Ndërlidhjet

Pesha e rëndë e një aktpadie për krime lufte


Të mërkurën u bën dhjetë vjet nga mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Pas kësaj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugën për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

Dialogu në fillim nisi për çështje teknike, të cilat kishin për qëllim që ta lehtësonin jetën e qytetarëve, por në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluan edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përmbyllja e cilave pritet së shpejti, me një marrëveshje përfundimtare.

Sipas analistëve politikë, pozicioni i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar së fundmi është dobësuar, sikurse edhe në proceset e rëndësishme të cilat janë përpara. Kësaj situate, thanë ata, i ka kontribuar edhe aktakuza e paraqitur për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj presidentit Hashim Thaçi, në njërën anë, dhe mungesa e konsensusit politik dhe mbështetjes politike ndaj qeverisë lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Analisti politik, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas paraqitjes së aktakuzës për shqyrtim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Thaçit, politika kosovare do ishte dashur të reagojë shpejt për rikonsolidim dhe të riorganizohet, në kuptimin e përfaqësimit politik të vendit.

"Ky proces e ka dëmtuar Kosovën dhe e ka cunguar Kosovën në përfaqësimin e saj, por edhe në reputacionin e saj në çdo proces ndërkombëtar, e i cili mund të vazhdojë edhe më shumë vite. Do të jetë një barrë shumë e rëndë mbi Kosovën, deri sa ky proces të vazhdojë në Hagë, ndoshta për dhjetë vjet", tha Rashiti.

Vendimi për aktakuzën ndaj Thaçit megjithatë ende nuk është marrë dhe gjykatësi ka gjashtë muaj kohë – nga muaji prill, kur është dorëzuar aktakuza – që të vendosë nëse do ta konfirmojë apo refuzojë atë.

Thaçi më herët ka deklaruar se nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet, ai do të japë dorëheqje nga posti i presidentit.

Thaçi: Gabime politike edhe mund të kem bërë, por krime të luftës kurrë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00

Rashiti thekson se liderët politikë dhe vetë politika nuk po japin sinjale se në cilin drejtim do të shkojë vendi në ditët në vazhdim.

“Në këtë situatë çfarë jemi, siç po e shohim edhe në ditët e fundit, kemi shumë ndasi e paqartësi. Një shumicë parlamentare jostabile, e të cilës do t'i duhet shumë mbështetje për të krijuar vijueshmëri të [funksionimit] institucioneve", tha Rashiti.

Kurse analisti Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se aktakuzat ndaj Thaçit, por edhe ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dy njerëz që kanë qenë figura kyçe të luftës së UÇK-së, do të ndikojë në imazhin e Kosovës dhe sipas tij, dëmi tashmë pothuajse është bërë.

“Nëse ato akuza do të hidhen poshtë apo edhe nëse do të kemi një gjykim dhe ata do të shpallen të pafajshëm, publikimi i këtyre aktakuzave do të ndikojë negativisht në vetë imazhin e Kosovës", tha Krasniqi.

Lidhur me këtë, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar edhe një koment nga Zyra e presidentit, por zyrtarë nga Presidenca, nuk kanë qenë të gatshëm për të dhënë një përgjigje.

Ndryshe, vetë presidenti Hashim Thaçi, pas kthimit nga Haga ka thënë se “Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota”.

Në anën tjetër, në vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi më 16 korrik në Bruksel, nuk është përfshirë presidenti Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me radhë. Derisa bisedimet po zhvilloheshin në Bruksel atë ditë, Thaçi po e jepte dëshminë para Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Thaçi së fundmi ishte angazhuar që procesi i dialogut të kalojë në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak se, siç kishte thënë, Brukseli e ka humbur kredibilitetit në këtë proces, por edhe në raportet me Kosovën.

Nga ana tjetër, kryeministri Avdullah Hoti, nuk e ka mbështetjen e duhur për vazhdimin e dialogut me Serbinë nga skena politike kosovare.

Pas takimit të dialogut në nivelin politik më 16 korrik, BE-ja paralajmëroi se ekipet në nivel të ekspertësh të Kosovës dhe Serbisë do të takohen këtë javë, kurse Hoti e paralajmëroi takimin për të enjten.

Paralajmërimet për rinisjen e dialogut teknik nuk u mirëpritën në Prishtinë, ku përveç partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, u kundërshtua edhe nga partneri i koalicionit, Nisma Socialdemokrate, por edhe nga Presidenca.

Hoti megjithatë është deklaruar se nuk do të ketë vazhdim të dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe i parapriu atij në nivelin politik – por, që Kosova do të dialogojë vetëm për marrëveshje finale, e cila sipas tij duhet të përmbajë njohje reciproke.

Hoti të martën po ashtu ka emëruar Skender Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë.

Naim Rashiti thekson se qeveria aktuale ka pasur vështirësi edhe rreth emërimit të koordinatorit, grupit të ekspertëve për dialog, por edhe rreth bashkëpunimit me partitë, si ata brenda koalicionit dhe ata në opozitë dhe koordinimit me kuvendin.

“Kjo situatë kërkon rikoordinim më të fuqishëm, maturim më të madh, por po ndodh e kundërta”, tha Rashiti.

Analisti Krasniqi thekson se moskoordinimi i spektrit politik dhe mospërkrahja e kryeministrit në dialogun politik, do të ketë pasoja për Kosovën.

"Duke pasur kontestime dhe mospërkrahje ndaj kryeministrit nga brenda, si brenda subjektit të tij, po ashtu edhe disa deklarata të zyrtarëve të PDK-së që bëjnë thirrje që dialogu të mos vazhdojë pa presidentin Thaçi, kjo do të ketë pasoja negative në gjithë këtë proces për Kosovën dhe dobësim të pozicionit tonë si shtet negociues në raport me Serbinë”, tha Krasniqi.

Në Qeverinë e Kosovës, zyrtarët thonë se për dialogun politik me Serbinë, kryeministri Avdullah Hoti e ka mbështetjen e duhur.

"Kryeministri ka mbështetje të plotë të koalicionit qeverisës edhe besoj se në këto proces edhe opozita do të japë ndihmesën e vet dhe derën e ka hapur", tha për Radion Evropa e Lirë, Xhavit Beqiri, këshilltar për media i kryeministrit Hoti.

Dialogu në nivel të ekspertëve pritet të vazhdojë të enjten, kurse ai në nivel politik është paralajmëruar për në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG