Ndërlidhjet

Regjistrimi i popullsisë: Shqipëria më e plakur e më pak besimtare


Fotografi ilustruese. Dy persona pranë detit në Vlorë të Shqipërisë, më 1 prill 2024.
Fotografi ilustruese. Dy persona pranë detit në Vlorë të Shqipërisë, më 1 prill 2024.

Në 12 vjet, popullsia në Shqipëri ka pësuar ndryshime të shumta. Të dhënat e regjistrimeve të fundit të popullsisë tregojnë se mosha mesatare është rritur, njësitë familjare janë zvogëluar dhe numri i besimtarëve myslimanë, katolikë e ortodoksë është ulur.

Ndryshimet nisin qysh nga numri i përgjithshëm i banorëve, që në regjistrimin e fundit të popullsisë, të kryer gjatë vitit 2023, është ulur në rreth 2.4 milionë banorë.

Për këtë ulje të popullsisë fajësohet shkalla e lartë e emigrimit. Ish-drejtorja e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), Ines Nurja, thotë se rezultatet e regjistrimit duhet të shërbejnë si kambanë alarmi për politikëbërësit.

Sipas saj, me urgjencë duhet të ndërmerren masa për ta ndaluar emigrimin.

“Së pari, duhet pranuar fenomeni. Më pas duhen ndërmarrë politika afatgjata për të frenuar largimin”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, Shqipërinë e lënë mesatarisht 42 mijë persona në vit. Si arsye kryesore të emigrimit theksohen mundësitë më të mira për punë, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

Politikat që nxisin rritjen e shkallës së lindshmërisë – që në Shqipëri ka ndjekur një trend rënieje në vitet e fundit – janë veçanërisht të nevojshme tani që popullsia po plaket me ritme të shpejta, paralajmëron Nurja.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Shqipëri, mosha mesatare është rritur në 42.5 vjet nga 35.3 sa ishte në regjistrimin e bërë në vitin 2011.

Nurja thekson se veçanërisht shqetësuar është ulja e grupmoshave që janë aktive në tregun e punës.

“Fuqia punëtore është grupmosha më e vogël, krahasuar me të tjerat. Qarku i Vlorës mban vendin e parë [me përqindjen më të vogël], me 13 përqind të popullsisë që i përket kësaj grupmoshe. Kjo do të thotë që jo rini, por as fëmijë nuk ka më”, thotë Nurja.

Nryshime ka pasur edhe në shpërndarjen e popullsisë nëpër qarqet e ndryshme të Shqipërisë. Pothujse një e treta e banorëve jetojnë në qarkun e Tiranës, që është qarku i vetëm që ka pasur rritje të banorëve në krahasim me të dhënat e vitit 2011.

Qarqet e Elbasanit dhe Shkodrës kanë pasur rënien më të madhe të popullsisë, me mbi 25 për qind rënie. Ndërsa, në qarkun e Tiranës është rritur populsia për 1.2 për qind.

Ndryshime kanë pësuar strukturat familjare. Në regjistrimin e vitit 2011, madhësia mesatare e njësive familjare ishte 3.9 anëtarë, ndërsa regjistrimi i fundit tregon se tani njësitë familjare kanë mesatarisht 3.2 anëtarë.

Të dhënat e regjistrimit të fundit tregojnë se rreth 55 për qind e popullsisë është e martuar, ndërsa më pak se 37 për qind janë ende beqarë.

Ndryshime të ndjeshme vërehen edhe sa u përket përkatësive fetare të banorëve në Shqipëri. Përderisa numri i ateistëve dhe besimtarëve të padeklaruar është rritur, numri i myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve është zvogëluar.

Deri më tani nuk ka pasur reagime nga komnitetet fetare për të dhënat e regjistrimit të popullsisë. Por, reagime ka pasur sa u përket të dhënave për përkatësitë etnike.

Përfaqësues të pakicës maqedonase kanë ngrtur pretendime se ndaj këtij komuniteti është ushtruar presion për t’u deklaruar si bullgarë.

Në procesin e kaluar të regjistrimit të popullsisë, “bullgar/e” nuk ka qenë në mesin e opsioneve në formularët e regjistrimit.

Pas publikimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë, opozita ka akuzuar se të dhënat janë të manipuluara.

Opozita shprehi këto pretendime pasi që publikimi i të dhënave ishte shtyrë për disa muaj dhe procesi i mbledhjes dhe publikimit të të dhënave, në krahasim me vendet e rajonit, kishte marrë më shumë kohë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG