimi kufitar në Merdare. Foto nga arkvi.

Kur kanë kaluar vetëm 15 ditë që nga vendosja e masave të reciprocitetit me Serbinë, në Kosovë thonë se këto masa po respektohen, ndërsa në Serbi deklarojnë se mënyra e eksportimit të mallrave në Kosovë nuk ka ndryshuar.

Sava Pereniq është një tregtar nga Graçanica. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është duke pritur 24 tonë miell nga Vojvodina.

Pereniq thotë se pas 1 prillit, kur edhe ka hyrë në fuqi reciprociteti i vendosur nga Qeveria në detyrë e Kosovës, ka lindur një problem. Kamionët nuk mund të importojnë mallra në Kosovë pa certifikatë fitosanitare, thotë ai, duke iu referuar një dokumenti që vlen për kompani që kryesisht merren me prodhim të produkteve ushqimore ose me importim të tyre.

"Ne nuk mund të importojmë për momentin, për shkak të kësaj certifikate. Jemi duke pritur të shohim nëse mund të kalojmë kufirin pa të, por, siç duket, kjo nuk mund të ndodhë. Prodhuesi na tha se ai nuk mund të na lëshojë atë certifikatë dhe tani ne jemi duke pritur dërguesin e mallrave për të na njoftuar se si të vazhdojmë", thotë Pereniq.

Video nga arkivi: Pak kamionë në kufi pas heqjes së tarifës me Serbinë

Pak kamionë në kufi pas heqjes së tarifës me Serbinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:07 0:00

Qeveria në detyrë e Kosovës e ka zëvendësuar taksën prej 100 për qind për produktet serbe, të vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018, duke futur gradualisht masat reciproke.

Masa e parë e tillë ka të bëjë me emërtimin e Kosovës në dokumente që duhet të përputhen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Këto dokumente janë si certifikata fitosanitare dhe veterinare dhe dokumente të tjera ndihmëse për ushqim dhe produkte të tjera me origjinë bimore, joshtazore dhe shtazore, që janë objekt i kontrollit kufitar.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, që nga heqja e taksës 100 për qind dhe fillimi i reciprocitetit, nga 1 prilli deri më 15 prill, vlera e mallrave që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia është 6.7 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, deklaron se bëhet fjalë kryesisht për industrinë ushqimore, të ndërtimit dhe produktet kimike.

Të gjitha dërgesat, thotë Stavileci, deri më tash i janë referuar Kosovës në bazë të vendimit të qeverisë, si dhe emërimit ndërkombëtar të Kosovës në aspektin tregtar.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Doganave të Kosovës, Ibrahim Xhaka, deklaron se emërtimet për Kosovën duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe se asnjë shenjë tjetër në dokumentet doganore nuk do të pranohet.

“Janë vendosur cilësia, kualiteti i mallit, certifikata fitosanitare apo certifikata veterinare dhe këto certifikata duhet të pranohen konform marrëveshjes dhe vendimit të qeverisë. Nëse Serbia s’i pranon, nuk i pranojmë as ne. Kështu që e kemi reciproke këtë punën e certifikatave", thotë Xhaka.

Nga ana tjetër, ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë thotë se eksportet në Kosovë kryhen në bazë të procedurave të mëparshme dhe prodhuesit, sipas tij, thonë se nuk ka probleme.

"Sa u përket simboleve në deklarime, domethënë në fatura, shkruan 'Kosova XK', që është kodi për territorin doganor dhe për atë që është rënë dakord më herët, dhe në këtë mënyrë është zhvilluar tregtia dhe trafiku midis Kosovës dhe Serbisë më herët. Ne kemi biseduar edhe me eksportuesit, ose prodhuesit të cilët bashkëpunojnë me biznesmenë në Kosovë, dhe ata thonë se deri më tani nuk kanë pasur asnjë problem apo kthim të kamionëve me mallra. Një prodhues u përpoq të dërgonte miell duke shkruar 'Prishtinë, Kosovë' . Ai nuk kaloi, por, pasi e ndryshoi faturën e tij, shkroi 'Kosova XK', mallrat shkuan në Kosovë", thotë Lajiq.

Ai po ashtu thekson se nuk ka asnjë vërejtje për certifikatat fitosanitare apo veterinare.

Ibrahim Xhaka thotë se këto emërtime kanë të bëjnë me çështjen e kodeksit ndërkombëtar. Sipas tij, ka raste që në dokumente të tregtisë ndërkombëtare, Serbia shkruhet me 'Serbia XS' apo Kosova me 'Kosova KS' dhe kjo mund të vlejë edhe për vende tjera.

"Mirëpo, kur është fjala tek emërtimet, me patjetër duhet të shkruhet 'Kosovë'", thotë Xhaka.

Zef Dedaj, udhëheqës i Divizionit për Politika të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë së Kosovës, tregon se në një rast, një kamion ishte kthyer prapa, pasi që në dokumentacionin e lëshuar nga autoritetet serbe, nuk i referohej Kosovës me emërtimin kushtetues.

“Mallrat me mbishkrime të UNIMK-ut, Kosova e Metohija assesi nuk do të lejohen dhe nuk janë lejuar nga data 1 prill. Edhe pse realisht me mbishkrime të tilla vazhdimisht ka pasur provokime nga ana e Serbisë, por që autoritetet relevante kanë reaguar me kohë dhe janë ndaluar qarkullimet e tilla, sidomos në periudhën e fundit”, thotë Dedaj.

Lajiq shton se nga 15 marsi, kur taksa e Kosovës për lëndën e parë nga Serbia është shfuqizuar, e deri më 8 prill, në Kosovë janë dërguar mallra me vlerë deri në 7.1 milionë euro.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, para vendosjes së taksës, nga Serbia në Kosovë eksportoheshin mallra me vlerë deri në 26.8 milionë euro. Lajiq thotë se pas vendosjes së taksës, në tregun e Kosovës kanë hyrë prodhues tjerë.

"Ky boshllëk është shfrytëzuar para së gjithash nga vendet e rajonit dhe nuk është e thjeshtë të kthehesh në treg tani. Arsyeja e dytë janë masat reciproke. Askush nuk e di me siguri se çfarë kuptimi kanë ato masa në terma praktikë, kështu që ekziston një rezervë tek ata që kanë bashkëpunuar më parë apo edhe biznesmenë të rinj, që do të shesin mallra në Kosovë. Derisa të sqarohet e gjithë kjo, unë mendoj se do të kemi një ndalesë serioze tregtare”, thotë Lajiq.

Ndryshe, eksportet e Kosovës në Serbi, nga 1 prilli deri më 15 prill, arritën vlerën 452 mijë euro.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i masave të reciprocitetit nga autoritetet e Republikës së Kosovës do të jetë gradual dhe si përgjigje proporcionale me sjelljen e autoriteteve të Serbisë.

Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar vendimin për të zëvendësuar taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe me masa reciprociteti.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se Kosova “duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika janë në dëm të qytetarëve të Kosovës dhe janë duke e bllokuar ekonominë e Kosovës”.

XS
SM
MD
LG