Ndërlidhjet

Çfarë është “Rruga e tretë” e LDK-së?


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Fotografi nga arkivi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Fotografi nga arkivi.

“Alternativë”, “Mendim i përbashkët shoqëror”, “Rrugë e re" apo "Rrugë e tretë”.

Këto janë disa nga emërtimet që partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ia ka vënë një iniciative të saj për një diskutim të gjerë publik për, siç ka thënë ky subjekt politik, dalje nga “kriza në të cilën gjendet Kosova”.


Disa zyrtarë të lartë të LDK-së tashmë kanë folur rreth nismës dhe rreth asaj se çfarë pritet nga ajo, ndërkohë që edhe përfaqësues të partive të tjera në opozitë kanë pranuar se duhet të gjejnë mënyra për t’iu kundërvënë politikave të kryeministrit Albin Kurti, të cilat, sipas tyre, po e izolojnë vendin.

I hedhim një vështrim asaj çfarë dihet deri më tani rreth “Rrugës së tretë” të LDK-së:

Si e shpjegon LDK-ja nismën?

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, me në krye Kurtin, është përballur me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si përgjigje ndaj, siç është thënë, “shpërfilljes së kërkesave për shtensionim” të situatës në veri të Kosovës.

Në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë.

Protestat e tyre u përshkallëzuan edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur - në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.

Kosova ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap, pavarësisht thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar që t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja.
Duke reaguar ndaj kësaj situate, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot”.

Ndërkaq, javën e kaluar, Abdixhiku përmendi një iniciativë “për artikulimin e një mendimi të përbashkët shoqëror”, nën organizimin e partisë që ai udhëheq.
Abdixhiku paralajmëroi takime me aktorë nga shoqëria civile, me akademikë, me përfaqësues të bizneseve, të mërgatës e të mediave, me opinionistë e me zyrtarë partish politike, ndër të tjerë.

Në këto takime është thënë se do të prezantohet plani i LDK-së “për kapërcimin e izolimit dhe krizës”.

Po ashtu, sipas planit të përmendur nga kreu i LDK-së, pjesëmarrësve në takime do t’u kërkohet edhe mendimi i tyre dhe “mbështetja për ndërtimin e masës kritike të zërit alternativ”.

Pse u mor kjo nismë?

Qëllimi kryesor i kësaj nisme, sipas zyrtarëve të LDK-së, është ruajtja e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtarë, përkatësisht me BE-në dhe me SHBA-në.

Iniciativa është përmendur edhe si alternativë, në pamundësi të rrëzimit të Qeverisë Kurti në Kuvend, meqenëse opozita ka pranuar se nuk ka vota të mjaftueshme për një mocion mosbesimi.

“Votat në Parlament nuk i kemi, mirëpo po shihet që pushteti është në panik”, është shprehur nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, teksa ishte duke folur në Klan Kosova për rëndësinë e iniciativës së partisë opozitare.

Përveç aktorëve të tjerë shoqërorë, LDK-ja i ka bërë thirrje edhe pjesës tjetër të opozitës që t’i bashkohet nismës së saj.

“Kam ftuar për angazhim të përbashkët të shoqërisë sonë, atyre që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, në artikulimin e qartë të kësaj rruge. Kam ftuar në angazhim mbipartiak e përtejpartiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës”, ka thënë Abdixhiku në një shkrim që ka bërë në rrjetin social, Facebook, më 3 korrik.

Deri më tani, as Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk kanë shprehur përkrahje publike për të.

Megjithatë, nga AAK-ja kanë thënë se në pamundësi për rrëzimin e Qeverisë me mocion mosbesimi, opozita duhet t’i shqyrtojë si opsione debatet, tryezat apo një front opozitar, pa përjashtuar as protestat si alternativë.

Si do të zhvillohet nisma?

Të mërkurën e 5 korrikut është mbajtur takimi i parë i planifikuar në kuadër të iniciativës së LDK-së. Ai u zhvillua me opinionistë dhe me gazetarë.
Fotografi të këtij takimi u shpërndanë në mediat elektronike, në të cilat u panë dhjetëra të ftuar.

Janë paralajmëruar edhe tri takime të tjera: me organizata të shoqërisë civile, me profesorë universitarë e ish-diplomatë, dhe me biznese nga sektori privat.
Data dhe koha për këto takime nuk është komunikuar ende.

Pas takimit me gazetarët e opinionistët, Lumir Abdixhiku ka thënë se po konsultohen për planin e LDK-së dhe në fund të të gjithë takimeve do ta bëjnë publik këtë plan.

XS
SM
MD
LG